Ndërlidhjet

SA U NDIKUA USHTRIA AMERIKANE NGA LUFTËRAT NË IRAK DHE AFGANISTAN


Andrew Tully

Para dy vjetësh, presidenti i Shteteve të Bashkuara George Bush, në kuvertën e një aeroplanbartësi në Oqeanin Paqësor, deklaroi se "luftimet kryesore" në Irak kanë përfunduar.
Por kryengritja atje vazhdoi dhe rreth 50 mijë trupa amerikane u detyruan të mbesin më gjatë në Irak.
Administrata e Bushit tha se lufta nuk e ka "ndrydhur" fuqinë ushtarake amerikane, por gjenerali Richard Myers, shef i shtabit të përgjithshëm, së fundi i tha Kongresit se përkushtimet amerikane në Irak dhe në Afganistan, po i kufizojnë aftësitë e Pentagonit për angazhime të mundshme gjetkë.
Javën e kaluar, një gazetar e pyeti presidentin George Bush, nëse ai beson se lufta i ka "ndrydhur" resurset ushtarake amerikane.
"Personi që duhet t'ia bëni këtë pyetje është shefi i shtabit të përgjithshëm. Ai nuk ndien se aftësia jonë ushtarake është e kufizuar për shkak të nivelit të pranisë së trupave tona në Irak. Ai mendon se ne kemi kapacitet të mjaftueshëm", tha presidenti Bush.
Por kjo nuk ishte përgjigja, të cilën gjenerali Richard Myers ia dha të hënën Kongresit. Ai tha se për shkak të angazhimit në Irak, forcat amerikane, të cilat do të angazhoheshin në operacione luftarake gjetkë, nuk do të mund të luftonin gjatë dhe do të kishin humbje më të mëdha në njerëz dhe civilë.
Vlerësimet e Myers-it ishin të fshehta, por kopjet e tyre u bënë publike nga gazetat amerikane, përfshirë New York Times dhe Los Angeles Times.
Pyetja që shtrohet është në ç'masë janë të kufizuara forcat amerikane? "Jo në masë të madhe", thotë Marcus Corbin, analist ushtarak në Qendrën për Informata të Mbrojtjes në Uashington. Corbin i tha Radios Evropa e Lirë se ushtria e Shteteve të Bashkuara është aq e fuqishme, sa nuk mund të mundet nga asnjë ushtri e botës, edhe pse është mjaft e angazhuar në Irak dhe Afganistan.
Sidoqoftë, Corbin thotë se një angazhim tjetër ushtarak mund të zgjaste më shumë dhe të kishte më shumë pasoja.
"Realiteti në terren është çështje tjetër, dhe në disa fusha dallimet janë të theksuara. Nuk mund të bëhet fjalë për humbje të luftës, por vetëm për sasinë e parave dhe përpjekjet që duhen shtuar", thotë Corbin.
Para dy vjetësh, kishte shqetësime se angazhimi amerikan në Irak ishte aq i madh, sa që resurset ushtarake nuk do të mund të ishin në gjendje të veprojnë si duhet në luftën civile në Liberi. Asokohe, Bushi dërgoi një forcë të vogël për t'i evakuuar të huajt. Corbin thotë se çështja ishte se administrata thjesht nuk dëshironte të angazhohet në atë konflikt.
Ngjashëm mendon edhe Jack Spencer, analist i mbrojtjes nga Instituti Heritage në Uashington. Ai thotë se raporti i gjeneralit Myers në Kongres nuk është punë e madhe, sepse pas Luftës së Ftohtë, fondet e ushtrisë u pakësuan dhe ushtarët amerikanë u angazhuan edhe në operacione paqëruajtëse.
"Pjesa më e rëndësishme është se ne mund të bëjmë shumë më tepër me kapacitetin që kemi. Ka edhe mjaft arsye për gjitha këto shqetësime, sepse në 10 vjetët para 11 shtatorit 2001, ne u angazhuam në Bosnje dhe Kosovë, që gjithashtu ndikoi te resurset ushtarake", thotë Spencer.
Sipas tij, Pentagoni tani duhet t'i japë më shumë prioritet gadishmërisë luftarake, sepse në këtë mënyrë, forcat do të ishin më pak të ndikuara në rast të ndonjë fushate ushtarake të re.
XS
SM
MD
LG