Ndërlidhjet

RUSI: POLITIKANËT DHE DEMOGRAFËT I BIEN ZILEVE TË ALARMIT PËR TKURRJEN E POPULLSISË


Clair Bigg

Popullsia ruse po paguan pasojat e destabilitetit ekonomik, standarteve të ulta të jetesës dhe problemeve me shëndetësinë. Ministri i Zhvillimit Rajonal në Rusi, Vladimir Yakovlev deklaroi javën e kaluar se vendi ka humbur 1.7 milionë banorë vetëm 2 vitet e fundit. Në Rusi tani jetojnë rreth 145 milionë banorë, por në rast se vazhdon pakësimi i popullsisë me të njëjtat ritme, atëherë Yakovlev paralajmëron se Rusia në 50 vjet do të humbë një të tretën e njerëzve të saj. Nikita Mkrtchian, një ekspert i demografisë në Institutin e Parashikimeve Ekonomike në Akademinë e Shkencave, deklaron se popullsia e Rusisë po bie me ritme të frikshme. Sipas demografit kjo do të sjellë pasoja në ekonomi:
"Sipas përllogaritjeve tona, në rast se nuk ka ndonjë dyndje migracioni në Rusi, atëherë rreth vitit 2015 popullsia e aftë për punë do të bjerë me 1.5 milionë persona në vit. Kjo është një shifër tepër e rëndësishme dhe do të kthehet në pengesë për rritjen ekonomike", sqaron Mkrtchian.
Rusia ka një mesatare lindjesh me 1.3 fëmijë për çdo grua, shifër kjo e pamjaftueshme për të ruajtur nivelin aktual të popullsisë. Gjithashtu ky vend shënon përqindjen më të lartë të vdekshmërisë te të porsalindurit, në krahasim me të gjitha vendet e industrializuara të botës. Përafërsisht burrat rusë vdesin në moshën 60-vjeçare, ndërsa gratë jetojnë deri 73 vjeç. Kjo jetëgjatësi është e ulët në rast se marrim si shembull Francën, ku burrat jetojnë deri 75 vjeç, ndërsa gratë arrijnë moshën 82-vjeçare. Shqetësimi kryesor i Yakovlev është fakti që tre të katërtat e 20 milionë meshkujve, aktualisht të aftë për punë, janë të alkoolizuar, të papunë, në ushtri ose nëpër burgje. Gjithashtu ministri shton se 60 për qind e rusëve janë pensionistë, fëmijë, persona me aftësi të kufizuara dhe vetëm pak prej tyre mund ta sigurojnë vetë jetesën. Sipas Mkrtchian shifrat e Yakovlev janë pak të egzagjeruara. Megjithatë, as parashikimet e institutit që ai drejton, nuk ofrojnë më shumë siguri. Sipas llogaritjeve, pas 20 vitesh vetëm 1 në 5 persona në Rusi do të jetë në marëdhënie pune. Edhe presidenti Vladimir Putin e ngriti shqetesimin e situatës demografike gjatë fjalimit që mbajti kur iu drejtua vendit ditën e hënë. Sipas kreut të shtetit rus, është për të ardhur keq që 30 mijë persona, pjesa më e madhe burra të ri e aktivë, vdesin çdo vit nga alkooli. Në një pjesë të fjalimit të tij Putin tha:
"Ne nuk mund ta pranojmë faktin që gratë ruse jetojnë 10 vjet ndërsa burrat 16 vjet më pak se njerëzit e tjerë në Europën Perëndimore. Për më tepër që shumë prej fenomeneve që shkaktojnë aktualisht vdekjen e rusëve, jo vetëm që mund të eleminohen, por kjo mund të arrihet me shpenzime minimale. Unë jam i bindur se detyra jonë kryesore është rritja e kujdesit për shëndetin dhe ringjallja e traditës së mjekësisë ruse për ti parandaluar sëmundjet", deklaroi Putin.
Brezi i madh i "fluksit të bebeve", pra njerëzit që lindën pas Luftës së Dytë Botërore do të dalin në pension pas 10 vitesh, duke krijuar kështu në hendek të menjëhershëm mes forcave të afta për punë. Pjesa më e madhe e demografëve e shohin migracionin si mundësinë e vetme që ka Rusia për të parandaluar një katastrofë ekonomike dhe demografike. Duke lejuar hyrjen e më shumë emigrantëve, Rusia do të arrijë të nxisë edhe krahun e saj të punës. Gjithashtu do të shmangë fenomenin e de-popullimit që po ndodh në territoret e saj aziatike. Mkrtchian për këtë sqaron:
"Pa një dyndje migracioni, pothuajse e gjithë popullsia që jeton në pjesën aziatike të Rusisë do të shpërngulet me ritme të shpejta dhe Siberia do të fillojë nga Vollga. Me fjalë të tjera, pothuajse të gjitha zonat e lindjes së Vollgës do të përqendrohen kryesisht në Moskë ", parashikon Mkrtchian.
XS
SM
MD
LG