Ndërlidhjet

ROSSIN: JO VIZA, POR KONTROLL I HYRJE-DALJEVE NË KOSOVË


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Rregullorja e UNMIK-ut 2004/16 për rregullimin e hyrjes dhe daljes në Kosovë nuk është vënie e regjimit të vizave, por një mënyrë e kontrollimit të njerëzve që hyjnë në Kosovë dalin prej saj, ka thënë sot zëvendësshefi i UNMIK-ut Larry Rossin. Ai i ka bërë këto komente në një konferencë të veçantë, për të shpjeguar se Kosova dhe UNMIK-u nuk e kanë ndërmend të vënë regjim vizash me asnjërin nga vendet, as të rajonit dhe as të botës dhe ka sqaruar se askush nuk do të kërkojë nga qytetarët e huaj që hyjnë në Kosovë që të paguajnë ndonjë taksë hyrjeje.
"Nuk do të ketë aplikim të regjimit të vizave sipas kësaj rregulloreje, prandaj unë e ftoj secilin që ta kërkojë fjalën viza në këtë rregullore, por askush nuk do të mund ta gjejë," tha zëvendëssshefi i UNMIK-ut Larry Rossin, që shoqërohej nga këshilltari ligjor i UNMIK-ut, Alexander Borg Olivier. Duke shpjeguar arsyet për nxjerrjen e kësaj rregulloreje, zoti Rossin tha se me këtë kontrollohet hyrja dhe dalja e të huajve në Kosovë, pasi sipas tij ka pasur raste kur njerëz të caktuar kanë ardhur në Kosovë për të kryer vepra kriminale dhe akte terroriste, apo vepra të definuara të jenë në kundërshtim me rezolutën 1244:
"Kjo rregullore do ta krijojë baza të qarta për policinë që personave të tillë t’ua ndalojë hyrjen në Kosovë dhe ky është një nga motivet e rregullores, por qëllimi i përgjithshëm është krijimi i baza ligjore për hyrjen e njerëzve në Kosovë dhe daljen nga ajo, që duhet ta ketë secili legjislacion," tha njeriu numër dy i UNMIK-ut Larry Rossin. Ai ka bërë këto sqarime pas shqetësimeve që janë bërë nga qytetarët dhe zyrtarët e Shqipërisë dhe ata Maqedonisë, ndërkohë që zyrtartë maqedonas kanë paralajmëruar dje masa reciproke për aplikim vizash ndaj qytetarëve të Kosovës.
"Qeveria e Maqedonisë me sa di unë nuk do të aplikojë viza për qytetarët e Kosovës, edhe pse ka pasur një deklaratë të kryetarit të Maqedonisë se ndoshta Maqedonia duhet ta bëjë një gjë të tillë," tha Rossin, duke e parë këtë si pasojë të mosinformimit lidhur me kushtet e kësaj rregulloreje dhe keqinterpretimit që i është bërë asaj.
Duke shpjeguar ndërkaq procedurat që kërkohen sipas kësaj rregulloreje, zoti Rossin shpjegoi se personi, të cilit i nevojitet autorizimi për të hyrë në Kosovë duhet të bëjë kërkesë për këtë dhe kërkesa nuk do të thotë domosdoshmërisht të mbushet ndonjë formular, pasi mund të jetë kërkesë gojore. Mirëpo, tha Rossin, ky detaj ende nuk është precizuar. Prandaj, UNMIK-u ka vendosur që hyrja në fuqi e aplikimit të rregullores të shtyhet për dy muaj, që do të thotë deri më 1 korrik dhe kjo kohë do të shfrytëzohet për rregulluar procedurat e aplikimit dhe për informimin e personelit kufitar, shteteve fqinje dhe qytetarëve, lidhur me kushtet që kërkon kjo rregullore. Zëvendësshefi i UNMIK-ut, Rossin tha se autorizimi për të hyrë në Kosovë nuk do t’u nevojitet personave që nuk janë qytetarë të Kosovës, por kanë pasaporta apo dokumenta identifikimi të Serbisë dhe Malit të Zi, ndërkohë që janë paraparë masa për udhëtarët që Kosovën e shfytëzojnë si tranzit për në Serbi:
"Brengë e shumë udhëtarëve është që të mos u vihet vula e policisë kufitare UNMIK-ut në pasaportat e tyre, pasi nëse duan të shkojnë në Serbi, kjo nuk u pëlqen autoriteteve të atjeshme dhe nuk do t’ua lejojnë hyrjen në Serbi," tha zoti Larry Rosin, duke shpjeguar se këtyre personave vula e UNMIK-ut do t’u vihet në ndonjë letër tjetër dhe jo në pasaportë, ashtu siç bëhet me kalimin nëpër Afrikën e Jugut, për shkak të raporteve me shtetet e tjera afrikane, apo me Izraelin, për shkak të vendeve arabe.
Sidoqoftë, zëvendësshefi i UNMIK-ut Larry Rossin, tha se e rëndësishmja është që për hyrjen në Kosovë askujt nuk i kërkohet vizë apo pagesë e ndonjë takse, ndërsa rregullorja do të hyjë në fuqi më 1 korrik
XS
SM
MD
LG