Ndërlidhjet

RICHARD HOLBROOKE: “NJË DREJTIM I RI PËR KOSOVËN”


Washington Post

Dallime esenciale në mes të mandatit të parë dhe të dytë të presidentit amerikan, George Bush, janë duke u shfaqur gjithnjë e më shumë, por një ndryshim i rëndësishëm në politikën amerikane i cili pothuajse nuk është vërejtur fare, ka të bëjë me Kosovën. Pas katër vjet gabimesh dhe injorimesh, administrata amerikane tani ka bërë një lëvizje të madhe në këtë drejtim. Procesi i përcaktimit të statusit politik është dashur të fillojë që moti, por Washingtoni dhe Bashkimi Evropian kanë favorizuar një qasje të ngadaltë, të cilën e kanë quajtur “standardet para statusit”, një frazë që ka maskuar funksionimin burokratik të një lëmshi diplomatik. Por, muajin që shkoi, pas vërejtjeve të shefit të zyrës amerikane në Prishtinë, Philip Goldberg, se situata në Kosovë është shpërthyese, Sekretarja amerikane e Shtetit, Condoleeza Rice e ka dërguar nënsekretarin e shtetit, Nicholas Burns në Evropë, për t’u takuar me Grupin e Kontaktit, një grup pothuajse i tejkaluar. Zoti Burns u ka thënë vendeve anëtare të këtij Grupi se situata në Kosovë është jostabile dhe përderisa nuk intensifikohen përpjekjet për të përcaktuar statusin përfundimtar, dhuna mbase do të përshkallëzojë, duke kushtëzuar kësisoj angazhimin e përhershëm të paqeruajtësve të NATO-s dhe natyrisht atyre amerikanë. Nën trysninë amerikane, një faktor i domosdoshëm që shfrytëzohet për të dalë nga proceset e brishta të Bashkimit Evropian, Grupi i Kontaktit tani ka miratuar një politikë të re. Këtë verë pritet që një emisar i posaçëm i Kombeve të Bashkuara të vendosë nëse Kosova ka përmbushur standardet dhe nëse mund të fillojnë bisedimet për statusin, ndonëse një gjë e tillë është dashur të ndodhë vite më parë, por megjithatë më mirë vonë se kurrë. Pjesa më e vështirë e këtij procesi ka të bëjë me atë se çfarë statusi duhet të ketë Kosova: pavarësi, ndarje apo statusin e një krahine?
Edhe pse askush në Washington ose në Evropë nuk është duke folur zyrtarisht rreth kësaj çështjeje, e kam të vështirë të paramendoj çfarëdo tjetër pos pavarësisë për Kosovën, ndoshta në periudha të caktuara për disa vitet e ardhshme. Megjithatë, një rezultat i tillë fillimisht kërkon garanci të fuqishme për pakicën e rrezikuar serbe dhe natyrisht një nivel më të lartë të pjekurisë politike në mes të politikanëve të ndarë shqiptarë. Në fund, Beogradi duhet të pranojë diçka që politikisht është e vështirë: të heqë dorë nga Kosova. Serbët duhet të vendosin nëse duan të hyjnë në Bashkimin Evropian, apo nëse duan të vazhdojnë të përpiqen për ta rikthyer Kosovën. Nëse zgjedhin këtë të dytën, do të mbeten duarthatë në të dyja çështjet. Në fakt e tërë situata rreth kësaj çështjeje është e ndërlikuar dhe ajo ka të bëjë edhe me Malin e Zi, Bosnjën, Shqipërinë, Kombet e Bashkuara, Bashkimin Evropian dhe NATO-n. Por, tani për tani, i rëndësishëm është fakti se administrata amerikane është duke bërë diçka në Ballkan, në një vend ku asgjë nuk ndodh pa udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara. Dhe duke marrë parasysh se jostabiliteti në Ballkan, nisur fillimisht nga Kosova, historikisht është zgjeruar në pjesët e tjera të Evropës dhe se rajoni gjendet në sferën gjithnjë e në rritje të NATO-s, ky problem duhet të zgjidhet para se të shndërrohet në një krizë të madhe.

XS
SM
MD
LG