Ndërlidhjet

logo-print

ÇDO GJË TJETËR PËRVEÇ PAVARËSISË - FITORE PËR MILOSHEVIÇIN


The Guardian

Kosova është duke u rikthyer me të shpejtë në agjendën ndërkombëtare dhe komuniteti ndërkombëtar ka nevojë për një vizion dhe trimëri për të garantuar mosshpërthimin e situatës. Qeveritë perëndimore kanë luajtur me letrën e quajtur “standardet para statusit”, por është Soren Jessen Petersen ai që e ka ngushtuar këtë qasje. Zoti Jessen Petersen i ka thënë the Guardian se “pas trazirave të muajit mars, qe krijuar ndjenja se procesi duhet përshpejtuar, kurse zbatimi i standardeve duhet thjeshtësuar, jo për të shpërblyer dhunën, por për të parandaluar rrezikun që mund të shpërthejë, nëse Kosova vazhdon të mbetet me status ta paqartë”. Tani, dita e vendimit është duke u afruar. Kofi Annan pritet që së shpejti të emërojë një emisar, i cili do të vlerësojë përmbushjen e standardeve dhe nëse vlerësimi është pozitiv, ashtu siç pritet të jetë, një i dërguar tjetër i Kombeve të Bashkuara do të marrë përsipër negociatat për statusin e Kosovës. Qeveritë perëndimore evropiane tashmë janë duke i ndërtuar kornizat, mbi të cilat do të zhvillohen këto negociata dhe tani për tani dihet se ato do të përjashtojnë mundësinë e ndryshimit të kufijve të jashtëm, përkatësisht bashkimin me Shqipërinë, kthimin e Kosovës nën pushtetin e Beogradit dhe ndarjen. Në kuadër të komunitetit ndërkombëtar, gjithashtu ka mospajtime mbi rolin që Beogradi duhet të ketë në këtë proces dhe mbi potencialin e mundshëm të Rusisë për të bllokuar pavarësinë e Kosovës. Në fakt, qeveritë perëndimore në Evropë favorizojnë një formë të pavarësisë, por nuk e kanë të qartë se si ta definojnë atë. Gjermania, dikur kampione e çështjes së Kosovës, tani është shndërruar në faktor që zvarrit procesin. Diplomatët gjermanë janë në favor të asaj çfarë ka propozuar për Kosovën Komisioni Ndërkombëtar për Ballkanin, një status të protektoratit të Kombeve të Bashkuara, me një qeveri të sforcuar në pushtetin egzekutiv dhe me një pavarësi pa sovranitet. Një zgjidhje e tillë do të ishte një përzierje shkatërruese dhe arrogante, e cila do t’i zemëronte kosovarët dhe me të cilën çështjet e pronësisë dhe pronës në përgjithësi do të mbeteshin të mjegulluara dhe si të tilla do të pamundësonin investimet. Për dallim prej Komisionit Ndërkombëtar, Grupi Ndërkombëtar i Krizave, favorizon pavarësinë e plotë, por me një rol të vazhdueshëm të vëzhguesve ndërkombëtarë, të gjykatësve ndërkombëtarë në gjykatat më të larta që do të shqyrtonin çështjet e ndjeshme ndëretnike, një rol të vazhdueshëm të ushtarëve ndërkombëtarë që do të trajonin ushtrinë kosovare dhe të personelit të Kombeve të Bashkuara, të cilët do të mbikqyrnin mbrojtjen e pakicave kombëtare. Kundërshtimet e Serbisë në këtë drejtim mund të jenë problematike, por vendet evropiane duhet të marrin qëndrimin që ka Britania e Madhe, qeveria e së cilës thotë se Beogradi nuk e ka të drejtën e vetos. E njëjta gjë vlen edhe për Rusinë. Nëse Vladimir Putin nuk është i gatshëm ta njohë pavarësinë e Kosovës, pjesa tjetër e botës mund ta njohë atë edhe pa miratimin e Rusisë. Sido që të jetë, vonesave u duhet dhënë fund; çdo zgjidhje tjetër që nënkupton më pak se pavarësinë, nënkupton gjithashtu fitore për Slobodan Milosheviçin.



XS
SM
MD
LG