Ndërlidhjet

HAPEN OFERTAT PËR PRIVATIZIMIN E FERRONIKELIT


Albana Isufi, Prishtinë

Sot janë hapur ofertat për shitjen e njërës prej ndërmarrjeve më të mëdha shoqërore në Kosovë për prodhimin e hekurit dhe nikelit, Ferronikelit. Kjo ndërmarrje, sipas zëdhënëses së Shtyllës së Katërt të UNMIK-ut Mechtilde Henneke, do të privatizohet me procedurën e veçantë të quajtur spin-off.
“Sot ishte dita e parë e hapjes së ofertave për Ferronikelin dhe kishte oferta deri në 27 milionë euro. Hera e dytë do të jetë më 11 maj dhe ofruesit e sotëm mund të ofrojnë sërish, dhe mund të rritet edhe më tepër vlera e ndërmarrjes," tha zëdhënësja e Shtyllës së Katërt Mechtilde Henneke.
Privatizimi i Ferronikelit, është zvarritur për shkak të mungesës së një kornize ligjore, sipas së cilës pronarët e ndërmarrjes, përveç- fabrikës, do të mund t’i shfrytëzonin edhe tre minierat e saj.
Komisioni i Pavarur i Minierave dhe Mineraleve ka fuqi ligjore që të lëshojë licenca për shfrytëzimin e minierave. Por, ky komision nuk është kompletuar ende me anëtarët e tij.
Shefi i UNMIK-ut Soren Jessen Petersen, ka nënshkruar dje një vendim ekzekutiv, më të cilin ka emëruar për një periudhë tremujore, tre anëtarë ndërkombëtarë të Bordit Drejtues të këtij komisioni, ndërsa kryesues të bordit ka emëruar Nikolai Burchamin. Zëdhënësja e misionit të Bashkimit Evropian në Kosovë Mechtilde Henneke, thotë se me këtë vendim sigurohet veprimi dhe funksionimi i industrisë së minierave.
“Për shkak të mungesës së institucioneve me mandat dhe të një kornize ligjore gjithëpërfshirëse, asnjë licencë për minierat nuk është lëshuar, as zgjatur që nga 30 prilli i vitit 2003. Kjo situatë ka ndikuar negativisht në zhvillimin e sektorit të minierave”, thotë Henneke.
Por, bordi i Komisionit nuk është kompletuar me anëtarët vendës. Kuvendi i Kosovës nuk i ka miratuar ende të propozuarit e qeverisë së Kosovës për anëtarë të këtij bordi. Kryesuesi i Komisionit parlamentar për Tregti dhe Industri Bajrush Xhemalji, thotë se kandidatët janë refuzuar për shkak të mungesës së kualifikimeve përkatëse.
“Emërimi i këtyre dy kandidatëve në këtë bord është dashur të bëhet para dy seancave, por është tërhequr pa arsyetim nga Kuvendi. Kjo ndodhi mesa duket, për shkak se propozimet për Komisionin për Energjetikë nuk kaluan, pasi një nga kandidatët s’ishte në profesionin përkatës. Atëherë u tërhoqën edhe propozimet për Komisionin(për Miniera dhe Minerale), sepse ishte i njëjti problem, nuk ishin të profesionit të xehetarisë.”
Ndërkohë, sipas zëdhënëses Henneke, 21 prilli ka qenë afati i fundit për t’u kompletuar bordi.
“Shefi i UNMIK-ut gjykon se është urgjente funksionalizimi i bordit, për shkak se sot janë hapur ofertat për privatizimin e Ferronikelit dhe se ofertuesit duhet të sigurohen se atyre do t’u lëshohen licencat për të punuar”, thotë Henneke.
Ndërkohë, Bajrush Xhemajli dyshon se edhe propozimet tjera të qeverisë për anëtarë të Komisionit të Pavarur të Minierave dhe Mineraleve do të hidhen poshtë në seancën e radhës së Kuvendit të Kosovës.
“Nga sa kam dëgjuar unë, është bërë një propozim i ri, është propozuar një metalurg, kurse teknologu ka mbetur që për mua është e kontestueshme, pasi nuk do të punojnë në profesionin e tyre”
Vendimi ekzekutiv i shefit të UNMIK-ut për emërimin e Bordit të Komisionit të pavarur të Minierave dhe Mineraleve saktëson se emërimet fillestare të përkohshme mund të përtëriten.

XS
SM
MD
LG