Ndërlidhjet

E. HASANI: DALLIMET MES BE-SË DHE SHBA-VE QËNDROJNË NË HAPAT DREJT STATUSIT DHE JO TEK NATYRA E TIJ


Enver Hasani, Profesor i të Drejtës Ndërkombëtare në UP

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Hasani, ka mbetur më pak se një muaj nga dita kur pritet të bëhet vlerësimi i përmbushjes së standardeve në Këshillin e Sigurimit. Çfarë mendoni se do të jetë ky vlerësim?

ENVER HASANI
Gjykuar sipas asaj që është bërë publike dhe sipas prononcimeve të UNMIK-ut, del se do të ketë në parim një vlerësim pozitiv të standardeve, mirëpo mbetet të shihet. Unë nuk po gjykoj se si është gjendja në terren, por po gjykoj në bazë të asaj që është politikë e UNMIK-ut dhe mesa kuptoj unë ka një prirje për ta vlerësuar pozitivisht çështjen e standardeve.

RADIO EVROPA E LIRË
A do të hapë kjo rrugën për përcaktimin e statusit?

ENVER HASANI
Sigurisht që po meqënëse është bërë si të thuash plotësimi i standardeve, dhe një raport pozitiv i standardeve është paraqitur si kusht për fillimin e bisedave për statusin e Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Ndërkohë zoti Hasani, Grupi i Kontaktit pati përjashtuar disa opsione për statusin e Kosovës. Si do të ndikojnë përjashtimi i atyre opsioneve në përcaktimin e statusit?

ENVER HASANI
Unë mendoj se ato që janë përjashtuar si opsione nuk kanë qenë se kanë qenë diçka si opsione që qarkullojnë, apo si diçka që ka mundur të ndodhë me Kosovën dhe unë nuk besoj se ato esencialisht e kanë ndryshuar atë që është ditur më parë përsa i përket kaheve të statusit të Kosovës, nga do të lëvizë ai. Nuk mendoj se ka ndryshim esencial. Ajo që duket këtu si ndryshim thelbësor është vetëm interpretimi i politikanëve të Kosovës, të cilët po i interpretojnë deklaratat e Grupit të Kontaktit për konjukturat e tyre të tregut politik të brendshëm në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Shefi i UNMIK-ut Petersen ka thënë së fundi se nuk dihet kush do ta ketë rolin kryesor në përcaktimin e statusit, ndërsa institucionet dhe liderët politikë të Kosovës kanë kërkuar që roli udhëheqës t'u mbetet Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Cili është mendimi juaj për këtë?

ENVER HASANI
Prioritizimi i rolit udhëheqës është një çështje që mbetet të shihet. Sido që të jetë është shumë e sigurtë se pa ndërmjetësimin dhe pa pjesëmarrjen amerikane, është e pamundur zgjidhja e problemeve të Ballkanit dhe ajo është parë jo vetëm tani, por gjatë tërë shekullit të kaluar. Mendoj se kjo është çështje jashtë çdo diskutimi. Tani është problemi i hapave konkretë, kush do të futet në lojë i pari, i dyti, i treti, se si do të jenë dinamikat e ndërmjetësimit. Kjo mbetet të shihet, por pa ndërmjetësimin e SHBA-ve nuk mund të flitet për ndonjë sukses.

RADIO EVROPA E LIRË
Cili do të jetë roli i vendeve të Bashkimit Evropian? A do të veprohet me një politikë unike të Bashkimit Evropian, apo edhe në këtë plan mund të vërehen ndarje?

ENVER HASANI
Jo nuk besoj që ka. Për çështje të statusit nuk ka dallim të madh në të dy anët e brigjeve të Atlantikut. Dallimi u referohet hapave konkretë dhe cilësisë së statusit përfundimtar të Kosovës, por jo statusit si të tillë, natyrës së tij, finales së statusit. Prandaj në këtë drejtim unë nuk shoh se mund të ketë dallime dramatike, as brenda për brenda Bashkimit Evropian.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Hasani, a kanë institucionet e Kosovës një platformë të qartë për t'iu qasur fazës së përcaktimit të statusit të Kosovës?

ENVER HASANI
Mendoj se po të kishte patur do ishte bërë publike, por nuk besoj se mund të thuhet se ka diçka të qartë, të prekshme në këtë drejtim.

RADIO EVROPA E LIRË
Pse nuk e kanë? Cilat janë arsyet?

