Ndërlidhjet

MOORE:"PAVARËSIA PA SOVRANITET, SI ALASKA PA BORË"


Patrick MOORE, analist i radios Evropa e Lirë

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Moore, këtë javë Komisioni Ndërkombëtar për Ballkanin në një raport ka propozuar pavarësinë e Kosovës në katër faza. Çfarë do të thotë pavarësia në katër faza?

PATRICK MOORE
Kam lexuar shumë tekste politike në jetë por ky ishte vërtet i veçantë. Ishte një formulim, nje model, që mund të jetë i shkruar vetëm nga juristë ose byrokratë të Bashkimit Evropian. Ajo që nënkuptohet me këtë formulim është që Kosova nuk do të jetë kurrë vërtet sovrane, sepse Bashkimi Evropian do të ketë një të drejtë vetoje, në fazat 2 dhe 3, sidomos sa i përket minoritetit serb dhe pastaj në fazën 4 Kosova do të duhet t'u nënshtrohet të gjitha ligjeve të Bashkimit Evropian, që janë hartuar nga njerëz të tjerë, në kohë të tjera dhe në vende të tjera. Qëllimi i gjithë këtij projekti është skicimi i dhënjes së një pavarësie Kosovës brenda Bashkimit Evropian, me një sovranitet të kufizuar, ndërkohë që në të njëjtën kohë do të qetësonin drojën e pakicës serbe, të cilët thonë se i frikësohen dominimit nga shqiptarët.

RADIO EVROPA E LIRË
Sipas këtij dokumenti faza e dytë e zgjidhjes së çështjes së Kosovës do të ishte " pavarësia pa sovranitet". Është ky çmimi që duhet paguar për pavarësinë e Kosovës apo diçka tjetër?

PATRICK MOORE
Pavarësia pa sovranitet është njëlloj sikur Alaska pa borë. Por ajo që kjo do të nënkuptojë është një zgjatje e sundimit kolonialist, pavarësisht se si quhet ai. Po, ky është çmimi për pavarësinë dhe përfshinë vazhdimin e trajtimit të njerëzve të Kosovës si fëmijë të këqinj. Do të vazhdoni të keni sundues kolonialë, disa prej të cilëve janë të dedikuar dhe kompetentë, por shumica nuk janë. U përngjajnë shumë sunduesve evropianë që qeverisnin kolonitë evropiane njëqind vjet më parë, që shpesh ishin njerëzit më pak të kualifikuar të shërbimit civil të vendeve të tyre dhe merrnin një punë në shërbimet koloniale si gjëja më e mirë për ta. Po lexoja një libër të një diplomati britanik, ekspert në Lindjen e Mesme. Ai u largua nga Shërbimi i Jashtëm i Britanisë në vitin 1956 në shenjë proteste ndaj politikave kolonialiste britanike ndaj Egjiptit. Ai shkruan se gabimi i politikave kolonialiste britanike në Lindjen e Mesme ishte fakti që nuk arritën të kuptonin që arabët do të preferonin më shumë të qeveriseshin keq nga disa prej njerëzve të tyre, sesa të qeveriseshin mirë nga të huajt. Dhe mendoj se preferenca e të qeverisurit keq, ose jo mirë nga njerëzit e tu, më tepër sesa të qeverisurit mirë nga të huajt, është diçka që edhe njerëz të tjerë e ndiejnë dhe jo vetëm arabët.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Moore, javorja londineze " The Economist" të premten ka botuar një artikull kushtuar këtij plani duke vënë në pah përveç të tjerash se sa i përket Kosovës, ndërmjet Evropës dhe Amerikës më nuk ka dallime të mëdha. Si e komentoni ju këtë aspekt të çështjes?

PATRICK MOORE
Ajo që kjo do të thotë është që nëse Bashkimi Evropian do të marrë një koloni (Kosovën) që mund ta kontrollojë, edhe Shtetet e Bashkuara do të marrin një plan për pavarësinë e Kosovës, që mendoj se (dëgjuesit tuaj e dinë) ka mbështetje mjaft të mirë në SHBA me përjashtim të lobit serb. Ajo që duhet të nënkuptojë është që çdokush duhet në njëfarë mënyre të jetë i kënaqur, përfshirë këtu njerëzit që jetojnë në Kosovë, derisa të arrijë koha e fazës së katërt. Nga aspekti pozitiv, një gjë e rëndësishme e këtij plani është që me sa duket nuk do të ketë ndarje dhe ndoshta gjëja më e rëndësishme është që nuk do të ketë asnjë përpjekje nga Brukseli për të krijuar ndonjë shtet fiktiv ndërmjet Serbisë, Malit të Zi dhe Kosovës. Në këtë aspekt duket se është një intencë që të mos shkohet në bërjen e një shteti të përbashkët e fiktiv që siç është parë në rastin e Bosnjes dhe të Unionit Serbi – Mali i Zi është opcion i dështuar.

Intervistoi: Melazim KOCI
XS
SM
MD
LG