Ndërlidhjet

logo-print

UNMIK: FORUMI JOFORMAL ËSHTË NË INTERESIN E PARTIVE TË KOSOVËS


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Shefi i UNMIK-ut Soren Jessen Petersen ende nuk ua ka dërguar partive politike dhe udhëheqësve të institucioneve të Kosovës propozimin e tij për formimin e një forumi joformal, në të cilin do të diskutoheshin sipas zotit Petersen,çështje me rëndësi kombëtare për Kosovën. Në të vërtetë, shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë Soren Jessen Petersen, në një takim me presidentin e Kosovës Ibrahim Rugova, kryeministrin Kosumi, përfaqësuesin e LDK-së, Kolë Berisha, me kryetarin e PDK-së, Hashim Thaçi dhe me nënkryetarin e partisë "Ora" Ylber Hysën, u ka propozuar atyre formimin e një forumi, në të cilin do të diskutoheshin çështjet madhore, si standardet, decentralizimi dhe statusi, por që nuk do të ishte zëvendësim i institucioneve të zgjedhura në mënyrë demokratike të Kosovës.
Mirëpo, ndërsa zoti Petersen nuk ka dhënë detaje rreth propozimit të tij, ai ka thënë se këto detaje do t’ua dërgonte palëve të përfshira në formë të shkruar dhe më pas do të diheshin detajet. Zëdhënësi i UNMIK-u Gyorgy Kakuk tha se propozimi në formë të shkruar nuk u është dërguar palëve deri më sot:
"Ne ende nuk e dimë nëse plani do t’u dërgohet partive dhe institucioneve sot apo nesër," tha zëdhënësi Kakuk, i cili megjithatë, nuk ka pranuar që të japë detaje rreth propozimit të zotit Petersen:
"Nuk mund të them asgjë lidhur me propozimin, pasi ai ende nuk është bërë publik dhe nuk do të bëhet publik pa iu dorëzuar qeverisë dhe palëve të përfshira," tha zëdhënësi Kakuk.
Sidoqoftë, ai tha se zoti Jessen Petersen pret që përgjigja e institucioneve dhe partive të opozitës të kthehet sa më shpejt lidhur me këtë propozim dhe varësisht nga përgjigja e tyre, zoti Petersen më pas do të përcaktojë dinamikën e realizimit të propozimit të tij, që e ka quajtur shumë të rëndësishëm:
"Është në interesin e partive politike të Kosovës që sa më shpejt ta formojnë këtë forum dhe të jenë të përgatitura për bisedimet rreth statusit," tha zëdhënësi Kakuk.
Ndërkohë, sipas deklaratave të tyre të para, pjesëmarrësit e takimit të së premtes e kanë përkrahur parimisht idenë e zotit Jessen Petersen, por kanë theksuar se asnjë forum nuk mund të jetë zëvendësim për institucionet. Duket që momenti i mospajtimit ndërmjet institucioneve dhe PDK-së opozitare është fakti që kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi ka kërkuar që ky forum të jetë vendimmarrës, ndërsa partitë në pushtet konsiderojnë që atributi vendimmarrës do të ishte një paralelizëm me institucionet egzistuese, përderisa vetë Petersen ka thënë se ky forum nuk do të ishte zëvendësim për institucionet, por do t’i ndihmonte ato. Zyrtarët e UNMIK-ut thanë se çështja nëse do të jetë forum vendimmarrës apo jo, mbetet të diskutohet pasi të kthehet përgjigja nga institucionet dhe partitë gjatë kësaj jave.


XS
SM
MD
LG