Ndërlidhjet

KRYEMINISTRI TURK TAKOHET ME UDHËHEQËSIT PALESTINEZË


Bisedimet e Erdoganit me drejtuesit palestinezë vijnë pas marrëvëshjes së fundjavës që ai nënshkroi me Ariel Sharon, kryeministrin e Izraelit, për të rivendosur lidhjet e tendosura mes dy aleatëve. Menjëherë pas takimit me Sharon, të dielën Erdogan iu drejtua me këto fjalë gazetarëve në Jeruzalem:
"Në kuadër të marrëdhënieve që kanë dinamikën e tyre, ne kemi shprehur vullnet për t'i forcuar ato akoma më tej". Liderët ranë dakord për të vendosur një komunikim të posaçëm telefonik mes zyrtarëve të të dy vendeve, për të shkëmbyer informacione sekrete, por sipas Sharon, edhe për të garantuar rifreskim të të dhënave. Gjithashtu Sharon deklaroi se Turqia do të ndihmojë territoret palestineze për të ndërtuar një stacion në Rripin e Gazës, me qëllim për të ndihmuar në ndërtimin e shtëpive të palestinezëve pas evakuimit të Izraelit. Dy krerët e shtetit nuk komentuan deklaratat e medias se vizita e Erdogan do të përfshinte edhe nënshkrimin e një marrëveshje mbi armët, ku bën pjesë një plan i Turqisë me vlerë gjysëm bilioni dollarë për modernizimin e armëve. Turqia është një aleat i domosdoshëm për Izraelin dhe partner në tregëti, që kap një vlerë vjetore 2 bilionë dollarë. Por lidhjet mes tyre u tendosën vitin e kaluar kur Erdogan - partia e të cilit i ka rrënjët në politikat islamike - i komentoi veprimet e Sharonit ndaj territoreve palestineze si "terrorizëm shtetëror". Megjithatë Turqia është ndoshta vendi i vetëm në rajon që ka ruajtur lidhje të përzemërta si me Izraelin e territoret palestineze, ashtu edhe me Sirinë dhe Iranin. Ministri i jashtëm i Izraelit, Silvan Shalom, gjatë konferencës së përbashkët për shtyp dhënë të hënën në Jeruzalem me Erdogan, deklaroi se Turqia po mundohet për paqen në rajon.
"Unë mendoj se Turqia mund të asistojë në marrëdhëniet me territoret palestineze dhe në marrëdhëniet mes Izraelit dhe gjithë botës arabe. Unë mendoj se marrëdhëniet mes Izraelit dhe Turqisë janë një shembull i mirë se si mund të jenë marëdhëniet mes Izraelit dhe vendeve që kanë shumicë myslimane", u shpreh Shalom. Të hënën Erdogan vizitoi Xhaminë Al-Aksa në Jeruzalemin e Vjetër. Kjo xhami shënon vendin e tretë të shenjtë islam dhe është ndërtuar në rrënojat e tempullit biblik hebre. Meqenëse ky vend pretendohet si nga Izraeli ashtu edhe nga palestinezët, pronësia ndaj tij është një nga pengesat kryesore në procesin e paqes. Gjithashtu Erdogan gjatë këtij takimi ka planifikuar takime me udhëheqësin palestinez Mahmud Abas. Gazeta e përditshme turke "Milliyet" bëri të ditur të dielën se përpara udhëtimit të Erdoganit, Turqia i dorëzoi territoreve palestineze tapinë e pronësisë mbi tokën në Bregun Perëndimor, pronë të cilën Gaza e ka fituar gjatë sundimit 400-vjeçar të Perandorisë Osmane. Turqia shpreson se kjo tapi, e cila i referohet viteve 1500 deri në 1914, do të ndihmojë palestinezët të mbrojnë të drejtat e tyre në gjykatat lokale dhe ndërkombëtare. Gjithnjë sipas gazetës "Milliet", Turqia i ka dërguar 25 mijë uniforma forcave palestineze të sigurisë. Udhëtimi i Erdoganit është në vazhdën e vizitave të fundit që janë zhvilluar në Izrael nga liderët e huaj, të cilët kërkojnë të renditen mes faktorëve që kanë luajtur rol në procesin e paqes në Lindjen e Mesme. Javën e kaluar presidenti rus Vladimir Putin vizitoi këtë zonë, duke shënuar kështu vizitën e parë zyrtare të një udhëheqësi të Kremlinit në shtetin hebre.
XS
SM
MD
LG