Ndërlidhjet

logo-print

HIDHET IDEJA PËR PLATFORMË TË PËRBASHKËT PËR KOSOVËN


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Zyrtarë të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare në Kosovë kanë thënë se është me rëndësi arritja e konsenzusit të gjerë ndërmjet pozitës dhe opozitës, si dhe liderëve kryesorë politikë për çështje të rëndësishme, siç është statusi i Kosovës. Ndërkohë që po afrohet vlerësimi përfundimtar i standardeve, i cili do të mund të çojë drejt përcaktimit të statusit përfundimtar, drejtuesit e institucioneve e kanë ngritur edhe idenë e krijimit të një mekanizimi për të ndërtuar një platformë të përbashkët për statusin. Kryeministri Kosumi tha se kjo është me rëndësi vitale:
"Unë do të punoj për të gjetur një mekanizëm që do të funksionojë për të unifikuar qëndrimet e grupeve politike në Kosovë, rreth statusit final të Kosovës. Nuk mendoj se do të jetë mbipartiak – ne kemi institucionet e Kosovës, por bashkë me institucionet do të formojmë një mekanizëm, ku do të jenë të përfshirë liderët kryesorë të opozitës dhe vendimet do të merren pastaj bashkërisht," tha kryeministri i Kosovës Bajram Kosumi, ndërkohë që zyrtarët e UNMIK-ut thanë se nuk janë në dijeni për ndonjë iniciativë të UNMIK-ut, apo kryeadministratorit Soren Jessen Petersen, për të ndërtuar një mekanizëm apo platformë të përbashkët të Kosovës, për diskutimet lidhur me statusin përfundimtar. Mirëpo, zëdhënësja e UNMIK-ut Marcia Poole tha se zoti Petersen ka nxitur vazhdimisht liderët për konsenzus lidhur me çështje të rëndësishme, siç është statusi:
"Ai inkurajon qeverinë dhe opozitën dhe të gjithë udhëheqësit kryesorë politikë të Kosovës, që të punojnë së bashku për të arritur një konsenzus të gjerë për çështjet më të rëndësishme për Kosovën, përfshirë, decentralizimin, dialogun dhe përgatitjet për bisedimet lidhur me statusin," tha zëdhënësja Poole.
Rëndësinë e njësimit të qëndrimeve lidhur me çështjen e statusit, e ka theksuar posaçërisht kryeministri Bajram Kosumi:
"Unifikimi i qëndrimeve të partive në pozitë dhe atyre në opozitë dhe bashkëpunimi i tyre si një trup i vetëm në çështjen e statusit përfundimtar të Kosovës, mendoj se është thelbi i çështjes, që prek interesin e të gjithëve. Aty duhet të jemi bashkërisht të gjithë dhe të gjejmë gjuhë të përbashkët. Unë ende nuk kam një ide të qartë se si do të funksionojë, por mendoj se idenë mund ta gjejmë, nëse ekziston vullneti politik i të gjithëve për ta bërë këtë".
Në të vërtetë, zoti Kosumi tha se ka biseduar edhe lidhur me këtë çështje në takimet me liderët e partive të ndryshme politike të Kosovës, përfshirë edhe opozitën, ndërkohë që në mesin e muajit të kaluar presidenti Rugova, pas takimit me liderët opozitarë Hashim Thaçi e Veton Surroi, pati deklaruar se parimisht është pajtuar me bashkëbiseduesit e tij për rëndësinë e konsenzusit për çështje të rëndësisë së veçantë për Kosovën.

XS
SM
MD
LG