Ndërlidhjet

VARROSET NË PRANI TË MIJËRA QYTETARËVE ENVER HARADINAJ


Enver Haradinaj, vëllai i ish kryeministrit Ramush Haradinaj, është varrosur sot në vendlindjen e tij në Gllogjan para përfaqësuesve më të lartë të institucioneve të Kosovës, të Shqipërisë, të Maqedonisë si dhe para dhjetëra mijëra qytetarëve të Kosovës.
Dy vëllezërit e tij të burgosur morrën pjesë në ceremoninë mortore, pasi që të dy janë liruar përkohësisht, Ramush Haradinaj nga Tribunali i Hagës, ndërkaq Daut Haradinaj nga burgu i Dubravës.
24 vjeçari Enver Haradinaj, ish luftëtar i UÇK-së u vra të premten e kaluar nga persona të panjohur, në rrugën Pejë- Deçan.
Ish-kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj duke shprehur dhimbjen për humbjen e vëllait, ka kërkuar nga populli i Kosovës që të përmbahet si dhe të ecë në rrugën e nisur për krijimin e shtetit të Kosovës.
“Mënyra më e mirë dhe më e shpejtë për të ruajtur jetën e qytetarëve tanë, me i ndal dhimbjet, mos me pasë më dhimbje në Kosovë te askush, te asnjë familje shqiptare, mënyra më e mirë është me i mbështet proceset në të cilat ndodhet Kosova”.
Goditje e rëndë e lirisë së Kosovës është quajtur vrasja e Enverit nga krerët e institucioneve të Kosovës.
Presidenti Rugova përmes një telegrami i ka shprehur ngushëllime familjes Haradinaj.
“Familje e nderuar, ju premtoj se do t'i marrim të gjitha masat, që ata që ia shuan jetën Enver Hardinajt në lule të rinisë, dhe në dritë të lirisë së vendit tonë do të dalin para drejtësisë”, lexoi telegramin e ngushëllimit këshilltari i presidentit Rugova, Sali Cacaj.
Kryetari i Kuvendit Nexhat Daci, ka thënë se pavarësisht nga dhembja e madhe për humbjen e Enver Haradinajt Kosova nuk duhet të ndalë rrugëtimin e saj.
“Vendi ynë me plagë ende të pashëruara, me varre të pambuluara, me prindër, bij e bija ende te pagjetur, kurrë nuk kishte menduar që në kohën kur duhet gëzuar lirinë falë gjakut të dëshmorëve, falë përkushtimit e punës së shumë intelektualëve e patriotëve, kjo Kosovë nën lotët e pikëllimti e dhembjes, por edhe nën ndjenjën e fortë të hidhërimit duhet të ndahet nga një nga djemtë më të mirë të saj të vrarë nga një dorë gjakatare”.
Kreyminsitri Bajram Kosumi ka premtuar se vrasësit e Enverit do të dalin shumë shpejt para drejtësisë.
“Herët a vonë ata do të dalin para drejtësisë. Gjithashtu e kam shumë të qartë se pse kërkojmë nga qytetarët e Kosovës që ta frenojnë zemërimin e tyre të drejtë, dhe pse kërkoj, që të mos ndalim rrugën e krijimit të shtetit demokratik. Ftoj qytetarët për një mirëkuptim më të madh qytetar dhe politik në procesin e krijimit të shtetit demokratik të Kosovës”.
Komandanti i Trupave Mbrojtëse të Kosovës, gjenerali Agim Çeku ka cilësuar se me vrasjen e Enver Haradinajt, ish epror i TMK-së është plagosur rëndë liria e Kosovës.
“Kjo vrasje është shumë më shumë se krim, është çmenduri që mendja e njeriut normal e ka të pamundur ta perceptojë. Edhe kjo vrasje dëshmon për të satën herë se sa e pambrojtur është liria e Kosovës dhe me cfarë lehtësie të padurueshme mund të lëndohet ajo”.
Zëvendëskryeministri i Shqipërisë Namik Dokle ka shprehur ngushëllimet në emër të qeverisë shqiptare.
“Jam këtu që të ndajë bashkë me ju dhimbjen e të gjithë shqiptarëve dhe të qeverisë shqiptare për djalin tuaj Enverin, për vëllanë tonë Enverin”.
Ali Ahmeti nga Bashkimi Demokratik për Integrim është lutur që kjo të jetë sakrifica e fundit e familjes Haradinaj.
“Bashkë me ju edhe njëherë dua t’ju them se thellë të prekur janë shqiptarët në Maqedoni për këtë akt makabër, që ndodhi ndaj vëllait tonë e tuajit Enver Haradinajt."
Enver Haradinaj është varrosur me nderime te larta nga TMK-ja, në varrezat e dëshmorëve, pikërisht në mes të dy varreve të vëllezërve të tij të vrarë në luftë, Luan e Shkëlzen Haradinajt.

Albana Isufi, Gllogjan.

XS
SM
MD
LG