Ndërlidhjet

ECURIA E STANDARDEVE PËR EKONOMINË VLERËSOHET POZITIVE


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Ministria e Ekonomisë dhe Financave si bashkëdrejtuese e grupit punues për standardin e ekonomisë, vlerëson se është arritur përparim i mjaftueshëm në këtë standard dhe sidomos në fushën e ndërtimit të infrastrukturës ligjore që do të mundësonte një zhvillim ekonomik sipas standardeve ndërkombëtare. Driton Balaj, këshilltar i Ministrit për Ekonomi dhe Financa Haki Shatri, tha se prioritetet jo vetëm që janë përcaktuar, por edhe janë jetësuar në masë të madhe:
"Së bashku me UNMIK-un kemi vendosur prioritetet të cilat kemi menduar se janë ato që do të mund t’i arrijmë deri në mesin e këtij viti. Kujtoj se është bërë progres shumë i madh, me përjashtim të një veprimi, e që është formimi i Agjencionit për promovimin e investimeve dhe Agjencionit për antikorrupsion", tha Driton Balaj, për të shtuar se po punohet edhe në drejtim të përgatitjes së ndryshimeve të nevojshme në mënyrë që këto ligje të nënshkruhen:
"Agjencioni antikorrupsion ende nuk është formuar, si rezultat i mosnënshkrimit të ligjit antikorrupsion. Sipas informatave që i kemi po punohet në këtë ligj, me vërejtjet që i ka dhënë UNMIK-u në projektligjin për antikorrupsion".
Ndërkohë, vetë shefi i shtyllës katër të UNMIK-ut, Joachim Ruecker, ka lavdëruar grupin punues për ekonominë dhe institucionet e Kosovës në përgjithësi, për angazhimin në drejtim të përmbushjes së standardeve dhe për përparimin që është arritur në këtë fushë.
Zoti Driton Balaj tha se një pjesë e madhe e punës së kësaj ministrie është përqendruar pikërisht në krijimin e infrastrukturës ligjore që do të mundësojë zhvillimin e ekonomik dhe do të eliminojë pengesat që do të shfaqeshin në këtë fushë:
"Një pjesë e madhe e ligjeve janë nënshkruar, por vëmendjen kohët e fundit e kemi fokusuar në zbatimin e ligjeve, pasi është me rëndësi që jo vetëm të nxirren ligjet, por të shihet zbatimi i tyre dhe të raportohet për zbatimin e tyre".
Sidoqoftë, ekspertët e ekonomisë disa herë kanë vlerësuar se edhe procesi i privatizimit dhe çuarja përpara e tij mund të jenë faktorë të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik. Ndërkohë, një pjesë e rëndësishme e infrastrukturës së gjithmbarshme për zhvillim ekonomik, sipas ekspertëve, është krijuar tashmë me lejen e Kombeve të Bashkuara për dhënien në shfrytëzim të pronave ndërmarrjeve deri në 99 vjet.

XS
SM
MD
LG