Ndërlidhjet

HUNDOZI: JO-PAVARËSISË SË KUSHTËZUAR


Zylfije Hundozi, deputete e AAK-së në Kuvendin e Kosovës

RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Hundozi, Grupi i Kontaktit ka përjashtuar si opsione ndarjen e Kosovës, kthimin në gjendjen e vitit 1999 dhe bashkimin me ndonjë vend, me ndonjë shtet tjetër. Si do të reflektohet kjo në procesin e përcaktimit të statusit të Kosovës?

ZYLFIJE HUNDOZI
Vullneti i popullit të Kosovës dhe i të gjitha institucioneve, qeverisë dhe Kuvendit është që Kosova të shpallet shtet i pavarur, me tendenca për integrim në institucionet e BE-së dhe në NATO. Grupi i Kontaktit e ka bërë një përkufizim pak më të gjerë dhe në realitet, nëse lexohet mes rreshtash, ata janë në përputhshmëri me vullnetin e popullit të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Hundozi, ndërkohë është folur shumë për një zgjidhje të mesme, siç është pavarësia e kushtëzuar. Si e vlerësoni ju një opsion të tillë dhe si do të mund të dukej një pavarësi e kushtëzuar?

ZYLFIJE HUNDOZI
Unë mendoj se ne e kemi caktuar rrugën tonë, prej të cilës nuk ka kthim dhe ajo është pavarësia e Kosovës – jo pavarësi e kushtëzuar, por një shtet me pavarësi të plotë, një shtet sovran, i cili do ta luajë një rol të rëndësishëm në stabilitetin e Ballkanit.

RADIO EVROPA E LIRË
Ndërkohë, pavarësia e kushtëzuar është menduar që të bëhet për të mbrojtur më shumë të drejtat e pakicave. Sa janë në gjendje institucionet e Kosovës të garantojnë të drejtat e pakicave?

ZYLFIJE HUNDOZI
Synimet e institucioneve të Kosovës janë që të krijohet një shtet demokratik dhe demokracia nënkupton dhe përfshin edhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut të të gjitha pakicave që jetojnë në këtë shtet. Unë besoj se ne jemi në rrugë të mirë për realizimin e këtyre synimeve. Kuvendi i Kosovës para dy vjetësh e ka nxjerrë ligjin kundër diskriminimit, i cili ka filluar të aplikohet. Tendencat e institucioneve të Kosovës janë që të përmbushen të gjitha standardet prioritare dhe njëri prej tyre është mbrojtja e të drejtave të pakicave. Unë mendoj që ne nuk do të kemi kurrfarë problemi në atë drejtim, për arsye se qëllimet tona madhore janë krijimi i shtetit të pavarur, pavarësisht se me çka kushtëzohet nga bashkësia ndërkombëtare.

RADIO EVROPA E LIRË
Ndërkohë, bashkësia ndërkombëtare ka bërë të qartë se nëse nuk do të ketë vlerësim pozitiv të standardeve, do të shtyhet edhe koha e përcaktimit të statusit përfundimtar. Cilat janë gjasat për një vlerësim pozitiv?

ZYLFIJE HUNDOZI
Qeveria dhe të gjitha institucionet, si edhe Kuvendi janë duke punuar me të madhe për plotësimin e standardeve dhe janë në rrugë të mirë për jetësimin e tyre. Unë mendoj se nëse bëhet vlerësimi i tyre kah fundi i qershorit, vlerësimi do të jetë pozitiv dhe nuk do të ketë asnjë problem.

RADIO EVROPA E LIRË
Ndërkohë, përmbushja e standardeve është vlerësuar se do të jetë e vështirë pa shprehjen e vullnetit të mirë të përfaqësuesve serbë. Si do të ndikojë një hyrje eventuale e serbëve në Kuvendin e Kosovës për gjithë këtë proces?