ENVER HASANI
Unë mendoj se institucionet e Kosovës dhe lidershipi kanë qenë të hendikepuar këto 5-6 vite për dallim nga pala serbe dhe bashkësia ndërkombëtare, si akter i krizës këtu. Kanë qenë të hendikepuar, sepse që pesë-gjashtë vjet po përpiqen të krijojnë institucionet për të mbajtur mirëqënien e popullit të Kosovës, për t'u kujdesur për përditshmërinë e popullit të Kosovës, ndërkohë që këtë problem nuk e kanë patur as institucionet ndërkombëtare UNMIK-u e aq më pak Serbia. Prandaj nuk janë marrë me atë çështje dhe rrjedhimisht tani ka një disponim të një pjese të madhe të spektrit politik, që çështja e dialogut duhet të jetë e njëjtë me çështjen e ndërtimit të institucioneve të Kosovës, përkatësisht që vota e lirë duhet të jetë pikë referimi. Mendoj që aty kjo çështje është legjitime, sepse politika është marrje e rrezikut dhe çdokush merr rrezik mbi bazën e llogaritjeve momentale që i bën qoftë si pasojë e votës që ka, qoftë në bazë të një mendimi që mund t'i duket se është më mirë për politikën e atij subjekti politik, Dhe ajo është legjitime mendoj, edhe pse për qëndrueshmërinë e procesit politik, mendoj se pjesëmarrja e të gjithë akterëve të skenës politike, përfshirë edhe ata që nuk janë sot në skenën politike, por persona, individë, shoqëri apo institucione me ndikim, do të ishte më mirë, sepse do të krijonte një lloj stabiliteti më afatgjatë.

RADIO EVROPA E LIRË
Pikërisht për këtë, për çështjen e një konsensusi të gjërë, apo të një platforme unike për çështje të rëndësishme si statusi, është folur shumë kohët e fundit. Si e shihni ju një qasje të tillë?

ENVER HASANI
Unë thashë që kjo është politikë dhe në politikë përveç korrjes së përfitimeve, apo arritjeve, që ka ai që merret me të, egzistojnë edhe rreziqet dhe kjo është pyetje që duhet t'i përgjigjen politikanët. Unë mendoj se stabiliteti afatgjatë që të venë gjërat mirë, parakusht i çdo dialogu është që palët që nënshkruajnë zotimin, të jenë të afta për t'i zbatuar. Ato janë të afta kur kanë kohezivitet brenda për brenda. Me fjalë të tjera, pala shqiptare për të zbatuar atë që nënshkruan, duhet të jetë kohezive si strukturë dhe e njëjta gjë vlen për palën serbe apo për bashkësinë ndërkombëtare. Prandaj krijimi paraprak i këtij koheziviteti është mendoj i rëndësishëm dhe pa këtë kohezivitet procesi politik mund të degjenerojë, mund të bëhet i dhunshëm, nuk vete si duhet procesi ose marrëveshja që arrihet si rezultat i dialogut e kështu me rradhë. Këtu ka një hezitim për dialogim nga pala kosovare, sepse çdo mbyllje e dialogut ka për pasojë lëvizje tektonike në spektrin politik kosovar. Domethënë do të krijohet një konfiguracion krejt i ri politik. Prandaj edhe dialogu shihet këtu nga ana e palës kosovare, një pjese të madhe të spektrit politik si humbje e pozitave aktuale. Prandaj edhe ka hezitime edhe sa i përket futjes në dialog, por edhe sa i përket formatit të dialogut dhe numrit të pjesëmarrësve.

RADIO EVROPA E LIRË
Nga pikëpamja e një njohësi edhe të politikës ndërkombëtare, edhe të procedurave në të cilat po hyn Kosova në përcaktimin e statusit, si mund të reflektohet mungesa e një platforme për t'iu qasur kësaj faze?

ENVER HASANI
Ajo reflektohet në cilësi të statusit të Kosovës. Mospërgatitja është normale sikur dhe në punë, sikur ky është një lloj provimi, provim para Kosovës, para gjeneratave që vijnë pas nesh. Sa më dobët të përgatitet njeriu, aq më keq do të dalë edhe statusi i Kosovës, do të vuajë, do të na përvidhen dispozita të marrëveshjes përfundimtare, që më vonë do të interpretohen siç na kanë ndodhur me Rambujenë.

Intervistoi Rrahman Paçarizi
XS
SM
MD
LG