Ndërlidhjet

logo-print

BROVINA: ÇËSHTJA E TË ZHDUKURVE NUK MUND TË JETË ÇËSHTJE TEKNIKE E BISEDIMEVE


Flora Brovina, Deputete e PDK-së në Kuvendin e Kosovës

RADIO EVROPA E LIRË
Grupi parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës ka lëshuar seancën e fundit të Kuvendit. Cilat janë arsyet e bojkotimit të seancës dhe pakënaqësive të shprehura në lidhje me punën në Kuvend?

FLORA BROVINA
Sa i përket lëshimit, unë mendoj se nuk është metoda më e mirë, por ndonjëherë është e domosdoshme për ta shprehur revoltën tonë. Më parë ne kishim kërkuar që disa çështje, në rend të parë çështja e decentralizimit të vihet në renditje. Kishte mjaft kohë kryesia dhe kryeparlamentari që kishin marrë kërkesën me 34 apo 32 nënshkrime, mos gaboj tek numri dhe nuk e kishte vënë këtë çështje në rend dite. Ju po e vini re se mbledhjet e Kuvendit janë aq të rralla, sa as nuk janë dhe llogjike. Një herë në muaj. Ne jemi në një proces të ngutshëm, jo vetëm të nxjerrjes së legjislacionit, por edhe të shqyrtimit të shumë çështjeve të rëndësishme politike për Kosovën dhe ato nuk po vihen në debate, të cilat duhet të ishin të zakonshme në parlament. Parlamenti në radhë të parë shqyrton çështje të rëndësishme politike pastaj edhe legjislative. Ne asnjëherë nuk kemi debatuar për decentralizimin, nuk kemi debatuar as për çështjet thelbësore rreth bisedimeve qofshin ato teknike apo joteknike dhe shumë çështje të tjera që nuk u vunë në rend dite ashtu si duhet dhe patëm mjaft motive ta lëshojmë seancën e Kuvendit, si një mënyrë e domosdoshme, por siç thashë jo edhe shumë e pëlqyeshme.

RADIO EVROPA E LIRË
Cili konsideroni se duhet të jetë roli i parlamentit në çështjen e decentralizimit?

FLORA BROVINA
Parlamenti ka obligim themelor që të debatojë për këtë çështje. Që deputetët ta shprehin mendimin e vet, qofshin ata të pozitës, qofshin ata të opozitës, qofshin edhe nga minoritetet. Duhet ta kuptojmë mirëfilli çfarë ishte ideja themelore në qeverinë e parë të Bajram Rexhepit, çfarë ishte decentralizimi dhe çfarë është ajo që po flitet tani. Të formosh komuna të reja ka implikime në buxhetin e Kosovës dhe a kemi ne mundësi, në rend të parë a kemi nevojë të themelojmë komuna të reja? Decentralizimi është një proces nëpër të cilin kaluan dhe po kalojnë edhe shtetet demokratike, tanimë anëtare të bashkësisë evropiane dhe ne si të tillë e pranojmë. Por jo decentralizimin për hatër të një komuniteti apo tjetri dhe jo decetralizimin, i cili do ta thithte buxhetin e Kosovës, buxhet i cili nuk ka mundësi as të mbulojë përkujdesjen për familjet e dëshmorëve, për pensionistët, etj etj. Prandaj një plan i tillë, për të cilin po flet edhe vetë Ministri i Pushtetit Lokal, në debatet e brendshme që i kemi patur, është i paperceptueshëm. Pse kjo mos thuhet edhe në parlament?

RADIO EVROPA E LIRË
Në fund të muajit maj është paralajmëruar vlerësimi i standardeve. Ju keni marrë pjesë në njërin prej standardeve, domethënë keni qenë pjesëmarrëse aktive e çështjes që i takon personave të zhdukur. Sa konsideroni se është arritur përparim në këto bisedime ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit?

FLORA BROVINA
Sa më përket mua, unë kam qenë mjaft publike dhe jam shprehur se çështja e personave të rrëmbyer e të zhdukur gjatë luftës, nuk mund të jetë çështje teknike e bisedimeve dhe qeveria jonë, qoftë kjo, qoftë ajo, cilado, ka hyrë gabimisht në bisedime me Serbinë për personat e zhdukur. Kjo çështje kaq humanitare nuk mund të jetë kurrë jashtë politikës. Ajo është humanitare, por është shumë politike, sepse ka të bëjë me çështjen e gjenocidit ndaj popullit të Kosovës. Kësaj çështjeje i duhet qasur në ekip të relaksuar për çështjen, të qaset nga thelbi dhe me ekip profesionistësh. Këtë qeveria jonë nuk ka qenë e përgatitur në asnjë fazë që t'i qaset kështu problemit, prandaj dhe unë kam qenë mjaft kritike. Nuk bën të gabojmë në pikën më të ndjeshme dhe pastaj të mbetemi me të dyja këmbët aty. Bashkësia ndërkombëtare gjithashtu është dashur që fillimisht të bëjë presion më të madh tek qeveria e Beogradit e pastaj të fillojnë bisedimet. Ndoshta të dy palët do të zbardhnin fatin e tyre. Thashë për këtë çështje duhet të ishim më të përgatitur dhe më konkretë.

RADIO EVROPA E LIRË
Tek komuniteti ndërkombëtar përmendet vazhdimisht se vjeshta e këtij viti mund të jetë koha kur do të fillojnë dhe diskutimet në lidhje me statusin e Kosovës. Cili konsideroni se do të jetë roli i Partisë Demokratike në këto bisedime, duke patur parasysh se kjo është partia më e madhe opozitare në Kosovë?

FLORA BROVINA
Ne e kemi kuptuar rolin tonë më së miri dhe ju kujtoj se gjatë të gjitha periudhave, edhe para se të formohemi, e kemi luajtur rolin tonë në përshpejtimin e proceseve drejt pavarësisë së Kosovës, sepse nuk është njëlloj rruga drejt pavarësisë; a është e ngadalshme, a është më e shpejtë, a është më e sigurtë, apo më pak e sigurtë, është më e besueshme apo më pak e besueshme, domethënë ata që e përfaqësojnë Kosovën a janë të besueshëm apo më pak të besueshëm. Unë kujtoj se përfaqësoj si opozitë krahun më të besueshëm për pavarësinë e Kosovës, ndërsa rolin e opozitës nuk e zgjodhëm vetë. Atë na e dhanë zgjedhësit. Ndoshta na dënuan, ndoshta na caktuan një detyrë më të rëndë sesa e kishim gjatë luftës. Pra të mbajmë barrën e opozitës, që është një rol shumë i rëndësishëm, sepse ajo mbikqyr mbi proceset me qëllimin thelbësor që t'i përmirësojë aty ku nuk shkojnë mirë.

Intervistoi Zijadin Gashi


XS
SM
MD
LG