Ndërlidhjet

INSTITUCIONET DHE SUBJEKTET POLITIKE DËNOJNË SULMIN NDAJ SELISË SË PARTISË " ORA"


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Institucionet dhe subjektet politike të Kosovës e kanë dënuar shpërthimin e mbrëmshëm në selinë e partisë "Ora", me ç’rast janë lënduar tre fëmijë dhe janë shkaktuar dëme të mëdha materiale. Në një deklaratë të kryeministrit të Kosovës Bajram Kosumi, thuhet se sulmi terrorist kundër selisë së partisë "Ora", është i paramenduar dhe si i tillë ka për qëllim eskalimin dhe destabilizimin e gjendjes së sigurisë në Kosovë, si dhe pengimin e proceseve pozitive politike në vend, të cilat çojnë drejt realizmit të objektivave të qytetarëve për një shtet të lirë dhe demokratik të Kosovës. Në deklaratën e kryeministrit Kosumi kërkohet që organet përgjegjëse të ndërmarrin masa për gjetjen dhe dënimin e autorëve të këtij sulmi kriminal. Ndërkaq, në deklaratën e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci, thuhet se "dënojmë me forcë sulmin me eksploziv që u bë kundër “Ora”-s dhe kërkojmë nga organet përgjegjëse që të zbulojnë kryesit dhe nxitësit e këtij akti të shëmtuar, të drejtuar kundër një subjekti politik parlamentar të Kosovës, kundër fjalës së lirë, kundër pikëpamjeve politike demokratike, kundër jetës dhe veprimit të qetë e paqësor në Kosovë."
Sulmi kundër selisë së partisë "Ora" është dënuar edhe nga Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës, e cila ka thënë se aktet e tilla janë kundër rendit, qetësisë, stabilitetit dhe progresit të Kosovës. Ndërkaq, Partia Demokratike e Kosovës ka thënë se ky shpërthim, si dhe kërcënimet që i paraprinë atij ndaj personaliteteve të njohura të skenës politike opozitare në Kosovë, janë të motivuara politikisht dhe kanë për qëllim kërcënimin dhe eliminimin e opozitës demokratike. PDK është shprehur e shqetësuar për përmasat e krimit të pandëshkuar që është instaluar në kabinetin qeveritar, thuhet ndër të tjera në deklaratën e Partisë Demokratike të Kosovës.
Ndërkohë, vetë kryetari i partisë "Ora" Veton Surroi, këtë shpërthim e ka quajtur atentat politik kundër partisë së tij:
"Është e qartë që ka ndodhur një atentat politik i dhunshëm. Është sinjal i qartë i pjesëve të dhunshme të shoqërisë sonë, i pjesëve të inkriminuara në krim politik; është një sinjal kundër " Orës", kundër krejt asaj që përfaqëson "Ora"," tha zoti Surroi, ndërkohë që shpërthimi është dënuar edhe nga shefi i zyrës britanike në Prishtinë, Marc Dickinson, i cili ka thënë se dhuna apo kërcënimi me dhunë, nuk kanë vend në politikën që ka nisur të ndërtohet në Kosovë. Ata që e përdorin atë apo që kërcënohen ta përdorin dhunën, janë kërcënim edhe për përparimin në Kosovë. Ndoshta, shpërthimi nuk ka synuar të vrasë apo lëndojë, edhe tre fëmijë janë lënduar mirëpo, nuk ka kurrfarë arsyetimi, pasi në të vërtetë shpërthimi ka lënduar tre fëmijë. Kryesit e këtij akti kanë vepruar me një mungesë të neveritshme të përgjegjësisë për sigurinë publike dhe parimet e demokracisë.
Policia ka bërë të ditur se shpërthimi ka ndodhur rreth orës 22:00, por ende nuk dihet asgjë për kryesit e mundshëm të këtij akti dhe për motivet e tyre eventuale. Policia ka arritur të konfirmojë vetëm se shpërthimi është shkaktuar nga një mjet shpërthyes, por nuk dihet nëse bëhej fjalë për ndonjë bombë të kurdisur, apo për ndonjë granatë dore.
Ndërkohë, fëmijët, Albulena, Antigona dhe Faton Ruhani, nga 3 deri në 12 vjeç, të cilët banojnë një kat sipër zyrave të partisë "Ora", thuhet të jenë lënduar nga copat e xhamave të thyer, si pasojë e shpërthimit dhe nga paniku që u krijua në ndërtesë pas shpërthimit. Selia e partisë "Ora", ndodhet në vetë sheshin Nëna Terezë, përbri hotelit Iliria në qendër të Prishtinës.
XS
SM
MD
LG