Ndërlidhjet

logo-print

BEQAJ: PA MBËSHTETJE FINANCIARE, KOSOVA RREZIKON KOLAPSIN EKONOMIK


Albana Isufi, Prishtinë

Marrëveshjen kornizë që nesër do ta nënshkruajnë zyrtarët e Bankës Evropiane për Investime me përfaqësues të UNMIK-ut dhe kryeministrin e Kosovës, ish udhëheqësi i Zyrës së Paktit të Stabilitetit Besim Beqaj, e quan një hap politik me të cilin hapen mundësitë që bankat e tjera financiare ndërkombëtare të gjejnë rrugë për ta futur Kosovën në agjendën e tyre.
Banka Evropiane për Investime përmes një vendimi të saj do t’i lejojë Kosovës që në të ardhmen të marrë kredi nga ky institucion financiar.
Por, Besim Beqaj, tashmë drejtor për marrëdhënie ekonomike me jashtë në Odën Ekonomike të Kosovës, thotë se këto nuk janë huazime afatgjata sovrane.
“Ne nuk kemi të bëjmë me huazime afatgjata sovrane, të cilat lidhen me statusin e Kosovës, mirëpo kemi të bëjmë me huazime afatgjata të cilat janë në bazë të projekteve dhe për një gjë të tillë kjo qeveri do të jetë shumë më aktive që të bëjë identifikimin e projekteve të cilat mund të thithin mjete nga Banka Evropiane për Investime".
Beqaj në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, paralajmëron se nëse Kosovës nuk i mundësohet dalja sa më e shpejtë, siç thotë ai, nga getoizimi, shpejt do të ketë kolaps ekonomik.
“Mendoj që Bashkimi Evropian, përkatësisht mekanizmat e Bashkimit Evropian dhe institucionet financiare, do të gjejnë rrugë për t'i mundësuar Kosovës që të zerë hapin e saj në zhvillimin ekonomik. Përndryshe gjendja ekonomike, e cila mbizotëron sot në Kosovë dhe mbyllja e saj në një formë getoizimi, nënkupton kolaps ekonomik shumë të shpejtë".
Mirëpo, Beqaj konsideron se agjenda e zhvillimit ekonomik në Kosovë është shumë e paqartë dhe kjo ndikon negativisht në zhvillimin ekonomik. Ai po ashtu thekson se Kosovën, përveç problemeve politike, larg integrimeve evropiane e mbajnë edhe shumë probleme të tjera.
“Kosova ka ende probleme politike, ka probleme ekonomike, ka probleme sociale. Këto janë probleme institucionale, të cilat kohë pas kohe, e shtyjnë këtë çështje të integrimit të Kosovës. Prandaj unë mendoj që Kosova së pari duhet t'u qaset problemeve nga brenda, t'i qaset me një përkushtim të madh krijimit të institucioneve thelbësore dhe institucioneve të cilat do krijojnë një qëndrueshmëri afatgjatë dhe normalisht me këtë të argumentojmë para botës se jemi të gatshëm për t'u integruar në fazat e mëvonshme. Për momentin edhe sikur të hapej rruga që të thuhet se Kosova nesër mund të integrohet në Bashkimin Evropian, unë mendoj që Kosova nuk është e gatshme për një gjë të tillë".
Institucionet e Kosovës sipas Beqajt, nuk mund t’i përmbushin rekomandimet që dalin nga Komisioni Evropian, sepse sipas tij, kërkesat më të mëdha janë të drejtuara në zhvillimin ekonomik. Beqaj thotë se qeveria aktuale ka lënë nën hije zhvillimin ekonomik dhe rrjedhimisht sipas tij agjenda e zhvillimit ekonomik është e paqartë.

XS
SM
MD
LG