Ndërlidhjet

KOIZUMI SHPREH PENDIM TË THELLË PËR TË KALUARËN LUFTARAKE TË JAPONISË


Golnaz ESFANDIARI

Kryeministri i Japonisë e ka shprehur "pendimin e thellë" për të kaluarën luftarake të vendit të tij.
Junichiro Koizumi ka kërkuar falje në samitin Azi-Afrikë që u mbajt në Indonezi.
Vërejtjet e tij u bënë pas tensioneve në rritje ndërmjet Japonisë dhe Kinës, lidhur me mizoritë e Tokios gjatë luftës. Por vërejtja e Koizumit nuk i shtoi diçka faljes që është kërkuar në të kaluarën dhe mbetet e paqartë se çfarë ndikimi do të ketë kjo mbi Pekinin.
Koizumi foli në takimin e liderëve të më shumë se 50 vendeve, përfshirë dhe presidentin kinez Hu Jintao. Kryeministri japonez tha se vendi i tij, gjatë "sundimit kolonialist dhe agresionit" u ka shkaktuar "dëme të jashtëzakonshme popujve të shumë vendeve", veçanërisht atyre të Azisë.
Ai shtoi se Japonia "i pranon këto fakte të historisë në frymën e përulësisë, me ndjenja të pendimit të thellë dhe kërkon falje nga e gjithë zemra".
Japonia ka kërkuar falje të ngjashme edhe në të shkuarën. Komentet e së premtes në Jakarta dukej se ishin drejtuar për t'i zbutur marrëdhëniet me Kinën, ku janë shtuar ndjenjat anti-japoneze. Mijëra kinezë morën pjesë në demonstrata në tre fundjavat e kaluara, duke protestuar kundër teksteve të librave shkollorë, që sipas kritikëve, i heshtin mizoritë e bëra gjatë luftës në Kinë.
Kinezët gjithashtu janë të mllefosur nga fushata e Tokios për të siguruar vendin e përhershëm në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Christopher Hood i drejton studimet japoneze në Universitetin Kardif të Britanisë. Ai thotë se aksionet e fundit të Koizumit dhe fjalimi i të premtes në një arenën ndërkombëtare, duhet të konsiderohen si tejet të rëndësishëm.
"Që kur është kryeministër, ai ka qenë një nga kryeministrat e rrallë që ka vizituar tempullin Yasukuni, i cili shihet si shumë kontraverz nga njerëzit në Kinë dhe Korenë e Jugut", thotë Hood.
Tempulli Yasukuni, i cili u bën homazhe ushtarëve të vrarë japonezë, konsiderohet shumë kontraverz sepse i nderon edhe shumë kriminelë të luftës që janë të dënuar. Shumica e njerëzve në Kinë dhe Korenë e Jugut e shohin tempullin si simbol të militarizmit dhe ultra-nacionalizmit japonez.
Kina ende nuk ka bërë ndonjë reagim zyrtar ndaj deklaratës së Koizumit. Por Pekini e dënoi ashpër vizitën që e bënë të premten në tempullin Yasukuni rreth 80 ligjvënës japonezë.
Vizita në tempull konsiderohet si ritual i stinës së pranverës. Anëtari i Partisë Liberale Demokratike në pushtet Takao Fuiji, tha se vizita kishte për qëllim nderimin e vdekurve dhe lutjen për paqen.
"Mendoj se është e natyrshme për Japoninë dhe qytetarët, që t'i nderojnë shpirtërat e atyre që vdiqën në luftë. Fatkeqësisht kjo nuk është kuptuar mirë nga vendet fqinje, si Kina dhe Koreja e Jugut. Luftë më nuk guxon të ketë. Ne duam ta ndërtojmë paqen dhe ta thellojmë miqësinë me vendet fqinje", tha Fuiji.
Hood ndërkaq thotë se gjesti i Koizumit ndoshta pas një kohe mund ta qetësojë Kinën, pavarësisht vërejtjeve që i ka për vizitën në tempullin Yasukuni.
"Shpresoj që Kina do ta shfrytëzojë këtë rast për ta filluar dialogun. Mendoj se Koizumi paraqiti një mundësi për dialog, përmes të cilit mund të zgjidhet kriza" thotë Hood.
Por Yiyi Lu, eksperte mbi Kinën nga Instituti Mbretëror Britanik për Çështje Ndërkombëtare, e shpreh bindjen se falja që kërkoi Koizumi mund t'i zbutë tensionet, por Pekini pret aksione konkrete, e jo vetëm fjalë.
"Qeveria japoneze tashmë 17 herë ka kërkuar falje për krimet e luftës. Por nga pikëpamja kineze kjo shihet kështu: Ju kërkoni falje, dhe pastaj e vizitoni tempullin ku nderohen kriminelët e luftës. Kjo nënkupton se kërkimi i faljes nuk është i sinqertë", pohon ekspertja Lu.
XS
SM
MD
LG