Ndërlidhjet

logo-print

NGA 1 MAJI REGJIM I RI I VIZAVE PËR TË HUAJT NË KOSOVË


Albana Isufi, Prishtinë

Qytetarët e huaj, që nuk janë punonjës të UNMIK-ut apo KFOR-it, që nuk janë diplomatë, apo që nuk punojnë për organizata ndërkombëtare, të cilat i kanë zyrat në Kosovë, janë të detyruar që nga një maji, të tregojnë të dhënat personale dhe qëllimin e vizitës në pikat kufitare, para se të mund të marrin një autorizim të veçantë për qëndrimin e përkohshëm në Kosovë.
“Sipas rregullores kur personat vijnë në pikën kufitare në Kosovë, ata duhet te mbushin një formular ku tregojnë se kush janë dhe çfarë duan të bëjnë në Kosovë dhe t’i ofrojnë dokumentet e duhura”, shpjegon zëdhënësi i UNMIK-ut Remi Dourlot, duke shtuar se kjo mënyrë tanimë aplikohet gjithkund në Evropë dhe është e domosdoshme edhe për Kosovën.
“Është e qartë se është shumë e rëndësishme për Kosovën që të dihet se kush mund të hyjë dhe kush mund të qëndrojë për një kohë të pacaktuar në Kosovë. Rregullorja përcakton se cilat janë procedurat për t’u pajisur me autorizim për turistët dhe investitorët e huaj, apo qytetarët që vizitojnë miqtë në Kosovë dhe se sa mund të zgjasë qëndrimi i tyre”, tha Remi Dourlot, duke shtuar se me rregulloren 2005\16 u pengohet hyrja në territorin e Kosovës një kategorie të caktuar njerëzish.
“Atyre që ndoshta janë të dyshuar për terrorizëm apo akte kriminale, ata që e rrezikojnë shëndetin publik për arsye se bartin sëmundje të rrezikshme”, tha Remi Dourlot.
Ai thotë se ky regjim i ri, do të mund të pengojë në njëfarë mënyre edhe krimin e organizuar dhe kontrabandën.
“Do të duhej të ndihmonte, sepse kur kaloni në pikën kufitare ju duhet të ofroni disa dokumente dhe ndoshta hyrja do t’ju mohohet”, thotë Remi Dourlot.
Nëse autoritetet zbulojnë se qytetarët që duan të hyjnë në Kosovë janë duke gënjyer apo mashtruar, për ata do të pasojnë dënime, shpjegon Remi Dourlot.
“Nëse dikush mundohet të hyjë në Kosovë pa e respektuar këtë rregullore, do të pasojnë dënimet si gjoba prej 1000 eurosh, 3 muaj burg, apo do t’u ndalohet hyrja në Kosovë për një periudhë kohore prej 6 muaj deri në 3 vjet”, thotë Remi Dourlot.
Regjimi i tillë i vizave nuk vlen për qytetarët, që janë banorë të përhershëm të Kosovës, por as për qytetarët që janë të pajisur me dokumente të udhëtimit të Unionit Serbi- Mal i Zi. Ndërkaq, autorizime për të hyrë në Kosovë, përveç te huajve u duhen edhe qytetarëve të vendeve fqinje, si Shqipërisë e Maqedonisë.
XS
SM
MD
LG