Ndërlidhjet

FORUMI NUK ËSHTË ZËVENDËSIM I INSTITUCIONEVE


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Asnjëherë nuk kam synuar që forumi të jetë zëvendësim apo shtesë e institucioneve demokratike, ka thënë sot shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë Soren Jessen Petersen, duke folur lidhur me propozimin e tij për formimin e një forumi joformal, në të cilin do të merrnin pjesë krerët e partive politike të Kosovës. Zoti Petersen i ka bërë këto komente pas një takimi me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ka kërkuar që forumi të jetë jo një trup këshilldhënës, por vendimmarrës.
"Ky është një forum i Kosovës, në të cilin unë përpiqem të ndihmoj që të bashkohen krerët e partive politike të Kosovës, për të pasur një dialog konstruktiv dhe që të kërkojmë konsensus për atë që e kam quajtur konsensus kombëtar," tha shefi i UNMIK-ut Soren Jessen Petersen.
Mirëpo, kryetari i partisë më të madhe opozitare, Hashim Thaçi, tha se forumi duhet të jetë vendimmarrës, qoftë edhe nëse ka nevojë që të ndryshohet Korniza Kushtetuese:
"Forumi duhet të jetë forum politik vendimmarrës që duhet të përbëhet nga LDK, PDK, ORA dhe AAK. Ky forum duhet të ketë një rregullore të punës dhe natyrisht duhet të ndryshohet edhe Korniza Kushtetuese nëse ka nevojë, që të jetë forumi më efektiv".
Duke e qartësuar qëndrimin e tij, zoti Thaçi tha se një qëndrim i tillë nuk do të thotë refuzim për forumin, pasi sipas tij PDK do të jetë e pranishme kudo që do të ketë konsensus:
"Ky forum duhet të merret me çështjet e standardeve dhe statusit, të ketë platformën e qartë për shtet të pavarur dhe sovran dhe këto vendime që do të merreshin në këtë forum të kalojnë nëpër parlamentin e Kosovës", tha zoti Thaçi, ndërkohë që shefi i UNMIK-ut Jessen Petersen, tha se nuk dëshironte të bënte komente lidhur me kërkesën e Thaçit, pasi, siç u shpreh ai, këto komente do t’i bënte kur zoti Thaçi ta qartësonte domethënien e kërkesës së tij për karakterin vendimmarrës të forumit. Sidoqoftë, Petersen tha se në asnjë mënyrë ky forum nuk do të jetë zëvendësues i institucioneve të zgjedhura të Kosovës:
"Unë kurrë nuk kam synuar dhe as që kam për qëllim që forumi të jetë institucion shtesë demokratik," tha Petersen, duke bërë të ditur se tani nuk ka shumë kohë për të biseduar dhe se pasi kishte marrë përgjigjet nga Lidhja Demokratike dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, mbetej në pritje të përgjigjeve të qarta nga dy partitë opozitare PDK dhe Ora. Partitë partnere të koalicionit qeveritar, LDK dhe AAK tashmë janë pajtuar parimisht lidhur me propozimin e zotit Petersen për formimin e forumit joformal, në të cilin do të diskutoheshin çështjet e interesit kombëtar, si standardet, decentralizimi dhe statusi i Kosovës.



XS
SM
MD
LG