Ndërlidhjet

SVILLANIVOQ: POLITIKANËT NË SERBI E DINË ÇFARË PO NDODH RRETH KOSOVËS


Për dallim nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave, i cili propozoi njohjen e menjëhershme të pavarësisë së Kosovës, ne mendojmë se zgjidhja nuk duhet imponuar, por duhet filluar me procesin e negociatave, thotë Goran Svillanoviq lidhur me raportin e Komisionit Ndërkombëtar për Ballkanin.
"Faza e ardhshme është ajo në të cilën Serbia duhet të pranojë se Kosova në një moment do të jetë e pavarur dhe prandaj duhet të hyjë në dialog me Kosovën, por edhe me Bashkimin Evropian, ndërsa BE-ja duhet të marrë përsipër disa obligime të caktuara në Kosovë," thotë ai.
Sipas Svillanoviqit, në fazën e tretë Bashkimi Evropian duhet të fillojë procesin e negociatave të Asociim-Stabilizimit me Kosovën, pavarësisht se ajo ende nuk është shtet.
"Kosova nuk është e pavarur, nuk është anëtare e Kombeve të Bashkuara, por megjithatë Bashkimi Evropian pranon të bisedojë për anëtarësimin e Kosovës. Ne gjithashtu rekomandojmë që NATO-ja tërë kohën të mbetet e pranishme në Kosovë," thotë Svillanoviq.
"Në fazën e katërt, Kosova bëhet anëtare e Bashkimit Evropian dhe vetëm atëherë eventualisht e fiton sovranitetin e plotë dhe anëtarësohet në Kombet e Bashkuara", thotë Svillanoviq, duke shtuar se kjo mund të ndodhë në vitet 2014 apo 2015.
Svillanoviq thotë se askush nuk merret me Kosovën, edhe pse sipas tij, të gjithë e dinë se ky proces i lartpërmendur do të ndodhë.
Lidhur me reagimet e shumta që u paraqitën në opinionin politik të Serbisë, pas nënshkrimit që vuri në propozimin e Komisionit Ndërkombëtar për Ballkanin, Svillanoviq thotë se kritikët duhet t'i përdorin argumentet e jo emocionet.
"Mos mendoni se njerëzit nga partitë kryesore, qofshin në pushtet apo opozitë, nuk e dinë se ç'po ndodh. Ata e dinë, por është çështje tjetër se çfarë ju thonë votuesve", pohon ish ministri i jashtëm serbomalazez, duke shtuar se megjithatë në opinion ka edhe mendime të tjera.
"Tash edhe në opinionin tonë, ka gjithnjë e më shumë njerëz që në mënyrë racionale dhe me qetësi diskutojnë për Kosovën, e cila nuk duhet të jetë vetëm çështje dominante e fushatave zgjedhore," pohon Goran Svillanoviq.
Ish shefi i diplomacisë së Beogradit, megjithatë thotë se nuk e kupton përse shumica në Serbi, aktualisht nuk janë të gatshëm për bisedime serioze lidhur me Kosovën.
XS
SM
MD
LG