Ndërlidhjet

logo-print

MË 10 MAJ NË BEOGRAD DO TË DISKUTOHET PËR PJESËMARRJEN E SERBËVE NË INSTITUCIONET E KOSOVËS


Zijadin Gashi, Prishtinë

“Lista Serbe për Kosovën dhe Metohinë”, pas disa konsultimeve shtesë që do t’i bëjë me Beogradin, do të vendosë nëse do të marë pjesë në institucionet e Kosovës. Zyrtarët e Listës Serbe thonë se më 10 maj në Beograd do të mbahet takimi i Këshillit për Kosovën, ku do të diskutohet pikërisht rreth kthimit të përfaqësuesve serbë në institucione. Paraprakisht, Lista Serbe pati marë vendim që të jetë pjesmarrëse e grupeve punuese për dialogun teknik me Beogradin, dhe grupin punues për decentralizimin. Kurse tani, sipas njërit nga zyrtarët e kësaj liste Goran Bogdanoviqit, nga Beogradi do të kërkohet përkrahje për t’i dhënë kështu kredibilitetin e duhur këtij subjekti politik për përfaqësimin e serbëve në institucionet e Kosovës:
“Varet nga Beogradi zyrtar a duhet dhe në çfarë mënyre të marrim pjesë në institucione. Edhe në kreun e Serbisë ka disponim që së pari të provohet puna në grupin për decentralizimin e pastaj të kthehemi në institucione”, thotë Bogdanoviq.
Mirëpo njëkohësisht përfaqësuesit serbë thonë se gjithashtu janë të vetëdijshëm se pjesëmarrja në institucione, do t’u siguronte atyre një mundësi më të mirë që t’i mbrojnë interesat e komunitetit të tyre. Kryesuesi i Listës Serbe Oliver Ivanoviq, mendon se në këtë formë përmes bojkotit nuk mund të arrihet asgjë:
“Ne jemi të vetëdijshëm se po humbim mjaft me mospjesëmarrjen tonë dhe thjesht ne nuk mund të bëjmë asgjë në këtë formë dhe nëse vazhdohet një formë e tillë mendoj se rrezikojmë që ta margjinalizojmë në tërësi komunitetin serb”, thekson Ivanoviq. Përfaqësuesit e Listës Serbe kanë pohuar sot se do të kërkojnë nga kryeaministratori Soren Jessen Petersen që ta thërrasë shumë shpejt një takim të grupit për decentralizimin, ku serbët do t’i paraqesin në tavolinë kërkesat e tyre për parimet që ata mendojnë se duhet të mbështetet realizimi i decentralizimit në Kosovë. Ndërkaq, përkundër paralajmërimeve se Lista Serbe do të marrë pjesë në seancën e radhës së Kuvendit të Kosovës më 19 maj, kur do të shtrohet për debat çëeshtja e decentralizimit, ky subjekt politik megjithatë mbetet ende në pritje të qëndrimit të Beogradit, para se të marrë një vendim të tillë.

XS
SM
MD
LG