Ndërlidhjet

KORRUPSIONI KA DEPËRTUAR NË INSTITUCIONE


Albana Isufi, Prishtinë

Ekspertë të ekonomisë, personalitete nga fusha e mediave e ajo për të drejtat e njeriut, vlerësojnë se korrupsioni ka depërtuar në strukturat më të larta të Kosovës dhe institucionet kanë dështuar në luftën për ta penguar atë.
Parregullsitë në marrjen e tenderëve, sipas pjesëmarrësve në tryezën “Stop Korrupsionit”, shërbejnë si raste me të cilat identifikohet korrupsioni në institucione.
Eksperti për çështje ekonomike Ibrahim Rexhepi, thotë se në Kosovë është tejkaluar faza kur korrupsioni ishte i pranishëm vetëm në sportelet e komunave apo në spitale.
“Korrupsioni në Kosovë po depërton, apo ka depërtuar në strukturat e larta, kështu që rreziku dhe problemi më i madh për Kosovën do të jetë pikërisht korrupsioni në institucione”.
Por, aktivisti i të drejtave të njeriut Ibrahim Makolli, thotë se korrupsioni nuk ka depërtuar në institucione, por vetë institucionet janë ngritur mbi bazën e korrupsionit.
"A mund të luftohet korrupsioni në Kosovë me institucione të korruptuara, sepse cili është ai mekanizëm, i cili do ta luftonte? Ju i shihni edhe emërimet e niveleve të larta, të cilët do të duhej të hulumtonin apo të luftonin këto, janë njerëz që i delegon subjekti politik, apo ministria, e cila e kontrollon vetveten përbrenda.”
Kritika për korrupsion në institucione ka drejtuar edhe sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike të Kosovës, Jakup Krasniqi, parti kjo, që kohë më parë i ka dorëzuar një dosje UNMIK-ut, ku janë të përfshirë si të korruptuar disa zyrtarë të qeverisë.
“Në qeverinë, në institucionet e Kosovës nuk ka mekanizëm të kontrollit dhe derisa mungon ky mekanizëm, mundësitë për t’u shfrytëzuar dhe keqpërdorur mjetet buxhetore janë të shumta”.
Por, në anën tjetër Ibrahim Makolli, nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, thotë se korrupsioni nuk ka filluar me qeverinë aktuale, por qysh me krijimin e institucioneve të para.
“Ku ishte opozita dje, ku ishte fjala e saj dje dhe nëse ne vijmë në një përfundim se tani ka filluar(korrupsioni) atëherë a jemi të sigurt se korrupsioni është me këtë qeveri, apo është trashëguar nga ajo e kaluara. Tenderët në Kosovë i kanë fituar kryesisht ato firma që kanë qenë të afërta me subjektet politike që i kanë udhëhequr ministritë”.
Durim Hoxha nga instituti për hulumtime Zhvillimore Riinvest, konsideron se partitë politike, duke shfrytëzuar luftën ndaj korrupsionit për kundërshtimet e tyre politike, vetëm sa e nxisin atë.
“Partitë tona politike duhet ta kenë të qartë se shfrytëzimi i dukurisë së korrupsionit për qërim hesapesh mes vete, pikërisht mund të ndikojë në përhapjen e dukurisë së korrupsionit duke e ulur besimin e opinionit publik në këtë luftë”.
Qeveritarët ndërkohë kanë kërkuar që deklaratat për korrupsion në institucione të përcillen me argumente. Azem Hajdari këshilltar ligjor i kryeministrit tha:
“Qeveria ka krijuar një bazë ligjore, qeveria por edhe kryeministri, përkrah çdo denoncim që bëhet në adresë të institucioneve apo personave përgjegjës, por ky denoncim duhet të mbështetet në gjuhën e argumenteve”.
Durim Hoxha, solli fakte për praninë e korrupsionit duke u bazuar në një hulumtim të kryer në muajin shkurt me qytetarë të Kosovës.
“Perceptimet e opinionit publik dhe komunitetit të biznesit mbi përhapjen e korrupsionit dëshmojnë se kemi të bëjmë me një dukuri të përhapur, rreth 72 për qind e ndërmarrësve thonë se korrupsioni është në masë të madhe i përhapur”.
Konkluzion i përgjithshëm i tryezës ishte se sa më parë do të duhej të krijohej agjencia anti korrupsion, në të cilën do të duhej përfshiheshin ekspertë të pavarur nga politika. Po ashtu është kërkuar nga organet gjyqësore që ta kryejnë punën e tyre më me efikasitet, pasi siç thanë të pranishmit për shkak të heshtjes së tyre, dukuria e korrupsionit ka marrë hov edhe më të madh.

XS
SM
MD
LG