Ndërlidhjet

SHTYPI I LIRË BALLAFAQOHET ME PROBLEME NË SHUMË VENDE TË BOTËS


Robert Parsons

Asnjëri nga raportet e publikuara në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit nuk ka ofruar të dhëna optimiste në fushën e gazetarisë gjatë vitit 2004. Ka pasur disa përmirësime të dorës së dytë në Ukrainë, si rezultat i ndryshimeve politike me anë të të ashtuquajturit revolucion i portokalltë. Por, nga ana tjetër, me përjashtim të Gjeorgjisë, vendet e ish-Bashkimit Sovjektik dhe të Lindjes së Mesme vuajnë ende pasojat e regjimeve më pak liberale në botë. Pascale Bonnamour, nga organizata Reporterët Pa Kufij me seli në Paris, shprehet se situata në mediat në Azinë Qendrore është keqësuar pas zhvillimeve të përmendura politike në Ukrainë dhe pas ngjarjeve të marsit në Kirgizi.
"Unë mendoj se situata është duke u keqësuar gjithnjë e më shumë për shkak të situatës gjeopolitike. Veçanërisht në fund të vitit 2004 ka pasur tension të madh në vendet e ish-Bashkimit Sovjektik. Liria e shtypit është në rrezik. Shumë gazetarë të opozitës janë arrestuar e disa janë rrahur. Bëhet fjalë për represion brutal ndaj mediave të pavarura", thotë Bonnamour.
Faktet më shqetësuese janë publikuar në raportin e fundit të Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve, që trajton periudhën e fundit 5 vjeçare. Sipas Komitetit, rreziku më i madh nuk është vdekja gjatë punës në vende të rrezikshme, por vrasjet me paramendim.
Nga 190 gazetarë të vrarë që nga viti 2000 në krye të detyrës në të gjithë botën, 121 prej tyre janë egzekutuar. Në pjesën më të madhe të rasteve vrasësit nuk janë dënuar.
Dhuna në Irak ka marrë më shumë jetë gazetarësh se kudo tjetër. Në Rusi, sipas raporteve, janë vrasjet e porositura ato që përbëjnë kërcënimin më të madh. Viktimë e tyre kanë qenë shumë gazetarë nga mediat e shtypura, që kishin hulumtuar krimin e organizuar dhe korrupsionin e qeverisë.
Raportet theksojnë forcimin e kontrollit të shtetit ndaj mediave në Rusi dhe censurën e vazhdueshme, veçanërisht në rastet e raportimit të luftës në Çeçeni dhe gjatë krizës në Beslan, ku mendohet se kanë vdekur më shumë se 330 persona.
Raporti i organizatës Freedom House, që paraqet listën e 194 vendeve sipas shkallës së lirisë, situatën në Gjeorgji dhe në Ukrainë e përshkruan si "pjesërisht të lirë". Të gjitha vendet e tjera të ish Bashkimit Sovjetik klasifikohen si "jo të lira".
Më problematike gjendja është në Bjellorusi dhe në Turkmenistan.
Në anën tjetër edhe në Lindjen e Mesme ka probleme shumë serioze. Sipas organizatës Reporterët Pa Kufi, nga 21 gazetarë që humbën jetën në vitin 2004 në Lindjen e Mesme, 19 prej tyre janë vrarë në Irak.
Shtypja e qeverisë në shumë vende ka ardhur në rritje dhe shumë gazetarë janë arrestuar e burgosur me akuza për shpifje, fyerje ndaj krerëve të shtetit dhe fyerje ndaj Islamit.
Zëdhënësja i organizatës Reporterët Pa Kufi, Reza Moini, deklaroi se ka më shumë gazetarë të burgosur në Iran gjatë vitit 2004, se në çdo vend tjetër të rajonit.
"Në këtë rajon situata është e mjerueshme. Kjo mund të shpjegohet me pak fjalë: para e gjithash Iraku me numrin më të madh të viktimave. Më pas presioni, censura dhe burgosja e gazetarëve. Në këtë rajon gjatë vitit të kaluar u arrestuan 27 gazetarë…gjysma e këtyre arrestimeve u bë në Iran", thotë Moini.
Situata është pak më e mirë në Afganistan, por edhe pas zgjedhjeve të fundit, gazetarët përsëri kërcënohen nga personat lokalë me ndikim.
XS
SM
MD
LG