Ndërlidhjet

logo-print

NDRYSHIMI I RREGULLORES TË AKM-SË MIRËPRITET NGA EKSPERTËT


Albana Isufi, Prishtinë

Ekspertët për çështje ekonomike kanë mirëpritur ndryshimet në rregulloren e Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit, të nënshkruar nga shefi i UNMIK-ut Soren Jessen Petersen, duke shfaqur shpresën se tashmë do të përshpejtohet procesi i privatizimit.
Kryetari i Odës Ekonomike në Kosovë Ismail Kastrati, vlerëson se rregullorja e ndryshuar eliminon pengesat që e kanë përcjellë procesin e privatizimit në vitet e fundit.
“Unë mendoj se më në fund AKM dhe UNMIK-u, normalisht edhe zyrat ligjore ne OKB, kanë kuptuar se procesi i privatizimit që ka qenë deri tani nuk ka mundur të ecë, prandaj këto janë hapa të sigurt dhe të mirë për dinamizmin e procesit të privatizimit”.
Eksperti për çështje ekonomike Ibrahim Rexhepi, thotë se me rregulloren e ndryshuar procesi i privatizimit nuk do të ndalet, madje edhe kur pronësia e ndonjë ndërmarrjeje nuk është tërësisht e qartë.
“Me ndryshimet që i ka pësuar rregullorja e AKM-së i krijohet mundësia dhe kompetenca që ajo të shesë të gjitha ndërmarrjet në Kosovë, qoftë edhe ato që kanë prejardhje shumë të paqartë, një strukturë shumë të paqartë të pronësisë. Në raste të tilla problemet mbesin në gjyq, procesi i privatizimit vazhdon, domethënë nuk ka nevojë të presë se kush është pronar apo a ka të drejtë AKM-ja ta shesë ndërmarrjen apo jo".
Ngjashëm mendon edhe Ismail Kastrati, nga Oda Ekonomike e Kosovës, i cili thotë se zyrtarët e AKM-së tani nuk kanë arsye që të zvarrisin procesin e shitjeve të ndërmarrjeve shoqërore, si pasojë e problemeve legjislative.
“Të gjitha ndërmarrjet që janë për t’u privatizuar, duhet të futen në procesin e privatizimit dhe varet se me çfarë metode do të futen me spin off special, spin off të rëndomtë apo me procesin e likuidimit. Kështu që s’ka kurrfarë dilemash edhe arsyesh që dikush të pengojë procesin e privatizimit, të ketë dilema a ka imunitet AKM-ja apo jo, etj”.
Ibrahim Rexhepi, ndërkaq druhet se mosqartësimi i zgjatjes së mandatit të AKM-së, mund të ndikojë negativisht në procesin e privatizimit, edhe pse shefi i Shtyllës së Katërt të UNMIK-ut Joachim Ruecker, tanimë ka përsëritur disa herë se për 12 muaj do t’i privatizojë 90 për qind të ndërmarrjeve që janë nën juridiksion të AKM-së.
“Mos po i krijohet AKM-së një komoditet i madh që të mos ngutet. Ajo duhet ta kryejë punën, posaçërisht te privatizimi dhe korporatizimi duhet të kryejë punën e saj sa më shpejt”,
tha Rexhepi, duke shtuar se AKM krahas privatizimit duhet të ngutet edhe me procesin e likudimit të ndërmarrjeve shoqërore.
“Ndërmarrjet, që nuk mund të shiten, që nuk i 'ha’ tregu, që nuk kanë çmim t’i likuidojë dhe të mos mbajë peng proceset që duhet të zhvillohen në ekonomi.”
Në tre vjetët e funksionimit të Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit janë privatizuar vetëm 60 ndërmarrje shoqërore nga 500 sa presin për t’iu nënshtruar këtij procesi.

XS
SM
MD
LG