Ndërlidhjet

TBILISI


Presidenti i Shteteve të Bashkuara George Bush u takua me presidentin e Gjeorgjisë Mikhail Saakashvili në Tbilisi.
Pas takimit, në konferencën e përbashkët për shtyp, Saakashvili e vlerësoi lartë ndihmën e Uashingtonit pas ndryshimeve në Gjeorgji.
"Në javët pas revolucionit të trëndafiltë, asnjë vend nuk qëndroi më pranë Gjeorgjisë se sa Shtetet e Bashkuara, qoftë me ndihma diplomatike, ekonomike apo këshilla miqësore. Për këtë mbështetje, populli ynë do të jetë mirënjohës përgjithmonë", tha Saakashvili.
Presidenti George Bush ndërkaq i vlerësoi zotimet e liderit të Gjeorgjisë lidhur me përmbushjen e obligimeve për t'iu bashkangjitur NATO-s, për të cilën tha se është aleancë e rëndësishme për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Lidhur me mbështetjen amerikane ndaj Gjeorgjisë, Bush deklaroi.
"Ne i përkrahim lëvizjet e lirisë dhe i mbështesim demokracitë e reja. Ne duam të ndihmojmë aty ku mundemi, për të ndërtuar institucione jetëgjata, kështu që gjeneratat e ardhshme të gjeorgjianëve të mund të rriten në shoqëri të lira", tha presidenti amerikan George Bush.
Në këto çaste, ai pritet t'u drejtohet mijëra njerëzve në Sheshin e Lirisë në Tbilisi, vendin ku u mbajtën protestat kryesore të "Revolucionit të Trëndafiltë" në vitin 2003.
Pas fjalimit, presidenti Bush pritet të udhëtojë në Uashington, duke i dhënë fund turneut 5-ditësh në Evropë.
XS
SM
MD
LG