Ndërlidhjet

logo-print

BUSEK: KOSOVA DHE SERBIA DUHET TË VAZHDOJNË TË BISEDOJNË


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Kosova nuk është më vrimë e zezë në rajon sa i përket bashkëpunimit me vendet e rajonit, ndërkohë që dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është i pashmangshëm, ka deklaruar sot në Prishtinë, Koordinatori i Paktit të Stabilitetit për Evropën Juglindore, Erhardt Busek, pas një takimi që ka pasur me kryeministrin e Kosovës Bajram Kosumi.
Zoti Erhardt Busek tha se atij nuk i interesonte shumë çështja e standardit dhe statusit, por përmirësimi i jetës së njerëzve dhe që Kosova të mos mbetet vrimë e zezë në rajon sa i përket bashkëpunimit rajonal.
"Kosova nuk është më vrimë e zezë, së paku sipas pikëpamjes së Paktit të Stabilitetit, pasi ne kemi ndërtuar lidhje në fushë të energjetikës dhe në bashkëpunimin përtej kufijve për të luftuar krimin," tha Erhardt Busek, për të vlerësuar më pas se ajo që ka ndryshuar në rajonin në përgjithësi, është se Ballkani është tani një rajon nëpër të cilin kalon krimi dhe nuk është gjenerues i krimit. Koordinatori i Paktit të Stabilitetit zoti Busek, tha se duhet të ketë dialog ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Mendoj se duhet bërë ajo që po ndodh, që të bisedohet për çështje praktike dhe pastaj të shkohet kah çështjet më të larta politike, pasi nuk ka kuptim të fillohet nga maja, tha Busek:
"Dialogu është dashur tashmë të fillojë, por ka vështirësi dhe kushtëzime nga të dyja palët që unë i kuptoj, por duhet të shkohet në këtë drejtim, sepse nuk ka alternativë tjetër," tha zoti Busek. Ai ka thënë se Pakti i Stabilitetit do të punojë për ndërtimin e infrastrukturës së nevojshme në Kosovë, e cila do të nxiste investuesit e huaj, por ka kërkuar nga qeveria e Kosovës që të dilet me projekte konkrete dhe jo vetëm me ide. Duke e mbështetur këtë kërkesë të zotit Busek, kryeministri i Kosovës, Bajram Kosumi tha se stabiliteti politik është i domosdoshëm për zhvillim ekonomik:
"Diskutuam shumë çështje, që në radhë të parë kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik, me infrastrukturën, por edhe me procese të tjera, pasi ekonomia e një vendi është e lidhur me stabilitetin politik dhe të dyja ndikojnë reciprokisht në njëra-tjetrën."
Zoti Kosumi tha se një pjesë e bisedimeve u është kushtuar korridoreve që duhen ndërtuar ndërmjet Kosovës dhe vendeve të tjera të rajonit, të cilat janë tepër të rëndësishme për të bindur investuesit e huaj që të investojnë kapitalin e tyre në Kosovë:
"Dy vija themelore, dy rrugë kryesore të Kosovës që e lidhin Kosovën në korridore, me Shkupin dhe Nishin dhe lidhja me Kukësin dhe Durrësin, janë dy rrugë kryesore, pa të cilat ardhmëria e Kosovës as që mund të mendohet".
Zoti Busek sot paradite ka takuar edhe shefin e UNMIK-ut Jessen Petersen dhe tha se kishte përshtypjen se zgjidhja e statusit të Kosovës do të duhej të fillonte brenda këtij viti.



XS
SM
MD
LG