Ndërlidhjet

KRUSHA E VOGËL-FSHATI I GRAVE


Albana Isufi, Krushë e Vogël

Me shkumës në dorë, Xhylferie Shehu, veshur me rroba ngjyrë hiri, u shpjegonte filloristëve nga Krusha e Vogël, Vëllimin e Kuboidit.
Nxënësit, shumica e të cilëve nuk i kanë etërit gjallë, dëgjojnë arsimtaren 45 vjeçare, jeta e së cilës para 6 vjetësh kishte ndërruar kahjen, sikurse edhe dhjetëra bashkëvendëseve të saj.
113 meshkujt e vrarë më 26 mars të vitit 1999 gjatë luftës në Kosovë, Krushën e Vogël, fshat ky 10 kilometra larg qytetit jugor të Prizrenit, e lanë pa kryefamiljarët meshkuj. Rreth 80 shtëpi mbetën pa zot shtëpie dhe gratë, që në të shumtën e rasteve ishin amvise u detyruan të gjejnë forma të ndryshme të mbijetesës.
Xhylferie Shehu nuk kishte menduar se ajo, e jo i shoqi do të kujdesej në të ardhmen, për dy bijtë e tyre.
Përfundimi i luftës e gjen Xhylferien duke kërkuar më kot të dijë për fatin e të shoqit, që edhe sot vazhdon të konsiderohet i zhdukur.
Por, fëmijët s’dinin gjë, duheshin rritur, edukuar e përkujdesur. Dhe Xhylferia vendosi që ta kryejë shkollën e lartë, të lënë gjysmë para 20 vjetësh.
“Vullneti për të jetuar, për egzistencë. Mos të mbetem unë, për dy provime, e papunësuar e ku ta di unë. Mbijetesa, fëmijët, sado pak për t’u plotësuar dëshirat e kushtet”, flet arsimtarja, e cila mundohet që me dashurinë dhe përkushtimin e saj, të mbushë zbrazëtirën, që u ka lënë fëmijëve vdekja e babait, përkatësisht vdekja e të shoqit të saj.
“Mungesa do të jetë tërë jetën, por mundohem që të paktën mos të ndikojë kjo te fëmijët. Edhe pse ata e ndjejnë mungesën, sepse ajo jo për 6 vjet, por do të jetë e pranishme tërë jetën. Ndryshe, fëmijët kur nuk e kanë një prind”, thotë Xhylferia flokëshkurtër, ulur në sallën e arsimtarëve, teksa në duar i bëhet një vijë e thellë nga shtrëngimi i një vizoreje trekëndëshe.
Shpresa Shehu u jep mësim më të vegjëlve në shkollën e Krushës së Vogël. Derisa radhit librat në biblotekën e vogël shkollore, Shpresa, një biondinë krushiane, duke gjestikuluar, rrëfen vështirësitë e të punuarit me bonjakë. Ajo thotë se më shumë se 50 përqind të nxënësve iu janë vrarë prindërit në luftë.
“Në shumë raste kur të bie një tregim, apo një tekst, ku bëhet fjalë për profesionin e prindërve, është shumë e vështirë. Në fillim nuk kam mundur të përballem me atë moment. Kam kthyer kokën mbrapa dhe më kanë rrjedhur lotët”.
Shpresa, përgëzon Xhylferien për forcën me të cilën ka tejkaluar dhimbjet dhe ka ecur përpara.
“Ajo ndien më shumë se çdo arsimtar tjetër që është këtu, se ajo atë që e përjeton me fëmijët e saj në shtëpi, e përjeton edhe me nxënësit në shkollë. Është shumë e vështirë për të, por ajo është shumë e fortë, shumë e fortë, sa që mban një qëndrim para nxënësve dhe nuk vërehet dhembja e saj shpirtërore.”
Fjalët e Shpresës, pohohen edhe nga njëra nga nxënëset e Xhylferies, Shkurte Rashkajt, e cila po përgatiste programin për Ditën e Shkollës.
“Mua më pëlqen shumë, është arsimtare shumë e mirë, edhe mësimin e shpjegon shumë mirë. Jemi të kënaqur me të.”
Ndërsa, Xhylferie Shehu, me ditar në duar, teksa del nga klasa ku vijon mësimet edhe biri i saj Betimi, thonë se puna ua ka kthyer vullnetin për të vazhduar jetën, me gjithë vështirësitë që u kishin dalë para. Xhylferia ishte shkëputur nga puna, që në vitin 1991 dhe për më shumë se 10 vjet, ishte vetëm një amvise.
“E kam pasur dëshirë prej kohësh dhe me vullnet punoj me fëmijët.”
Por, nuk është vetëm çështja e mbijetesës, që gratë e veja të Krushës i ka shtyrë të bëhen të zonjat e vetvetes. Marte Prenkpalaj, nga Shoqata Motrat Qiriazi, thekson arsyet e tjera:
“Ka pasur nga to të interesuara, të cilat e kanë parë se duhet të jetohet, të vazhdohet jeta, duhen rritur fëmijët, duhet fituar pavarësia për vete dhe ka pasur nga to, që kanë kërkuar vazhdimin e shkollimit edhe të mesëm edhe të lartë. Ne si shoqatë, që edhe kemi këtë program, arsimimin, në bashkëpunim me drejtorinë komunale të arsimit, i kemi mundësuar regjistrimin falas.”
Prenkpalaj, ulur buzë lumit Bistrica në Prizren, thotë se Xhylferie Shehu është një shembull, nga e cila jo vetëm bashkëvendëset e saj, por edhe të tjerët duhet të nxjerrin mësim.
“Është diçka shumë e fortë, ne kemi ndoshta studentë që me vite rrinë dhe nuk i kryejnë studimet, ndërsa kjo është një shembull, një grua që pati vullnet për t’iu kthyer jetës, studimeve, dhe për të kryer studimet, është shembull që vërtet duhet përmendur dhe të jetë stimulim për të rinjtë se duhet të kryejnë shkollën”.
Ndërsa, mësimi përfundon dhe nxënësit nguten të shkojnë në shtëpi, arsimtarët shprehin shqetësimin për zvogëlimin e përvitshëm të numrit të nxënësve në Krushën e Vogël.
Në këtë vend nuk ka meshkuj të rritur. Tash 6 vjet pothuajse nuk ka as lindje të reja.








XS
SM
MD
LG