Ndërlidhjet

NË SESIONIN E KS PARALAJMËROHET SHKUARJA E KRYEMINISTRIT KOSUMI


Zijadin Gashi, Prishtinë

Në sesionin e radhës së Këshillit të Sigurimit për Kosovën, që do të mbahet në fund të muajit maj, kur pritet të bëhet dhe vlerësimi politik në lidhje me përmbushjen e standardeve në Kosovë, është paralajmëruar që të marrë pjesë dhe kryeministri kosovar, Bajram Kosumi. Kjo është thënë sot pas një takimi që shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Soren Jessen Petersen, zhvilloi me kryeministrin Kosumi, ku u tha se do të shikohet mundësia nëse në Nju Jork bashkë me shefin e UNMIK-ut, do të udhëtoj vetëm kryeministri Kosumi, apo ndonjë delegacion më i gjerë qeveritar, ku do të ishte dhe një përfaqësues i minoritetit serb.
Mirëpo ndërsa detajet e pjesëmarrjes së Kosovës në këtë sesion kanë mbetur të qartësohen ditëve në vijim, Kosumi e Petersen thanë gjithashtu se i kanë diskutuar dhe modalitetet e formimit të Forumit gjithëpërfshirës politik, si dhe çështjet që kanë të bëjnë me decentralizmin:
“Jemi të shqetësuar për shkak të zvarritjeve, por e mirëpresim debatin në Kuvend më 19 maj dhe jam i kënaqur me kryeministrin, sepse ai dëshiron që atje, bashkë me të gjitha partitë politike, të diskutojnë për këtë proces shumë të rëndësishëm, ” tha Petersen. Shpresoj, shtoi ai, se javëve të ardhshme do të shihen përparime në këtë proces, sidomos tani kur në grupet për decentralizimin do të marrin pjesë dhe përfaqësuesit e komunitetit serb.
Në anën tjetër, kryeministri Kosumi tha se qeveria e tij do t’i mirëpresë rekomandimet e Kuvendit në lidhje me decentralizimin. Ndërkaq duke u përqëndruar në formimin e një Forumi joformal politik, ku do të merrnin pjesë udhëheqësit e institucioneve dhe liderët e partive kryesore politike sipas një propozimi të shefit të UNMIK-ut, kryeministri Kosumi tha se dokumenti për formimin e këtij trupi është në shqyrtim e sipër dhe pret që spektri i gjerë politik në Kosovë të ketë një organizim të atillë, i cili do të shërbente për arritjen e konsensusit në lidhje me çështjet madhore, sidomos për sa i përket statusit të Kosovës:
“Unë mendoj se ideja për forum është e mirë. Është ide që e konkretizon qëndrimin e mëhershëm edhe të pozitës edhe të opozitës, që rreth statusit përfundimtar të kemi qëndrime të harmonizuara. Për mua ky është thelbi i çështjes. Është shumë e rëndësishme që kur shkohet në Kuvend dhe të votohen parimet themelore për statusin përfundimtar të Kosovës, të gjithë deputetët shqiptarë t’i ndrisin duart dhe të jenë pro. Unë besoj se edhe minoritetet e tjera do t’i ngrenë duart dhe do të jenë pro. Por, nuk duhet të lejohet në asnjë mënyrë që dikush prej deputetëve shqiptarë, për shkak të mosharmonizimit të qëndrimeve, për shkak të mos angazhimit më të madh tonin, të thotë unë s'e ngre dorën”, tha kryeministri Kosumi.
Formimi i këtij forumi politik, mes të tjerash është cilësuar të jetë dhe në shërbim të krijimit të një klime më të mirë politike në Kosovë. Kryeministri Kosumi tha se dita ditës në Kosovë, po shtohet nevoja e plotësimit të qeverisë dhe institucioneve vendore, si me strukturat adekuate, ashtu dhe me shtimin e përgjegjësive. Akuzat e shumta ndërmjet partive politike, përzierja e mediave të shkruara në këto akuza dhe përmendja e emrave të funksionarëve të ndryshëm për inkriminimin e tyre, nuk mund të pushojnë përderisa institucionet e Kosovës nuk i kanë të gjitha strukturat për luftimin e krimit dhe vënien e rendit, tha kryeministri Kosumi:
“Unë e kam biseduar veçanërisht, veç e veç me zotin Petersen e Kermabon, si dhe të gjitha shtetet e “kuintit” këtë çështje dhe kam kërkuar që të kem përkrahje në të. Kjo është përgjigja e vetme dhe më e mirë në të gjitha pyetjet që mund të bëhen rreth akuzave publike nëpër media... Pa e formuar Ministrinë e Rendit, pa e formuar Ministrinë e Drejtësisë, pa e formuar Këshillin për Siguri, pa e formuar Shërbimin Inteligjent që do të ishin në duart e kosovarëve, nuk mund të ketë një siguri të plotë të brendshme për qytetarët e Kosovës”, theksoi Kosumi.
Shefi i administratës së UNMIK-ut, pati premtuar se do t’ia dorëzojë qeverisë së Kosovës draft-rregulloret për formimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe asaj të Drejtësisë, mirëpo kjo është shtyrë dhe sot nuk janë dhënë detaje të tjera. Sidoqoftë, kryeministri Kosumi thotë se ka jo vetëm përkrahjen e UNMIK-ut, por edhe zyrave të pesëshes së madhe, që këto dy ministri do të formohen gjatë vjeshtës së këtij viti.


XS
SM
MD
LG