Ndërlidhjet

EKSPERTËT KUNDËR PAVARËSISË SË KOSOVËS PA SOVRANITET


Albana Isufi, Prishtinë

Ekspertë kosovarë të fushave të ndryshme kanë hedhur poshtë idenë e pavarësisë pa sovranitet, të propozuar së fundi nga Komisioni Ndërkombëtar për Ballkanin.
Akademiku Esat Stavileci ka thënë se është i pamundur funksionimi i një shteti me këtë lloj pavarësie. Ai ka thënë se statusi i Kosovës është i panegociueshëm dhe për të duhet të vendosë vetë populli i Kosovës.
“Të drejtën e vetvendosjes së popullit shqiptar të Kosovës, e cila i takon edhe si e drejtë e vetvendosjes kombëtare, edhe si e drejtë e vetvendosjes së popullatës së një territori të individualizuar, deri tek përfundimisht parimësia dhe drejtësia shoqërore politike për statusin e pavarur të Kosovës."
Por, para kësaj akademiku Stavileci e sheh si domosdoshme çtensionimin e situatës politike në vend, si dhe përjashtimin e Beogradit nga jeta institucionale e Kosovës.
Ndërkaq, eksperti i së drejtës ndërkombëtare Blerim Reka, hedh poshtë çdo mundësi që me Beogradin të zhvillohen negociata për statusin përfundimtar.
“Nuk jam për negociata Prishtinë-Beograd, sepse kam frikë se ashtu siç u zgjat 6 vjet status quo-ja me një prezencë ndërkombëtare në Kosovë, nuk mund të zgjatej status-quoja e Kosovës me negociata edhe për shumë vite. Mund të marrim për shembull rastin e Palestinës, Irlandës së Veriut e kështu me radhë."
Reka shtoi se në vend të kësaj duhet të organizohet një konferencë ndërkombëtare, ku rol parësor do të kishin Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“ Një rol shumë më aktiv të amerikanëve në një konferencë multilaterale paqësore për Kosovën, sepse ne të gjithë jemi të vetëdishëm se në Kosovë ende nuk ka patur forma juridike. Traktat paqësor mes Kosovës dhe Serbisë ende nuk është i nënshkruar, prandaj formalisht, juridikisht, ne jemi ende në gjendje lufte me Serbinë. Kjo duhet të ndërpritet, duhet të ndërmerret një konferencë paqësore e tipit të Dajtonit dhe përfundimisht të bëhet kufizimi mes Serbisë dhe Kosovës."
Ndërkohë, Blerim Reka thotë se duhet t’u barten të gjitha kompetencat institucioneve vendore, të mbahet referendumi për pavarësi, të hartohet kushtetuta e re dhe Këshilli i Sigurimit të nxjerrë një rezolutë të re për ta njohur Kosovën si shtet të pavarur. E tërë kjo, sipas tij, mund të zbatohet në fund të vitit 2006 ose në fillim të vitit 2007.
Por, vetë hapja e bisedimeve për statusin përfundimtar varet nga përmbushja e standardeve nga ana e institucioneve të Kosovës. Anëtari i Kryesisë së Kuvendit Fatmir Sejdiu, thotë se ideja e standardeve për Kosovën është hedhur me qëllim që të blihet kohë, pasi bashkësia ndërkombëtare nuk ishte e gatshme që të diskutonte statusin përfundimtar.
“Me këtë blerje kohe natyrisht të vihet një barrë testimi për Kosovën dhe institucionet e saj, në kohën kur ata faktikisht nuk kishin marë barrë dhe përgjegjësi të drejtpërdrejta në supet e tyre ".
Akademiku Esat Stavileci thotë se duke mos qenë i përkufizuar qartë caku që synojnë standardet, ato vetvetiu e izolojnë Kosovën nga rrjedhat e përgjithshme.
“Përshtypja ime është se standardet janë selektive dhe përgjegjësia sikur përpara se në institucionet vendore ,të cilat janë të zhveshura nga autorizimet, bie në institucionet ndërkombëtare".
Në fund të muajit maj pritet vlerësimi politik i përmbushjes së standardeve nga ana e Këshillit të Sigurimit, ndërkohë që vjeshta e këtij viti është paralajmëruar si kohë e hapjes së bisedimeve për statusin përfundimtar.



XS
SM
MD
LG