Ndërlidhjet

MOORE:"HARTUESIT E (PSEUDO) SHTETEVE HIBRIDE"


Patrick MOORE, analist i radios Evropa e Lirë


RADIO EVROPA E LIRË
Në këtë çast në qarkullim janë dy propozime për statusin e Kosovës. Ai i Grupit Ndërkombëtar të Krizave që është mirëpritur në Prishtinë dhe ai i Komisionit Ndërkombëtar për Ballkanin, ndaj të cilit në Kosovë ka hezitime. A do të thotë kjo se aktualisht në bashkësinë ndërkombëtare egzistojnë dy opsione për Kosovën?

PATRICK MOORE
Grupi Ndërkombëtar i Krizave në mënyrë të qartë rekomandon pavarësinë, duke i nxjerrë, sipas meje, konkluzionet drejtpërdrejt nga marsi i vitit 2004 dhe kërkesa për të lëvizur shpejt. Komisioni Ndërkombëtar për Ballkanin ka sugjeruar diçka që çon drejt një protektorati evropian, që nuk do të jetë plotësisht sovran. Kjo që ka sugjeruar ky komision është një lloj shteti tepër i çuditshëm dhe çon në pyetjen se çfarë fshihet në të vërtetë pas kësaj. Do të doja të përmendja gjithashtu se nëse shihet përbërja e këtij komisioni, vetëm dy personalitete në të janë figura të shquara. Një është zoti Amato, ish kryeministër i Italisë, tjetri është ish presidenti i Gjermanisë Wajceker, por asnjë prej tyre nuk është i njohur si veçanërisht miqësor ndaj Shteteve të Bashkuara. Anëtarët e tjerë të komisionit nuk janë personalitete të këtij kalibri. Këta janë njerëzit që na dhanë jo vetëm Bosnjën e Marrëveshjes së Dajtonit, por edhe shtetin hibrid të Serbisë dhe Malit të Zi. Ndoshta do ishte më mirë që në vend të krijesave shtetërore nga Brukseli, t'i lemë njerëzit që janë të përfshirë të vendosin vetë për fatin e tyre mbi bazën e vetëvendosjes dhe vullnetit të shumicës. Ky do ishte një model demokracie dhe jo një model kolonializmi. Duhet garantuar që të drejtat e10 % të popullsisë pakicë të mbrohen, por në të njëjtën kohë kjo nuk mund të përdoret si një justifikim për t'i mohuar të drejtat themelore të 90 % të popullsisë.

RADIO EVROPA E LIRË
Liderët kosovarë kërkojnë rolin prijës të Shteteve të Bashkuara në bisedimet për statusin final të Kosovës, duke thënë se Uashingtoni ka kapacitet dhe kredibilitet për të zgjidhur këtë çështje. Cili është komenti juaj?

PATRICK MOORE
Ky është një mësim që ne e kemi mësuar herë pas here në ish-Jugosllavi, fillimisht në konfliktet në Kroaci dhe Bosnje dhe më vonë në konfliktin e Kosovës. Gjithashtu duket të jetë mjaft e qartë që në mesin e kosovarëve në terren, pra njerëzve që jetojnë aty, dominon bindja se Shtetet e Bashkuara të Amerikës bëjnë atë që thonë dhe nuk vijnë me shpikje hibride si puna e Brukselit, që mund të çojë në një zgjidhje që nuk është ajo që do shumica e popullsisë.

RADIO EVROPA E LIRË
Këtë javë një analist i gazetës "Guardian", tha se "nëse Kosova mbetet në vakum, kjo do të ishte fitore për Millosheviqin", për të shtuar se "Gjermania dikur kampione e çështjes së Kosovës, tani ecën në drejtim të kundërt". A qëndron ky pohim dhe pse?

PATRICK MOORE
Po, do të ishte një fitore për Millosheviçin, gjithashtu për Tadiçin dhe Koshtunicën të cilët treguan aftësi të jashtëzakonshme në manipulimin e votuesve serbë për këtë çështje, në vend që të merren me problemet reale të Serbisë e që janë krimi, korrupsioni dhe varfëria. Strategjia që ndjekin këta politikanë është që me çdo kusht të fusin hundët dhe të ndikojnë në çështjet në Kosovë, ndonëse e kanë humbur të drejtën me ato që kanë bërë në vitin 1998-1999. Ata me siguri do kërkojnë ndarje apo një lloj administrimi të përbashkët, por nuk mendoj se edhe vetë ata janë të bindur se do mund të kthehen prapa në kohët e vjetra të administrimit të drejtpërdrejtë dhe vrasjeve masive. Një herë pyeta një eskpert serb shumë të mirënjohur për Ballkanin:"Çfarë do të bëni nëse një ditë zbuloni se (sërish) qeverisni 2 milionë shqiptarë që nuk ju duan"? Ky person më pa me një shprehje çudie në fytyrë, që tregonte se këtë mundësi madje as ai nuk e konsideronte serioze.
Sa i përket Gjermanisë, duket se po lëviz tani drejt orientimit pro-serb të Francës. Ky është një rezultat i riorientimit të politikës së jashtme gjermane, larg balancës, larg të qënit zëdhënës i popujve më të vegjël të Evropës, që Gjermania e kishte zhvilluar nën drejtimin e Helmut Kohlit, dhe larg lidhjeve të ngushta me Uashingtonin që kancelarët gjermanë kanë patur që nga koha e Adenauerit e deri tek Kohli, por tash drejt një aleance të plotë me Francën. Diçka tjetër që duhet të kujtojmë është që devotshmëria ndaj Bashkimit Evropian është bërë si punë religjioni në vetvete në disa qarqe të politikanëve e intelektualëve gjermanë.

Intervistoi: Melazim KOCI
XS
SM
MD
LG