Ndërlidhjet

KELMENDI: "PAVARËSIA E KUSHTËZUAR – MOSBESIM NDAJ KOSOVËS"


Nekibe Kelmendi, deputete në Kuvendin e Kosovës

EVROPA E LIRË
Zonja Kelmendi, Grupi i Kontaktit ka përjashtuar si opsione ndarjen e Kosovës, kthimin në gjendjen e vitit 1999 dhe bashkimin me ndonjë vend, me ndonjë shtet tjetër. Si do të reflektohet kjo në procesin e përcaktimit të statusit të Kosovës?

NEKIBE KELMENDI
Unë mendoj se Grupi i Kontaktit për dallim nga herët e tjera ka ndryshuar edhe qasjen ndaj problemit të Kosovës, por edhe fjalorin që përdor ndaj Kosovës. Qëndrimi i Grupit të Kontaktit që Kosova të mos i bashkohet ndonjë shteti fqinj në të ardhmen, është qëndrim realist për kohën e tashme dhe unë mendoj se kjo nuk e dëmton fare çështjen e Kosovës, por unë kam pritur që Grupi i Kontaktit të jetë më konkret dhe më i qartë sa i përket statusit politik të Kosovës, sepse që Kosova nuk do të ndahet, ne e kemi ditur edhe vetë përpara dhe nga ana tjetër nuk kemi shprehur aspirata si institucione të Kosovës që t’i bashkohemi ndonjë shteti fqinj. Mirëpo, kam pritur se ata do të dalin me një qëndrim paksa më konkret, sepse Kosova për pothuaj njëzet vjet është në një proces dhe ai proces duhet të marrë fund ndonjëherë.

EVROPA E LIRË
Ndërkohë, zonja Kelmendi, bashkësia ndërkombëtare ka bërë të qartë se nëse nuk do të ketë vlerësim pozitiv të standardeve do të shtyhet edhe koha e përcaktimit të statusit final. Cilat janë gjasat për një vlerësim pozitiv?

NEKIBE KELMENDI
Mendoj se janë krijuar të gjitha gjasat për një vlerësim pozitiv. Standardet janë duke u realizuar aq sa kemi mundësi dhe aq sa kemi përgjegjësi ne. Mendoj se ato duhen vlerësuar pozitivisht, sidomos sa i përket respektimit të të drejtave njerëzore, sepse ne institucionalisht asnjëherë prej se është vendosur administrata e UNMIK-ut, por edhe më përpara kur e kishim njëfarë autonomie në kuadër të ish-Jugosllavisë nuk i kemi cenuar të drejtat e askujt. Përkundrazi, kanë qenë të cenuara të drejtat tona. Qëndron fakti se liria e qarkullimit është paksa e kufizuar, mirëpo në këtë do të ndikonin vetë serbët që të mos ndodhë kështu dhe të jene më të hapur dhe më të afërt, sidomos me institucionet e Kosovës. Të kërkojnë aty mbështetje dhe aty të kërkojnë një garanci për lëvizje të lirë.

EVROPA E LIRË
Ndërkohë, Grupi i Kontaktit ka lënë të hapura të gjitha opsionet e tjera përveç atyre të përjashtuarave për statusin përfundimtar dhe përcaktimin e tij. Cilat sipas jush janë mënyrat për ta bërë përcaktimin e statusit përfundimtar të Kosovës?

NEKIBE KELMENDI
Mënyra më e mirë për ta bërë përcaktimin e statusit politik të Kosovës do të ishte pranimi i pavarësisë së Kosovës. Ne pavarësinë e kemi shpallur shumë më përpara, në vitin 1991, atëherë kur ishte luftë në ish-Jugosllavi. Mendoj se prej asaj kohe ka filluar procesi i pavarësimit të Kosovës dhe tash do të duhej të definohej ky status me njohjen e pavarësisë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga ana e bashkësisë evropiane.

EVROPA E LIRË
Zonja Kelmendi, ndërkohë është folur shumë për një zgjidhje të mesme, siç është pavarësia e kushtëzuar. Si e vlerësoni ju një opsion të tillë dhe si do të mund të dukej një pavarësi e kushtëzuar?

