Ndërlidhjet

logo-print

BUSH: "LIRIA ËSHTË SHPRESA E PËRHERSHME E NJERIUT"


Presidenti Bush në Hollandë nderon ushtarët e rënë në Luftën e Dytë Botërore

Shoqëruar nga muzika e rastit presidenti amerikan George Bush ka nderuar kujtimin e ushtarëve amerikanë, kanadezë e evropianë të rënë gjatë Luftës së Dytë Botërore, të cilët prehen varrezat Margraten në qytetin hollandez të Mastrihtit. Bush, në ditën e dytë të turneut evropian, vendosi kurora në monumentin që është ngritur në kujtim të të rënëve, derisa mbi 8 mijë ushtarë amerikanë prehen në varrezat e Mastrihtit.
"Në këtë mëngjes paqësor Maji ne festojmë fitoren e madhe për liri dhe mijëra kryqet prej mermeri të bardhë apo me shenjën e yllit të Davidit, simbolikë e popullit heberej, janë dëshmi të atij çmimi të tmerrshëm që ne paguam për këtë fitore", tha Bush, i cili shoqërohej nga kryeministri hollandez, Jan Peter Balkenende, dhe mbretëresha Beatriçe e Hollandës.
Në fjalën e tij presidenti amerikan kujtoi lidhjet e forta mes dy vendeve duke risjellë dhe fakte historike si ai që Hollanda ishte vendi i parë që njohu pavarësinë e Shteteve të Bashkuara.
Gjatë një takimi me të rinjtë hollandezë Bush ka theksuar se mësimi i dalë nga Lufta e Dytë Botërore para së gjithash ishte përhapja e demokracisë në Evropë, në këtë Evropë që më në fund është e tëra e lirë dhe në paqe.
"Këtu jemi të riafirmojmë detyrimin e madh që kemi ndaj të rënëve. Jemi këtu që të kujtojmë të keqen kundër së cilës luftuan këta amerikanë. Shkatërrimi i Roterdamit është shenja e shkatërrimit për njerëzimin, që nazistët i bënë këtij kontinenti" tha Bush, për të shtuar se ushtria naziste, tepër e fuqishme ushtarakisht, u shkatërrua vetëm si rezulat i luftës së përbashkët.
"Kjo fuqi ushtarake u mund vetëm në sajë të koalicionit të ushtrive nga demokracitë aleate, nga luftëtarët e lirisë nga vendet e pushtuara dhe lëvizjet e rezistencës në terren. Të gjithë luftuan së bashku me ushtarët amerikanë që vetëm pak muaj më parë kishin qenë bujqë, punonjës banke apo punëtorë fabrike", nënvizoi Bush në fjalimin mbajtur në varrezat e Mastrihtit, për të shtuar:
"Dhe tiranët në botë nxorrën një mësim: nuk fuqi si ajo e lirisë dhe nuk ka asnjë ushtar më të të fortë se ai që lufton për këtë liri", theksoi presidenti amerikan.
Ndërkaq kryeministri hollandez në fjalën e tij theksoi rolin amerikan gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore.
"Shtetet e Bashkuara nuk e braktisën Evropën në fund të Luftës së Dytë Botërore. Programi Marshall për rimëkëmbjen tonë ekonomike na dha mbështetjen e nevojshme për të ndërtuar kontinentin tonë", tha kreu i ekzekutivit hollandez Balkenende, që shoqëronte presidentin Bush në ceremonitë përkujtimore për përfundimin e Luftës së Dytë Botërore. Ndërsa vetë Bush nuk harroi të përmendë sfidat e botës së lirë në shekullin e XXI.
"Shekulli i XXI shtrihet para nesh. Amerikanët dhe evropianët vazhdojnë të punojnë së bashku për të sjellë lirinë në vendet ku ajo ishte mohuar për shumë kohë; në Afganistan, në Irak, në Liban dhe në gjithë Lindjen e Mesme", theksoi Bush, i cili është në ditën e dytë të turneut të tij evropian. Dje Bush ka qëndruar në Riga, nesër do të marrë pjesë në ceremonitë në Moskë, derisa liria duket se do jetë në qendër të fjalimeve të tij si dhe në dy ditët e para të këtij turneu pasi siç e tha dhe vetë Bush në Mastriht:
"Liria është shpresa e përhershme e njeriut".

XS
SM
MD
LG