Ndërlidhjet

UNMIK: FORUMI JOFORMAL DO TË NDIHMOJË KULTIVIMIN E DIALOGUT


Zijadin Gashi, Prishtinë

Forumi joformal gjithëpërfshirës të cilin shefi i administratës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Soren Jessen Petersen, është duke e formuar në bashkëpunim me liderët kosovarë, do të jetë një forum këshilldhënës dhe nuk do të jetë vendimmarrës, kanë pohuar sot zyrtarët e UNMIK-ut në Prishtinë. Ky forum, sipas zëdhënësit Neeraj Sing, do të ndihmojë shtrimin e çështjeve në interes të Kosovës ndërmjet të gjitha subjekteve në Kosovë, përfshirë pozitën e opozitën, në mënyrë që të lehtësohet vendimmarrja në institucione. Forumi nuk ka si qëllim zëvendësimin e institucioneve, por kultivimin e dialogut për çështje të rëndësishme ndërmjet të gjitha palëve në Kosovë, tha Sing. Ai pohoi gjithashtu se kryeadministratori Jessen Petersen, ende nuk i ka pranuar komentet e liderëve kosovarë lidhur me draftin, të cilin ai u ka dorëzuar atyre këtë të hënë:
“Posa t’i marrim komentet dhe shqyrtimet e tij, atëherë Përfaqësuesi Special do të finalizojë draftin e këtij dokumenti”, tha Sing, duke mos saktësuar se sa kohë kanë liderët vendorë për t’i parashtruar komentet dhe plotësimet e tyre eventuale në këtë draft. Ajo që dihet, tha zëdhënësi i UNMIK-ut, është se koha po afrohet dhe udhëheqësit vendorë duhet të përgjigjen shumë shpejt.
“Formimi i këtij trupi joformal konsiderohet si një prioritet i lartë, duke pasur parasysh nevojën që të ecet përpara në këtë kohë mjaft kritike për Kosovën, e cila do të ballafaqohet me shumë sfida”, tha Sing. Sidoqoftë shtoi ai, për formimin e këtij forumi është mëse e domosdoshme, që paraprakisht të gjithë pjesëmarrësit, si ata nga pozita ashtu edhe ata të opozitës, të pajtohen në lidhje me parimet themelore të tij. Forumi joformal është paraparë që të mbledhë udhëheqësit e institucioneve dhe ata të partive kryesore politike në Kosovë, për të diskutuar çështjet më të rëndësishme në procesin aktual, siç janë standardet, dialogu me Beogradin, decentralizimi dhe diskutimet për statusin e Kosovës. Sidoqoftë mbetet të vendoset se çfarë roli dhe përgjegjësish do t’i lihen këtij forumi dhe a do të shtrohen çështjet që do të diskutohen aty për vendimmarrje në kuadër të qeverisë dhe parlamentit të Kosovës.


XS
SM
MD
LG