Ndërlidhjet

KRYEMINISTRI ISLAMI PËR VIZITË DYDITORE NË KOSOVË


Zijadin Gashi, Prishtinë

Pozita dhe opozita në Kosovë duhet të kenë si prioritet të vetin përmbushjen e standardeve dhe diskutimet për statusin gjatë këtij viti, ka thënë sot në Prishtinë, Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Kastriot Islami. Gjatë një vizite dy ditëshe që Islami po i bën Kosovës, është pritur sot në takime të ndara nga shefi i UNMIK-ut, Soren Jessen Petersen dhe kryeministri Bajram Kosumi. Aplikimi i një regjimi të ri të kalimeve ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës, u vlerësua si nga Petersen, ashtu edhe nga Islami, si një hap përpara që e bën Kosovën pjesë të rajonit, pasi siguron një efikasitet më të madh të kontrollit kufitar. Islami tha se nuk janë të sakta interpretimet e bëra për aplikimin e vizave për qytetarët shqiptarë që kalojnë në Kosovë, por përkundrazi sipas tij, kjo do t’i mundësojë Kosovës aplikimin e rregullave njësoj si edhe vendet e tjera në kuadër të Paktit të Stabilitetit:
“Nuk është regjim vizash, po disa rregullime për të menaxhuar më mirë kufirin. Që të ketë lëvizje të lirë, duhet të ketë menaxhim më të mirë edhe të kufirit, që të mos u lihet hapësirë të lëvizin në mënyrë ilegale. Kjo është në interesin e dy vendeve tona, është në interesin e imazheve të dy vendeve tona, është në interesin e imazhit të këtij kufiri, është në interesin e imazhit të gjithë rajonit”, tha ministri Islami.
Ministri shqiptar tha gjithashtu se opinioni deri tani është dezinformuar dhe në lidhje me një marrëveshje për tatimet e dyfishta ndërmjet Tiranës e Beogradit, e cila ishte interpretuar si dëshmi se Shqipëria e njeh Kosovën në kufinjtë e Unionit Serbi e Mali i Zi. Islami tha se marrëveshja e tij me Ministrin e Jashtëm serb Vuk Drashkoviq, ishte nënshkruar vetëm pasi Tirana së pari kishte nënshkruar një marrëveshje të tillë me Kosovën, duke e njohur Kosovën si entitet, e më pas ajo ishte firmosur me Unionin Serbi e Mali i Zi:
“Ajo marrëveshje cakton vetëm territorin e Serbisë e Malit të Zi pa Kosovën brenda dhe është një marrëveshje e karakterit teknik. Pra, ju duhet të kuptoni që qeveria shqiptare, e cila vlerësohet nga komuniteti ndërkombëtar maksimalisht për rolin që ka luajtur në rajon dhe mbi të gjitha rolin për sa i përket progresit në Kosovë, nuk mund ta shesë Kosovën. Ky është një gabim i rëndë i të gjithë juve si media dhe duhet ta korrigjoni në mënyrë të menjëhershme këtë gjë”, theksoi Islami.
Diplomati Islami u ka bërë thirrje mediave dhe qendrave politike në Prishtinë që të mos merren me spekulime, e as të mos bien pre e këtyre spekulimeve dhe të përqëndrohen në standarde e diskutime për statusin e Kosovës.
Ndërkohë, kryeadministratori ndërkombëtar Jessen Petersen është përqëndruar dhe në procesin aktual politik dhe diskutimet e shumta që e presin lidershipin e Kosovës, jo vetëm me bashkësinë ndërkombëtare, por edhe Beogradin. Petersen nuk e përjashtoi mundësinë e shtrirjes së bisedimeve Prishtinë – Beograd edhe në nivelin më të lartë, respektivisht të realizimit të takimit ndërmjet presidentëve Ibrahim Rugova e Boris Tadiq:
“Jemi në kërkim të gjetjes së ndonjë takimi ndërkombëtar, në të cilin të dy presidentët në çfarëdo forme do të merrnin pjesë dhe kjo do të ishte mundësi për ta që të takojnë njëri tjetrin”, tha Petersen. Sidoqoftë, Petersen tha se njëherë për njëherë nuk është caktuar as vendi e as data e mbajtjes së takimit Rugova – Tadiq.
Ndërkohë, Ministri shqiptar i Punëve të Jashtme, i vazhdon nesër takimet në Prishtinë me udhëheqës dhe përfaqësues të tjerë politikë vendorë, kurse gjatë pasdites ai përmbyll këtë vizitë në Kosovë.



XS
SM
MD
LG