Ndërlidhjet

LONDËR


Në një letër të hapur të botuar sot në të përditshmen britanike "Financial Times", kritikohet si "ironike" zgjedhja e Moskës për të shënuar 60 vjetorin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Në mesin e 71 nënshkruesve janë edhe ish-disidentja sovjetike, Elena Bonner, presidenti i parë pas sovjetik i Letonisë, Vytautas Landsbergis, politikanë, diplomatë dhe ekspertë.
Në letër thuhet se liritë qytetare dhe politike, sundimi i ligjit dhe institucionet demokratike në Rusi, janë "ekstremisht të dobëta dhe të brishta", dhe nënshkruesit u bëjnë thirrje përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara dhe të Evropës, që të ngrisin shqetësimet për shkeljen e parimeve të demokracisë në Rusi.
Në një takim me presidentin amerikan George Bush, përfaqësuesit e shoqërisë civile kanë shfaqur shqetësimin e tyre për keqësimin e vazhdueshëm të gjendjes së të drejtave. Udhëheqësja e Federatës së Helsinkit në Rusi, Lyudmila Alexeyeva, tha se presidenti Bush ka premtuar se do ta ndihmojë shoqërinë civile."Presidenti Bush tha se ka qenë zakon i presidentëve amerikanë të takohen me përfaqësues të shoqërisë civile në vendet që ata kanë vizituar, dhe amerikanët e kuptojnë rëndësinë e një shoqërie civile të fortë, për zhvillimin normal të vendit, dhe se ai personalisht e kupton se sa është e rëndësishme për njerëzit që të jenë të pavarur", tha ajo.
XS
SM
MD
LG