Ndërlidhjet

logo-print

PËR VIKTIMAT E DËBIMEVE TË STALINIT, FUNDI I LUFTËS SË DYTË BOTËRORE NUK ËSHTË LARG


Jean Christophe Peuch

Klara Baratashvili nuk kishte lindur ende në përfundim të Luftës së Dytë Botërore. Por sot ndonëse i ka kaluar të 50-tat, ajo ka kujtime të gjalla rreth asaj që ndodhi në 15 nëntor të vitit 1944:
"Në orën 4 të mëngjesit njerëzit janë ngritur nga gjumi dhe u urdhëruan të qëndrojnë nën qiell të hapur pa asnjë shpjegim. Më vonë janë transportuar me kamiona dhe iu është lejuar të marrin vetëm pak sende me vete. Im atë që besonte së tepërmi tek komunizmi, morri ditarin dhe serinë e plotë të veprave të Stalinit. Këto ishin ato që ai çmonte më tepër", tregon Klara Baratashvili, familja e të cilës me urdhër të udhëheqësit komunist po dëbohej nga Gjeorgjia drejt Uzbekistanit. I ati i saj deri sa vdiq nuk e pa më vendlindjen e tij, Gjeorgjinë. Ende mbeten të paqarta arsyet e dëbimit nga Stalini të mbi 100 mijë mesketëve, popullsi myslimane në Gjeorgji. Disa historianë mendojnë se ka dashur ta pastojë Gjeorgjinë nga elementi mysliman nga droja e një lufte të mundshme me Turqinë fqinje. Derisa të tjerë mendojnë se këto popullsi nuk kishin treguar sa duhet bindje ndaj Stalinit. Zyrtarisht historiografia sovjetike i ka justifikuar dëbimet e Stalinit, si dëbime të ish bashkëpunëtorëve të nazizmit gjatë pushtimit gjerman të gadishullit të Krimesë në vitet 41-42.
Llogariten rreth 1.5 milionë njerëz të dëbuar në Siberi dhe Azinë qëndrore, derisa forcat sovjetike morën kontrollin në rajonet e Krimesë e Kaspikut. Në mesin e popullsive të dëbuara ishin tatarët e Krimesë, çeçenët, armenët, kurdët, mesketët.
Baratashvili kujton muajin e parë të mërgimit të të atit:
"Dimri i vitit 44-45 ishte shumë i ashpër. Shumë vdiqën nga uria dhe të ftohtët. Ndërkohë vdiqën dhe shumë foshnja pasi nënat nuk kishin qumësht për t'i ushqyer", thotë Klara Baratashvili, e cila shton se shumica e të dëbuarve kanë qenë gra e fëmijë, pasi burrat ishin kryesisht në ushtri.
Ndërkaq një tjetër dëshmitar i dëbimeve është dhe Mustafa Çemilev, tatar i Krimesë dhe disident i regjimit sovjetik. Ai thotë se gjatë viteve 44-45, më shumë se gjysma e popullsisë tatare të paraluftës është dëbuar. Ai vetë në mbrojtje të kauzës së popullit të vet ka kaluar 15 vjet në burgjet staliniste.
"Rreth 380 mijë tatarë të Krimesë u dëbuan. Ky numër nuk përfshin 50 mijë ushtarët, që pasi u kthyen nga fronti u dërguan në egzil." thotë Çemilev, sipas të cilët tatarët e Krimesë dhe mesketët e pësuan më së rëndi nga dëbimet e Stalinit. Pas vdekjes së Stalinit më 1956, të dëbuarve iu dha e drejta e kthimit në vendlindje, por ajo që të kthyerit gjetën ishin tokat dhe pronat e zëna nga të tjerët, të cilët kishin ardhur në këto zona për t'i populluar pas dëbimeve.
Ndërkaq me këtë problem përballen edhe sot Ukraina e Gjeorgjia. Nga këto vende kërkohet kompensimi i popullsisë meskete e tatare të dëbuar. Por zyrtarët në Tbilisi dhe Kiev thonë se këto çështje mund të zgjidhen vetëm hap pas hapi.
XS
SM
MD
LG