Ndërlidhjet

NËNSHKRUHET MARRËVESHJA PËR LARGIMIN E ROMËVE NGA TRE KAMPE NË VERI TË MITROVICËS


Albana Isufi, Prishtinë

Mbi 100 familje rome dhe ashkalinje që jetojnë në kampe në veri të Kosovës, përmes një marrëveshjeje të nënshkruar sot, pritet që brenda këtij viti, pasi t’u rindërtohen shtëpitë, të kthehen në Mëhallën e Romëve në jug të Mitrovicës.
Kryetari i Komunës së Mitrovicës Faruk Spahija, ka deklaruar se marrëveshja e nënshkruar sot, është shumë e rëndësishme, pasi mëton kthimin e të gjithë banorëve që kishin jetuar në këtë pjesë para vitit 1999 dhe mundëson bashkëjetesën mes të gjitha etnive.
“Të gjitha përpjekjet që janë bërë këtë vit është që të shfrytëzohet koha e mirë për periudhën e ndërtimit. Besoj se agjenda e disa veprimeve do të jetë e favorshme që të mundësojë me kohë fillimin e punëve për rindërtimin e kësaj lagjeje, sepse duhet t'u paraprijë një konferencë e donatorëve. Edhe përgatitja e planit të detajuar urbanistik të asaj hapësire ku do të vendosen romët dhe ashkalinjtë".
Spahiu thotë se në fazën e parë të kthimit parashihet kthimi i të gjithë të zhvendosurve te brendshëm të Mitrovicës.
"Është një orientim i përgjithshëm në Kosovë që në vitin 2005, të bëhen përpjekje që të mos ketë më të zhvendosur të brendshëm në Kosovë".
Administratori rajonal i veriut të Kosovës, Rashid Ahmed, ka thënë se në kuadër të marrëveshjes për kthimin e romëve në Mëhallën e Romeve përfshihet edhe kthimi i serbëve dhe të malazezëve.
“Ky dokument për kthimin nënkupton numrin më të madh të projekteve të përcaktuar deri tani dhe kjo nënkupton kthimin e të gjithë banorëve të Mëhallës Rome, madje edhe të serbëve dhe malaziasve. Ky dokument historik mundëson krijimin e një ambjenti të vërtetë për kthimin e bashkësisë rome”, tha Rashid Ahmed.
Marrëveshja është nënshkruar nga Kryetari i komunës së Mitrovicës Faruk Spahia, përfaqësuesit e UNMIK-ut, OSBE-së dhe UNHCR-së.
Ndërkohë, para se të arrihej një marrëveshje e tillë, UNHCR-ja ka paralajmëruar se në njërin nga kampet, atë të Zhitkovcit, egziston një situatë emergjente mjekësore për shkak të helmimit të gjakut të banorëve me sasi të mëdha të plumbit.
Kampi i Zhitkovcit gjendet në afërsi të një depoje, e cila liron substanca toksike dhe deri tani raportohet se si pasojë, në këtë kamp kanë vdekur dhe janë sëmurur shumë persona.




XS
SM
MD
LG