Ndërlidhjet

BE: TAKIMI RUGOVA TADIÇ DO TË NDIHMONTE BISEDIMET E MUNDSHME PËR STATUSIN E KOSOVËS


Augustin Palokaj, Bruksel

Bashkimi Evropian i ka bërë thirrje sot presidentit të Kosovës Ibrahim Rugova që ta kuptojë seriozisht ftesën të cilën ja ka bërë presidenti i Serbisë Boris Tadiç dhe që me këtë të kyçet në dialog. Këtë e tha sot në Bruksel komisioneri i zgjerimit Oli Rehn, në paraqitje të komunikatës së Komisionit për Kosovën të titulluar " E ardhmja evropiane e Kosovës". Dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit për BE-në vazhdon të jetë njëri prej standardeve më të rëndësishme që duhet të plotësojnë kosovarët dhe këtë e porositi sot në Bruksel edhe komisioneri Rehn. Në dokumentin që ka miratuar sot Komisioni Evropian, parashihen disa hapa që do të ndërmarrë Komisioni për të ndihmuar institucionet e Kosovës në zhvillimin ekonomik, dhe për ta siguruar vazhdimin e procesit të Stabilizim Asociimit edhe me Kosovën, ndonëse ajo ende nuk e ka të zgjidhur statusin përfundimtar. Është tejet e rëndësishme që Kosova të mos lihet anash përderisa fqinjët e saj kanë nisur të ecin drejt Evropës, u shpreh komisioneri i BE-së Oli Rehn, duke bërë prezantimin e këtij dokumenti. Dokumenti më së shumti i qaset aspektit ekonomik. Në këtë kuadër komisioneri Rehn vlerësoi se problemet ekonomike nuk mund të presin zgjidhjen deri në statusin përfundimtar. Ai në këtë aspekt vlerësoi brengosës faktin se mëse gjysma e popullatës së Kosovës është ende e papunë, ndërkohë që prodhimi bruto për kokë banori është vetëm 1000 euro në vit. Zhvillimi ekonomik i vendit duhet të nxitet për të garantuar një të ardhme më të mirë për popullin e Kosovës. Kontributi ynë dëshmon qasjen e Komisionit për zhvillimin afatgjatë të Kosovës, thuhet në dokumentin e publikuar sot. Ndonëse potencohet se nuk ka të bëjë shumë me aspektin politik, në dokument megjithatë porositet se kërkohet qasje konstruktive e Beogradit. Gjatë prezantimit komisioneri Rehn kërkoi gadishmëri serioze të Prishtinës dhe Beogradit për nisjen e një dialogu konstruktiv. Komisioneri Rehn sot tha se nuk mund të paragjykohet statusi përfundimtar i Kosovës, megjithëse tha se e përkrah thënien e Këshillit të BE-së, i cili në takimin e ministrave kishte pohuar se Kosova më nuk mund të kthehet në gjendjen e vitit 1999.

XS
SM
MD
LG