Ndërlidhjet

logo-print

IVANOVIQ: KTHIMI I PËRFAQËSUESVE SERBË NË INSTITUCIONE- ÇËSHTJE DITËSH


Zijadin Gashi, Prishtinë

Pas më tepër se një viti që kur ish-koalicioni Kthimi, tani Lista Serbe për Kosovën e Metohinë ka lëshuar institucionet, lideri i saj, Oliver Ivanoviq thotë tani se kthimi në institucionet e Kosovës është vetëm çështje dite. Puna në institucione është mënyra e vetme që t’i mbrojmë më mirë interesat dhe të drejtat e atyre që ne përfaqësojmë, thotë Ivanoviq.
“Është vetëm çështje momenti kur ne do të kthehemi në Kuvend e ndoshta edhe në qeveri”, theksoi Ivanoviq. Lidhur me kërkesat e mëhershme, ndër të cilat ishte dhe ajo për ristrukturimin e qeverisë dhe ndarjen e Ministrisë së Kthimit për Listën Serbe, të cilën aktualisht e ka nën drejtim subjekti tjetër serb, Partia Demokratike Serbe e Kosovës, Ivanoviq thotë se kjo tani nuk është kërkesë zyrtare, por pas kthimit në Kuvend, sipas tij, Lista Serbe do të ketë dhe shumë kërkesa të tjera. Ndërkohë, Ivanoviq thotë se përfaqësuesit e Listës Serbe vetëm se kanë filluar të marrin pjesë nëpër disa grupe punuese në kuadër të proceseve më të rëndësishme në Kosovë:
“Ne do të hyjmë në grupin punues për decentralizim si edhe atë për dialog, por njëkohësisht edhe në grupin punues për vlerësimin e standardeve që e konsiderojmë si shumë me rëndësi”, tha Ivanoviq.
Bojkoti i deritashëm i filluar që pas trazirave të marsit të vitit të kaluar, sipas Ivanoviqit ishte një zgjidhje e rastit dhe pakënaqësive të përfaqësuesve serbë me zhvillimet në Kosovë. Ndërsa deklarimet e vazhdueshme të përfaqësuesve serbë se kthimi në institucione varet dhe nga qëndrimet e qeverisë së Beogradit, sipas tij, kanë qenë të arsyeshme për faktin se asnjëra parti politike serbe në Kosovë, nuk kishte marë vota të mjaftueshme në zgjedhjet e fundit, që të marrë rolin e përfaqësuesit legjitim të minoritetit serb në Kosovë.
“Tani edhe në Beograd gjendja po ndryshon dhe shumë prej atyre që dikur ishin kundër daljes së serbëve të Kosovës në zgjedhje, tani e kuptojnë se ai ishte një vendim i gabuar”, thotë Ivanoviq. Për shkak të daljes së ulët të komuniteti serb në zgjedhjet e fundit në Kosovë, ata nuk kanë arritur të sigurojnë asnjë ulëse në Kuvend, kështu që tani shfrytëzojnë të drejtën kushtetuese për të marë dhjetë vendet e rezervuara, tetë prej të cilave i takojnë Listës Serbe të Ivanoviqit dhe dy vende Partisë Demokratike Serbe, të Sllavisha Petkoviqit.



XS
SM
MD
LG