Ndërlidhjet

A KANË PARTITË POLITIKE STRUKTURA SEKRETE TË KUNDËRZBULIMIT ?!


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Përderisa policia e UNMIK-u deklaron se nuk ka dëshmi për egzistimin e shërbimeve sekrete apo të kundërzbulimit të partive kryesore politike në Kosovë, shefi i zyrës së Grupit Ndërkombëtar të Krizave, Aleks Anderson, thotë se këto struktura jo vetëm që egzistojnë, por po e deformojnë sistemin politik të Kosovës dhe po pengojnë hartimin e një qasjeje të përbashkët të partive kosovare lidhur me përcaktimin e statusit përfundimtar. Zoti Anderson tha për Evropën e Lirë se egzistimi i strukturave të kundërzbulimit në kuadër të partive politike është më se evident:
"Mendoj se tashmë është krejt e qartë dhe gjerësisht e kuptueshme se partitë kryesore politike kanë struktura të tilla të nënrenditura apo paralele, të cilat merren me mbledhjen e informacioneve dhe që ndoshta kanë njëfarë roli në zhvillimet ekonomike," tha zoti Alex Anderson, për të vlerësuar se sistemi politik i Kosovës po bëhet shumë i deformuar me këtë fenomen, pasi ky rivalitet ka kaluar kufijtë e rivalitetit politik:
"Gjatë periudhës 2000-2004 kur kishim koalicionin e gjerë qeverisës, është vërejtur njëfarë besimi ndërmjet partive politike dhe nënstrukturave të tyre rivale," tha Anderson, duke e shpjeguar këtë me faktin se atëbotë secila prej partive kryesore kishte segmente të caktuara të qeverisjes dhe burimeve nën kontrollin e vet, dhe siç dukej nuk dëshironin ta shqetësonin njëri-tjetrin, pasi secili nga ta kishte zonat e veta të përcaktuara. Mirëpo, tha Anderson, kjo periudhë përfundoi me vendimin e LDK-së për koalicion të ngushtë me AAK-në e Ramush Haradinajt dhe rivaliteti ndërmjet partive u ashpërsua, sidomos pas shkuarjes në Hagë të zotit Haradinaj, kur PDK-së filloi politikën e dosjeve kundër LDK-së. Kjo, tha Anderson, ka bërë që politika në Kosovë të përcaktohet më shumë nga interesat rivale të këtyre nënstrukturave, sesa nga përpjekja e partive politike për ta profilizuar vetveten brenda formave klasike, të majta, të djathta, apo të qendrës:
"Në vend që t’i shohim të bashkohen, ne po i shohim të përçahen me çka detyrimisht shtrohet pyetja, nëse politika kosovare po përcaktohet nga njëfarë paranacionalizmi, që secili t’ia atribuojë vetvetes të drejtën për të ndërtuar të ardhmen e Kosovës," tha Anderson, duke theksuar se ka ndodhur që pikërisht në kohën kur shefi i UNMIK-ut Jessen Petersen bën thirrje për një forum që do të përbënte konsensus për të ardhmen e Kosovës, PDK dorëzon edhe një dosje tjetër me akuza, siç u shpreh Anderson.
Mirëpo, pavarësisht nga akuzat dhe kundërakuzat e ndërsjella të dy partive kryesore, Lidhjes Demokratike dhe Partisë Demokratike, policia nuk di për egzistimin e strukturave të kundërzbulimit të këtyre partive:
"Aktualisht ne nuk kemi dëshmi për egzistimin e organizatave të tilla, mirëpo ne lusim njerëzit që nëse kanë informacione për egzistimin e organizatave të tilla, të kontaktojnë policinë," tha sot zëdhënësja e policisë së UNMIK-ut, Kelly Colins McMurry.
Duke komentuar këtë deklaratë të policisë, shefi i ICG-së në Kosovë, Aleks Anderson tha:
"Nuk është kredibile për UNMIK-un të deklarojë se nuk di asgjë për këto struktura," tha Anderson. Ai ka vlerësuar se kjo mungesë transparence e policisë dhe UNMIK-ut ka bërë që njerëzit të humbin besimin tek institucionet dhe te policia:
"Dihet gjerësisht se ku është selia e shërbimit të kundërzbulimit të LDK-së, ashtu siç dihet se ku është selia e shërbimit të kundërzbulimit të PDK-së," tha zoti Anderson, duke përmendur edhe faktin se opinioni kosovar ka filluar të bëhet alergjik ndaj shabllonit të policisë “hetimet vazhdojnë”, kur ka vrasje apo incidente të tjera të profilit të lartë. Anderson tha se policia po sillet me mungesë transparence edhe lidhur me operacionin e madh të policisë në rezidencën e presidentit Rugova në fund të muajit të kaluar.
Sidoqoftë, ka vlerësuar zoti Aleks Anderson, politika e dosjeve po ndikon për një ambjent të tillë, ndërkohë që në vend të kësaj, do të duhej ndërtuar një ide e konsensusit lidhur me atë se si duhet të jetë e ardhmja e Kosovës dhe që ky konsensus të bartej në bisedimet për statusin këtë vit.


XS
SM
MD
LG