Ndërlidhjet

logo-print

LIDERËT BOTËRORË PËRSHËNDESIN ZGJEDHJEN E PAPA BENEDIKTIT TË 16


Liderët botërorë e kanë mirëpritur zgjedhjen e Papës së ri, kardinalit gjerman Joseph Ratzinger. Por reagimet ndaj Papa Benediktit XVI kanë qenë të përziera. Shumë liberalë katolikë janë dëshpëruar me zgjedhjen e kardinalit konservator.
Në Marktl, qytetin e lindjes së Benediktit XVI në Gjermaninë jugore, ishte një atmosferë festive.
Një vashë e veshur me kostume tradicionale parakaloi nëpër rrugët e qytetit, kurse kryetari i bashkisë tha se mburret me qytetin e tij.
"Me mburrje them se po qëndroj para vendit ku lindi Papa Benedikti XVI", tha Hubert Gshventer.
Liderët botërorë gjithashtu e mirëpritën zgjedhjen e papës së ri. I shoqëruar nga zonja e parë Laura Bush, presidenti amerikan George Bush, tha se Papa Benedikti XVI është njeri me urtësi dhe njohuri të mëdha, njeri që i shërben Zotit.
"U bashkangjitemi qytetarëve tanë dhe miliona të tjerëve në mbarë botën, të cilët luten për fuqinë e vazhdueshme dhe urtësinë e Shenjtërisë së Tij, që do t'i prijë Kishës Katolike", tha Bush.
Reagimi i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara Kofi Annan, ishte tipik.
"Mendoj se ai është njeri me përvojë të madhe, që ka bashkëpunuar mjaft ngushtë me papën e ndjerë. Shpresoj që do të jetë në gjendje të japë kontribut të njëjtë shpirtëror", tha Annan.
Por reagimet e përgjithshme ishin mjaft të përziera. Kjo për shkakun se Benedikti XVI njihet si konservator më i madh se paraardhësi i tij.
Për disa, si katoliku amerikan Ned Farmer, kjo është e mirë.
"Jam i lumtur, jam i kënaqur. Jam i lumtur që ai është konservator. Më vjen mirë sepse tani Kisha Katolike ka çfarë të mbrojë", tha Farmer.
Por zgjedhja e Ratzingerit për të tjerët është dëshpëruese. Manuel Celis nga Kili shpresonte se papa do të zgjidhej nga Amerika Latine.
"Nuk mendoj se ai është i përshtatshëm, sepse prisja që të jetë latino-amerikan", thotë Celis.
Ka edhe të tjerë që shpresojnë se papa i ri mund t'i zbutë kundërshtimet e Kishës ndaj divorcit, homoseksualëve dhe kontraceptivëve.
Peshkopi i Kishës Anglikane nga Afrika e Jugut, Desmond Tutu e quajti Benediktin XVI "konservator të ngurtë", i cili nuk është në hap me kohën. Ai tha se shpresonte për dikë me "qëndrime më të arsyeshme" lidhur me kondomët dhe AIDS-in.
Në vitin 2000, Ratzinger i quajti kishat e tjera të krishtera si të mangëta, ndërsa ankesën e mëvonshme të Luteranëve e cilësoi si absurde. Ai gjithashtu ka thënë se do të ishte "gabim shumë i madh" nëqoftëse Turqia myslimane do të lejohej t'i bashkangjitet Unionit Evropian.
Udhëheqësit myslimanë në Azi dhe në Lindjen e Mesme, krerët e Kishës Anglikane dhe të Kishës Ortodokse ruse, kanë bërë thirrje për dialog dhe bashkëpunim.




XS
SM
MD
LG