Ndërlidhjet

M. SADIKU: NË KOSOVË DUHET TË AKTIVIZOHEN STRUKTURAT PRODHUESE


Nadie Ahmeti, Prishtinë

Prej 50 mijë ndërmarrjeve të regjistruara në Kosovë, 20 mijë merren me tregti. Në mungesë të riaktivizimit të strukturave prodhuese, ekspertët thonë se tregtia si degë ekonomike, vazhdon të jetë sektori më i preferuar për biznesmenët kosovarë. Muhamet Sadiku, ekspert i çështjeve ekonomike, thotë se kjo ndodh për faktin se tregtia është profesion më i lehtë për t’u menaxhuar, kërkon numër më të vogël të punëtorëve dhe më pak kapital investues. Ai gjithashtu thotë se ndërtimi i strukturave prodhuese në Kosovë është proces shumë i vështirë dhe kjo është e kushtëzuar nga një numër i madh faktorësh.
“Kosova në vitin 1999 i ka hapur dyert e liberalizmit tregtar. Kosova, për ndryshim nga vendet tjera të rajonit ka filluar liberalizimin, hapjen e tregut, në rrethana të mos ekzistimit të strukturave prodhuese dhe të gjitha iniciativat për hapjen e bizneseve prodhuese kanë qenë të përballura më një konkurrencë të fortë ndërkombëtare. Prandaj dhe në këtë garë gjithnjë ka fituar konkurrenca ndërkombëtare”, tha zoti Sadiku.
Sadiku pohon se një nga çështjet më problematike me të cilat po ballafaqohet tregtia, është edhe mungesa e konkurrencës së drejtë.
“Tregtia mban fatin e njëjtë me bizneset e tjera, mirëpo kam parasysh se bizneset e tjera prodhuese janë të ekspozuara në një intensitet më të madh të pengesave. Rezultat nga anketimet tregojnë se edhe te tregtia, si barrierë paraqitet konkurrenca jo fer, veprimet anësore gjatë importit, paraqitet korrupsioni si një faktor tejet ndikues, pastaj taksat e larta, procedurat e ndryshe administrative dhe problemet që kanë të bëjnë më qasjen e bizneseve në financim.”
Sipas zotit Sadiku, problem tjetër më të cilin përballen tregtarët kosovarë, është edhe mungesa e prodhimeve vendore në treg dhe kjo ka bërë që Kosova faktikisht të jetë një fuqi tregtare në rajon, nga aspekti i importit. "Kosova në vitin e kaluar ka importuar rreth një miliard euro dhe nga ky aspekt është një fuqi rajonale. Në anën tjetër eksporti i Kosovës nuk arrin më tepër se 40 milion euro në vit.”
E vetmja rrugëdalje nga kjo situatë, thotë Muhamet Sadiku, është dinamizmi i procesit të privatizimit, inkurajimi i investitorëve të huaj dhe natyrisht rritja e aftësisë konkurruese tek prodhuesit kosovarë.
XS
SM
MD
LG