Ndërlidhjet

logo-print

RRUGËTIMI PËR NË EVROPË


The Economist

Megjithë vlerësimin pozitiv që Serbia ka marrë nga Bashkimi Evropian, udhëheqësit serbë nuk kanë iluzione se anëtarësimi në këtë familje do të ndodhë së shpejti, jo vetëm për shkak të reformave të domosdoshme që duhen bërë, por edhe për shkak të insistimit që Serbia të bashkëpunojë në tërësi me Tribunalin Ndërkombëtar për krime lufte. Megjithatë, për Serbinë, kriminelët e luftës mund të jenë kafshatë e lehtë. Çështje më e ndjeshme padyshim është Kosova. Në dy muajt e ardhshëm, dy raporte mbi Kosovën pritet të paraqiten përpara Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe nëse ato pasqyrojnë një vlerësim pozitiv, Kofi Annan, pritet të emërojë një emisar, i cili do të bisedojë me autoritetet në Prishtinë dhe në Beograd mbi atë që tani quhet të ardhmen e Kosovës, dhe jo statusin final. Ky emisar, sipas të gjitha gjasave do të jetë një politikan i njohur me rrethanat në Ballkan. Një politikan i tillë mund të jetë Gjuliano Amato, ish kryeministri Italian dhe njëri nga udhëheqësit e Komisionit Ndërkombëtar për Ballkanin, në raportin e të cilit mbrohet pavarësia e Kosovës, e cila do të arrihej në katër faza.
Por, meqë qëndrimet e Prishtinës dhe Beogradit dallojnë shumë, diplomatët amerikanë dhe ata evropianë aktualisht janë duke e shqyrtuar idenë e imponimit të një statusi përfundimtar, pa pasur nevojë që të arrihet pajtueshmëria e dyanshme. Një zgjidhje e këtillë e imponuar do të përbëhej prej disa elementeve. I pari është se pavarësia e kushtëzuar për disa vjet, gjë që do të nënkuptonte praninë e forcave paqeruajtëse të NATO-s. Elementi i dytë ka të bëjë me rolin e Kombeve të Bashkuara, si një mision këshilldhënës, me një shef misioni, që do të ketë funksionin e ngjashëm me Lordin Paddy Ashdoën në Bosnjë, i cili ka të drejtën e shkarkimit të zyrtarëve që nuk bashkëpunojnë. Elementi i tretë ka të bëjë me serbët në zonat e tyre, të cilët do të kishin më shumë autonomi dhe të drejtën për shtetësi të dyfishtë. Duke marrë parasysh përvojën nga e kaluara, disa kanë frikë se Rusia mund ta bllokojë imponimin e kësaj zgjidhjeje nga Këshilli i Sigurimit. Por, të tjerët thonë se një gjë e këtillë mund të mos ndodhë, për faktin se Rusia nuk do të rrezikojë të ekspozohet si e dobët në rast se kundërshtimet e saj injorohen. Një prej ideve që po qarkullon kohët e fundit është që marrëveshja e imponuar të hartohet në atë mënyrë që të prezantohet ndryshe në Beograd dhe ndryshe në Prishtinë.

XS
SM
MD
LG