Ndërlidhjet

PËRKEQËSIMI I MARDHËNIEVE POZITË-OPOZITË PO DËMTON KOSOVËN PARA BISEDIMEVE PËR STATUSIN


Tensionimi i raporteve ndërmjet pozitës dhe opozitës në Kosovë dhe një diskurs i ashpërsuar politik ndërmjet tyre ka ardhur në kohën kur pritej një koncenzus për të shkuar me një platformë të përbashkët në bisedimet për statusin më vonë gjatë këtij viti. Kështu ka thënë sot për Evropën e Lirë, kryesuesi i zyrës së Grupit Ndërkombëtar të Krizave në Prishtinë, Alex Anderson, ndërkohë që analisti Ibrahim Berisha mendon se situata e këtillë është një humbje kohe për Kosovën.
"Gjatë prillit ne pamë një kulmim të tensioneve politike ndërmjet opozitës dhe partive në pushtet, pikërisht në kohën kur shoqëria kosovare dukej se e kishte kaluar testin e marsit", tha zoti Aleks Anderson, duke iu referuar dorëzimit vullnetar të kryeministrit Haradinaj në Hagë. Ai tha se tensionet ndërmjet pozitës dhe opozitës u shtuan në momentin kur pritej që qeveria dhe opozita do të mund të bashkoheshin për të ndërtuar një mekanizëm koncenzusi për platformën e negociatave për statusin e Kosovës dhe në vend të kësaj ne pamë një eskalim rapid të tensioneve dhe të shqetësimeve të sigurisë.
Zoti Ibrahim Berisha ka vlerësuar se me ashpërsimin e tensioneve ka filluar të prishet një paqe publike që është ndërtuar me vështirësi në tre vjetët e fundit dhe kjo ka ndodhur për disa arsye:
"E para është kriza e thellë politike nëpër të cilën po kalojnë të gjitha partitë politike që e kanë humbur apo nuk kanë pasur identitet, por ky aspekt i mospasjes së identitetit ka filluar të shfaqet publikisht dhe në këtë kontekst të kërkimit të identiteteve të reja politike, i platformave të reja, qoftë të qeverisjes, i atyre që janë në pushtet qoftë të opozitës", tha zoti Berisha. Ndërsa përfaqësuesi i Grupit Ndërkombëatr të Krizave, Aleks Anderson tha se zgjedhja kryesore për eskalim të situatës në të vërtetë erdhi nga PDK-ja me prezantimin e dosjes së dyshimeve në UNMIK ndaj njerëzve të kabinetit qeveritar, gjë që u shndërrua në temën kryesore të debatit publik gjatë javëve të fundit dhe më pas kjo u shndërrua në matje forcash ndërmjet LDK-së dhe partnerëve të saj qeveritar në njërën anë dhe opozitës në anën tjetër. Anderson mendon se arsyet për këtë eskalim nuk duhen kërkuar vetëm në zhvillimet e tashme:
"Dy partitë më të mëdha të shqiptarëve të Kosovës kanë një histori të gjatë animozitetesh dhe secila prej tyre e konsideron veten si ndërtuese të shtetit të ardhshëm të Kosovës", tha zoti Anderson. Sipas tij, eskalimi i tashëm nga një luftë fjalësh dhe probleme sigurie ka shkuar deri te shpërthimi në selinë e partisë "Ora" dhe një ndërhyrje e jashtëzakonshme e policisë në rezidencën e presidentit të Kosovës Ibrahim Rugova. Ai ka përmendur po ashtu edhe tensionet në mbledhjen e fundit të Kuvendit të Kosovës ndërmjet kryeparlamentarit Nexhat Daci dhe kryetarit të partisë Ora Veton Surroi, që eskaluan në shkëmbim akuzash.
Mirëpo, analisti nga Prishtina, Ibrahim Berisha thotë se esenca e tensioneve nuk qëndron në luftën për pushtet, por në përpjekjet e të dyja palëve për të mbuluar mungesën e kapaciteteve profesionale:
"Kur është fjala për partitë në pushtet kjo krizë tashmë shihet sheshit dhe paaftësia profesionale tentohet të mbulohet me qëndirme arbitrare dhe mospërfillëse ndaj opozitës e shumë herë edhe nënçmuese. Ndërkohë që opozita duke mos pasur mundësi dhe kapacitete profesionale që t'i kundërvihet në mënyrë demokratike kësaj pozite, shpesh përdor mënyra që mund të jenë të diskutueshme në këtë demokraci të Kosovës", tha Berisha.
Sidoqoftë, Aleks Anderson dhe Ibrahim Berisha pajtohen që gjendja e tashme e raporteve dhe ashpërsimi i fjalorit politik e publik mund të ndikojnë keq në zhvillimet e ardhshme rreth standardeve dhe statusit:
"Unë mendoj që kjo qeveri dhe ky mekanizëm i veprimit pozitë-opozitë, me këto indikacione të ashpërsimit të gjendjes, çdo ditë për Kosovën është humbje kohe, që do të thotë se edhe pas gjashtë vjetësh kur është dashur të jetë i zgjidhur statusi i Kosovës dhe kur ne po hyjmë në një proces të rishikimit të aftësive tona karshi ndërkombëtarëve, tërë energjia do të orientohet në qërim të brendshëm të hesapeve dhe në eskalime që mund të kenë pasoja fatale jo vetëm për Kosovën, por edhe për rajonin", tha analisti Ibrahim Berisha. Kurse zoti Aleks Anderson mendon se mungesa e vullnetit për të ndërtuar platformë të përbashkët do të jetë hendikep:
"Dështimi i partive shqiptare për ta ndërtuar së bashku një platformë të përbashkët për bisedimet rreth statusit përfundimtar në fund të këtij viti, do të hendikepojë jashtëzakonisht Kosovën kur të arrihet në këtë pikë, më vonë këtë vit", tha zoti Aleks Anderson nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave.

Rrahman Paçarizi

XS
SM
MD
LG