ZYLFIJE HUNDOZI
Përfaqësues të serbëve të Kosovës, një pjesë e tyre, kanë hyrë tashmë në Kuvendin e Kosovës dhe njëri prej tyre është edhe ministër, Slavisha Petkoviq, ministër në Ministrinë për Kthim dhe Komunitete dhe ka punësuar një numër të madhe të serbëve, diku rreth 180 serbë në ministrinë e tij. Kohët e fundit Grupi i Kontaktit dhe ambasadorët e shteteve të huaja, kanë biseduar me përfaqësues të Listës Serbe, të cilët e kanë shprehur vullnetin e tyre për të hyrë në Kuvendin e Kosovës dhe e kanë kuptuar se bojkoti që ata kanë bërë, nuk u ka ndihmuar. Gjithashtu e kanë vërejtur se kohët e fundit edhe qeveria e Serbisë, edhe pse nuk e ka thënë në mënyrë direkte se është koha për pavarësinë e Kosovës, prapëseprapë e kanë kuptuar se edhe nga ana e tyre po egzistojnë indikacione që Kosova do të pavarësohet, prandaj mendoj se kanë ndërruar mendim dhe besoj se së shpejti do t’i shohim në Kuvendin e Kosovës. Kjo do të jetë pozitive edhe për vlerësimin pozitiv të standardeve, por pozitive edhe për vetë ata.

RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Hundozi, në raportet ndërmjet pozitës dhe opozitës vërehet një fjalor i ashpërsuar politik, pas disa akuzave të opozitës në drejtim të një pjese të kabinetit aktual qeveritar. Si do të reflektohet kjo në punën e institucioneve, sipas jush?

ZYLFIJE HUNDOZI
Opozita e ka atë rol që të kritikojë qeverinë dhe nëse kritikat janë konstruktive, ato vetëm sa i shtyjnë institucionet që të punojnë më mirë. Mirëpo, ndonjëherë dinë edhe ta teprojnë në atë drejtim dhe mendoj që akuzat që i kanë dhënë kohët e fundit, ka qenë mirë të vërtetoheshin nga drejtësia e pastaj kjo punë të sillet në Kuvend. Kështu, kjo ka mbetur vetëm në nivel të dyshimeve të tyre dhe kuptohet që e ka vështirësuar anën e pozitës. Por unë shpresoj që organet e drejtësisë do të jenë ato që do ta japin fjalën përfundimtare dhe shpresoj se nuk do të përsëritet prapë ky lloj i fjalorit në Kuvendin e Kosovës nëse nuk ka arsye.

RADIO EVROPA E LIRË
Ndërkohë, java e shkuar është karakterizuar nga vrasja e Enver Haradinajt dhe një shpërthim në selinë e partisë "Ora". Si do të reflektohet kjo në gjithë procesin, zonja Hundozi?

ZYLFIJE HUNDOZI
Ne me keqardhje e kemi përjtuar sidomos vrasjen e Enver Haradinajt, i cili ka qenë luftëtar, invalid i luftës, djalë i ri 24 vjeç dhe ajo që dhemb më së shumti është se shumë vrasje po ndodhin në Kosovë dhe nuk po sqarohet se kush i ka bërë këto vrasje. Kjo, në njëfarë mënyre, po krijon një frikë dhe pasiguri te qytetarët e Kosovës dhe po jep të kuptohet që organet kompetente, në këtë rast policia dhe KFOR-i, nuk janë në gjendje ta kryejnë si duhet punën e tyre dhe kjo vlen edhe për atë që i ka ndodhur partisë "Ora". Mirëpo, unë mendoj që vetë familja Haradinaj e dha nje shembull se si duhet te kalohen këto procese, që u bë një udhërrëfyes se çka është me rëndësi tani për tani për Kosovën që t’i arrijmë synimet tona shumë vjeçare e ajo është pavarësia e Kosovës. Mendoj, edhe përfaqësuesit e "Orës" e kanë të njëjtin mendim, se pavarësisht nga pengesat në rrugën tonë, pasi kemi pasur edhe më të rënda dhe me siguri do të kemi edhe në të ardhmen, tani jemi gati që të arrijmë dhe ta përfundojmë atë, për të cilën ka luftuar me shekuj populli i Kosovës dhe ajo është pavarësia e Kosovës.

Intervistoi Rrahman Paçarizi
XS
SM
MD
LG