Ndërlidhjet

KUSHTETUTA E BE-SË PËRBALLET ME VËSHTIRËSI NË FRANCË DHE HOLANDË


Breffni O'ROURKE

Kushtetuta e re e Bashkimit Evropian përballet me vështirësi aty ku nuk pritej.
Anketimet tregojnë se shumica e votuesve në Francë kanë ndërmend ta refuzojnë kushtetutën në referendumin e 29 majit.
Refuzimi nga Franca, themeluese dhe shtyllë kryesore e BE-së, me siguri do ta fundoste kushtetutën dhe do t'i vinte në dyshime integrimet e mëtejme evropiane.
Por edhe në Holandë duket sikur ekziston prirja që kushtetutës t'i thuhet 'jo'.
Shtrohet pyetja se çfarë nuk ka shkuar si duhet?
Thonë se telashet vijnë kur më së paku priten. Ky me siguri është rasti me ratifikimin e kushtetutës së re të Bashkimit Evropian, e cila duket sikur po përballet me një refuzim të papritur nga votuesit francezë në referendumin e 29 majit.
Me javë të tëra, anketimet e opinionit tregojnë se shumica e votuesve francezë kanë ndërmend t'i thonë 'jo' kushtetutës. Anketimi i fundit sugjeroi se numri i kundërshtarëve të kushtetutës bie, por ende është i lartë.
Edhe një vend tjetër i Bashkimit Evropian, Holanda, duket sikur po lëkundet. Edhe atje anketimi i fundit tregoi se kushtetuta ka shumë kundërshtarë. Shtrohet pyetja, se çfarë po ndodh me këtë projekt evropian?
Analisti Philippe Moreau de Farge, nga Instituti për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Paris, thotë se shumë francezë e shohin filozofinë liberale ekonomike të shkruar në kushtetutë, si promovim të globalizimit. Ky është një sistem i lirë i tregut, i cili shihet sikur do t'i shkurtojë rrogat dhe do t'i japë përfitime botës së zhvilluar.
"Ka një konfuzion, një krahasim mes BE-së dhe globalizimit, nisur nga fakti që gjendja ekonomike dhe sociale në Francë tani është e vështirë. Si pasojë e kësaj, Evropa shihet si forcë tërheqëse e globalizimit", thotë Moreau.
Ai thotë se opinioni francez ka shumë arsye për t'u brengosur rreth kushtetutës, njëra nga të cilat është përpjekja e Turqisë për t'u bërë anëtare e Bashkimit Evropian. Kjo nuk është shumë popullore në Francë, ku shumica besojnë se Turqia është tepër e madhe dhe ka dallime kulturore tepër të mëdha për t'iu bashkangjitur Evropës.
"Votimi kundër mund të shpjegohet në shumë mënyra dhe për arsye të ndryshme. Sigurisht që Turqia është njëra prej tyre. Disa francezë duket sikur janë të bindur se me kushtetutën, Turqia mund t'i bashkangjitet unionit pa kurrfarë kushtesh paraprake, gjë që është e gabuar", thotë Moreau.
Gjithashtu thuhet se francezët përpiqen ta ndëshkojnë qeverinë e kryeministrit Jean-Pierre Raffarin, për ngecjen ekonomike të vendit, për heqjen e 35 orëve të punës në javë, si dhe për problemin e vazhdueshëm të migracionit.
Politikanët nga mbarë Evropa u bëjnë thirrje francezëve të mos e hedhin poshtë kushtetutën, e cila synon t'i përcaktojë procedurat e BE-së për të shmangur paralizimin e bllokut 25 anëtarësh.
Komisioneri i BE-së për Tregti Peter Mendelson, tha së fundi se refuzimi i kushtetutës nuk do të thotë se unioni do të shpërbëhet, por ai mund të "përballet me një lloj kaosi". Paralajmërim të ngjashëm lëshoi edhe Ministri i Jashtëm i Francës, Michel Barnier.
"Çdo vend që do ta refuzonte kushtetutën e Bashkimit Evropian, do ta dobësonte veten dhe do ta izolonte nga të tjerët. Kjo mund të ishte shumë më keq për një vend si Franca", tha Barnier.
Analisti Moreau de Farge megjithatë është optimist.
"Francezët mund të jenë të çmendur, por mund të jenë edhe të arsyeshëm. Ende asgjë nuk është vendosur", thotë Moreau.
Rast i ngjashëm me Francën është Holanda. Edhe ky vend themelues dhe mbështetës entuziast i Bashkimit Evropian, mund të kalojë nëpër periudhën e pasigurisë. Disa anketime tregojnë se edhe atje, kundërshtarët e kushtetutës prijnë.
XS
SM
MD
LG