Ndërlidhjet

logo-print

TRAFIKIMI I FËMIJËVE KOSOVARË KA SHËNUAR RRITJE


Nadie Ahmeti, Prishtinë

Autoritetet në Kosovë thonë se numri i fëmijëve kosovarë që trafikohen brenda kufijve të Kosovës është gjithnjë e në rritje, ndërkaq numri i viktimave të identifikuara që vijnë nga jashtë tashmë ka shënuar rënie. Arbena Kuriu, nga Fondi Ndërkombëtar i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët, UNICEF, thotë se është vështirë të ofrohen të dhëna të sakta për faktin se shumica e fëmijëve të trafikuar mbeten të paidentifikuar. Ajo që dihet është se që prej vitit 1999 e deri më tani, 101 fëmijë janë ndihmuar nga organizata të ndryshme që merren me mbrojtjen e fëmijëve pas trafikimit të tyre.
“Egziston brenga se mënyra se si po trafikohen vajzat dhe fëmijët po ndryshon dhe krimi i organizuar po reagon ndaj mënyrës se si po punohet në aspektin e zbulimit në aspektin e trafikimit, kështu që egziston brenga se ka raste, po këto mbeten të pa identifikuara”, tha zonja Kuriu.
Zonja Kuriu, tha se mosha e fëmijëve të trafikuar është prej 13 deri në 18 vjeç. Në të shumtën e rasteve viktimat janë të gjinisë femërore dhe ato shfrytëzohen kryesisht për qëllime seksuale.
“Numri i viktimave të identifikuara që kanë qenë të trafikuara, kanë qenë të shfrytëzuara për shfrytëzimin seksual. Në këtë aspekt numri dërrmues është femra. Ka pasur raste shumë të vogla që nuk janë indikative, flitet për një numër shumë të vogël të meshkujve të trafikuar, mirëpo edhe këto kanë qenë raste të trafikimit për arsye seksuale," tha Kuriu.
Viktimat e gjinisë mashkullore, djemtë nën moshën 13 vjeçare, trafikohen edhe për qëllime përfitimesh materiale, duke u shfrytëzuar si lypës, pastrues veturash apo shitës. Zonja Kuriu pohon se një rol më aktiv në identifikimin e rasteve të këtilla duhet të luajë edhe Shërbimi Policor i Kosovës, i cili, sipas saj, është duke u marrë shumë pak me këtë çështje.
“Lokalet në të cilat zhvillohet prostitucioni, trajtohen si lokale ku shkaktohen dëme ndaj shëndetit, moralit, zhvillimit të fëmijëve dhe policia duhet të luaj rol shumë më aktiv aty, pasi ka pretekst se këto lokale mund të mbyllen, ose fëmijët të tërhiqen, nëse identifikohen se janë nën moshën 18 vjeçe dhe munden shumë lehtë të tërhiqen nga ky vend ku zhvillohet prostitucioni,” tha Kuriu.
Mirëpo, Refki Morina, zëdhënës në Shërbimin Policor të Kosovës, tha se në këtë shërbim egziston një njësit i posaçëm që merret më këtë çështje. Për dallim nga zonja Kuriu, sipas kolonelit Morina, trafikimi në përgjithësi ka shënuar rënie.
“Ne kemi pasur disa raste në disa rajone, por krahasuar me trafikimet në shtetet e tjera, raportet policore të gadishullit Ballkanik dhe të Evropës, ka një rënie të kësaj, edhe pse nuk duhet të jemi të kënaqur edhe si polici edhe si organizata qeveritare dhe joqeveritare,” tha Morina.
Por, janë pikërisht organizatat joqeveritare, qofshin ato vendore apo ndërkombëtare, që tërheqin vërejtjen për forcimin e mekanizmave që do të merrnin në mbrojtje viktimat potenciale të trafikimit, veçanërisht nëse dihet se fëmijët e trafikuar kryesisht vijnë nga familjet me gjendje të rëndë sociale dhe me nivel të ulët të arsimimit.
XS
SM
MD
LG