Ndërlidhjet

logo-print

MASTRIHT


Në ditën e dytë të turneut të tij evropian, presidenti i Shteteve të Bashkuara, George Bush, nderoi ushtarët amerikanë, evropianë dhe kanadezë të rënë gjatë Luftës, në Varrezën afër Mastrihtit në Holandë.
Ndërkohë, në shumë vende të Evropës është shënuar 60 vjetori i fitores mbi Gjermaninë Naziste. Në Moskë, ushtarët marshuan përgjatë rrugës kryesore, derisa veteranët përshëndesnin nga makinat ushtarake. Kryeqyteti rus nesër do t'i presë liderët botërorë në një ceremoni madhështore për të shënuar këtë përvjetor.
Në Berlin, kapitullimi i Rajhut të Tretë po shënohet nën frikën për shpërthimin e dhunës, nga marshimi neo-nazist dhe manifestimet e së majtës ekstreme. Gjashtë mijë forca speciale të policisë janë në gjendje gatishmërie për t'i parandaluar përleshjet e mundshme. Disa qindra neo-nazistë priten gjatë ditës në Berlin. Hans Ulrich Perels, një demonstrues antifashist, tha se fitorja mbi fashizmin nuk duhet të harrohet kurrë. "E kuptoj si jashtëzakonisht të rëndësishme atë që përkujtojmë në këtë ditë, sidomos në Gjermani. Ne duhet të kujtojmë vazhdimisht atë që ka ndodhur asokohe si viktimat e Holokaustit, dhe të parandalojmë pasojat e tilla në të ardhmen", tha Perels.
Ndërsa në Austri, fëmijë nga vende të ndryshme të Evropës kanë ndezur 100 mijë qirinjë, në përkujtim të viktimave të Kampit të fundit të nazistëve, afër Lincit, i çliruar nga forcat aleate në vitin 1945.
Kurse në Francë, presidenti Jacques Chirac e ka shënuar përvjetorin e fitores në Evropë, me vendosjen e luleve tek varri i ushtarit të panjohur në Paris.
XS
SM
MD
LG