NEKIBE KELMENDI
Unë mendoj se pavarësia e kushtëzuar është një mosbesim në institucionet tona se do t’u garantojnë respektimin e të drejtave, sidomos të minoritetit serb. Nuk ka baza që të dyshohet se ne do t’i shkelim ato të drejta, pasi ne do t’i garantojmë ato të drejta me aktin tonë më të lartë juridik, me Kushtetutën e Kosovës dhe mendoj se në këtë aspekt nuk do të ishte zgjidhje e plotë e statusit politik të Kosovës, por prapë do të lejohej një hapësirë që Kosova të mbetet në njëfarë mënyre përsëri shtet pa sovranitetin e vet e kjo e dëmton në njëfarë mënyre edhe procesin e demokratizimit të Kosovës, por e dëmton edhe procesin e integrimit të Kosovës në strukturat euroatlantike dhe në Bashkimin Evropian.

EVROPA E LIRË
Ndërkohë, përmbushja e standardeve është vlerësuar se do të jetë e vështirë pa shprehjen e vullnetit të mirë të përfaqësuesve serbë. Si do të ndikojë një hyrje eventuale e serbëve në Kuvendin e Kosovës për gjithë këtë proces?

NEKIBE KELMENDI
Për pakicën serbe Kuvendi i Kosovës ka qenë gjithmonë i hapur, bile- bile mund të them edhe zemërgjerë, mirëpo ata e kanë pasur politikën e tyre të programuar, qëndrimet e programuara në Beograd. Mendoj se inkuadrimi i tyre tash, megjithëse me pak vonesë që nga konstituimi i parlamentit, por megjithatë edhe tash nuk është vonë që tash të kyçen vetë të marrin pjesë në institucionet e Kosovës, të bisedojnë përmes institucioneve të Kosovës për hallet e tyre për problemet e tyre dhe me siguri se do të gjejnë mbështetje edhe tek institucionet, por vërehet një relaksim i qëndrimit edhe të qytetarëve të Kosovës ndaj minoritetit serb.

EVROPA E LIRË
Zonja Kelmendi, ndërkohë në raportet ndërmjet pozitës dhe opozitës vërehet një fjalor i ashpërsuar politik, pas disa akuzave të opozitës në drejtim të një pjese të kabinetit aktual qeveritar. Si do të reflektohet kjo në gjithë procesin, sipas jush?

NEKIBE KELMENDI
Unë mendoj së pari se këto akuza nuk qëndrojnë dhe janë akuza të pabazuara dhe të fabrikuara shumë herët dhe që tash e kanë gjetur momentin që të shfrytëzohen kundër pozitës në tërësi e në veçanti kundër disa anëtarëve të qeverisë së Kosovës. Edhe po të qëndronin ato që thuhen në akuza nuk është momenti që ato akuza tash të ngrihen dhe të shndërrohen në problem, sepse do të harxhohej energji shumë e madhe dhe do të orientohej kahu i veprimit nga shfajësimi nga ato akuza, në vend që energjia të orientohet nga realizimi i standardeve dhe e ardhmja e Kosovës. Nëse eventualisht, edhe pse unë dyshoj së është i involvuar, edhe nëse është dikush i involvuar, ndonjë anëtar i qeverisë në ndonjë veprim kriminal, ato nuk vjetrohen dhe duhet pritur që në kohë të caktuar, nëse ka raste të tilla të procedohen, t’u jepen organeve gjyqësore dhe kjo të kalojë në binarët e gjyqësorit. Kështu si po veprohet tash, është një fjalor jashtëzakonisht i ashpër politik, që së pari e dëmton imazhin e vetë subjekteve politike në Kosovë, qofshin ato pozitë apo opozitë. Unë shpresoj se ky trend i përkeqësimit të raporteve ndërmjet partive politike do të ndalet dhe shpresoj se kjo ka qenë vetëm zbrazje e një mllefi që dikush ka qenë në opozitë. Por, gjithnjë e kam thënë dhe e them se Kosovës i nevojitet një opozitë konstruktive e cila do ta korrigjojë punën e pozitës brendapërbrenda institucioneve të Kosovës, kurse me veprime inkriminuese, me inkriminime të ndryshme, me përfshirjen e personave të caktuar në veprime kriminale le të merren institucionet, e jo me u marrë opozita. Ndaj, edhe shtrohet pyetja se çfarë institucioni është opozita që të shkojnë qytetarët dhe tek ajo të rrëfehen se ky apo ajo është marrë me veprimtari kriminale, kur ne i kemi shërbimet policore, edhe sistemin gjyqësor, ku përfshihet edhe prokuroria. Nëse dikush ka diçka konkrete, adresa është aty.

Intervistoi: Rrahman PAÇARIZI

XS
SM
MD
LG