Ndërlidhjet

logo-print

MINISTRAT E JASHTËM TË BE-SË PËRJASHTOJNË PËRFUNDIMISHT MUNDËSINË E NDARJES SË KOSOVËS


Augustin Palokaj, Luksemburg

Ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian kanë diskutuar sot në takimin e tyre të rregullt në Luksemburg për situatën në Ballkan e posaçërisht për Serbinë Malin e Zi dhe për Kosovën. Ministrat kanë miratuar studimin e fizibilitetit për Serbinë dhe Malin e Zi dhe kanë kërkuar nga Komisioni që të përgatitë nisjen e negociatave me këtë union shtetesh, për marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me BE-në. Në mënyrë të veçantë është përshëndetur ajo që Bashkimi Evropian e ka quajtur sjellje shumë konstruktive e Beogradit ndaj Kosovës. Diplomatët e BE-së thanë se për ata qasja e re e Beogradit rreth zhvillimeve në Kosovë është shumë inkurajuese dhe në një mënyrë edhe fryt i punës që ka bërë BE-ja së bashku me faktorët e tjerë ndërkombëtarë, për ta bindur Beogradin që të sillet në këtë mënyrë. Por tani, thonë zyrtarët e Bashkimit Evropian i duhet bërë e qartë dhe Prishtinës që të sillet në mënyrë evropiane. Nga BE-ja sot i është bërë edhe një ftesë sot presidentit të Kosovës Ibrahim Rugova, që të pranojë ftesën e Beogradit për t'u takuar me presidentin e Serbisë Boris Tadiq. Kjo porosi është përsëritur sot gjatë takimit të ministrave të BE-së ndërsa e ka përsëritur edhe komisionioneri i Bashkimit Evropian për zgjerimin Oli Rehn. "Unë i kam parë komentet e zotit Rugova edhe pas thirrjes sime që të pranojë ftesën e Beogradit për bisedime, por unë ende e inkurajoj presidentin Rugova që t'i përgjigjet pozitivisht thirrjes së zotit Tadiq, sepse dialogu, në kohën kur presim edhe nisjen e bisedimeve për status, është i nevojshëm," ka thënë Oli Rehn.
Gjatë diskutimeve për Kosovën në takimin e ministrave të jashtëm të BE-së sot në Luksemburg është shprehur shqetësim lidhur me disa zhvillime të fundit në Kosovë, të cilat kanë nxitur tensionime të reja të brendshme dhe është nënvizuar se për këtë është shumë e nevojshme që në këto momente të ketë angazhim maksimal nga të gjitha palët. Disa lëvizje inkurajuese lidhur me Kosovën i ka përshëndetur në një konferencë për gazetarët edhe Ministri i Jashtëm i Luksemburgut Jean Asselborn, si kryesues i radhës i Këshillit të Ministrave. Ai ka thënë se sidomos përshëndet faktin se të gjitha palët e përjashtojnë mundësinë e ndarjes së Kosovës. Kjo ide për ndarjen e Kosovës është e përjashtuar përfundimisht, ka thënë ai, duke shtuar se tani duhet të jetësohet procesi i decentralizimit, që është kyç për të garantuar një Kosovë multietnike.
Ndërkohë sot ministrat përmes përfundimeve të takimit kanë shprehur edhe zhgënjim për parregullsitë në zgjedhjet e fundit lokale në Maqedoni dhe u kanë bërë ftesë autoriteteve që të dënojnë përgjegjësit për këto parregullsi. Bashkimi Evropian edhe Maqedonisë, sikurse të gjitha vendeve të tjera të rajonit, ia ka bërë me dije se e konsideron zhvillimin e zgjedhjeve demokratike dhe të rregullta si kusht pa komprimis për përparim drejt integrimeve evropiane.
XS
SM
MD
LG