Ndërlidhjet

logo-print

KOSOVA ENDE VETËM ME NJË OPERATOR TË TELEFONISË MOBILE


Albana Isufi, Prishtinë

Administrata ndërkombëtare dhe qeveria e Kosovës, nuk kanë gjetur ende rrugëzgjidhje për telefoninë e dytë mobile në Kosovë.
Kërkesës së qeverisë së Kosovës, për informacione shtesë rreth procedurave të tenderimit, nuk i është përgjigjur ende UNMIK-u. Këto procedura UNMIK-u i pat quajtur të parregullta dhe rrjedhimisht pati anulluar tërësisht tenderin e dytë të telefonisë mobile, që sipas Autoritetit Rregullator të Kosovës e pati fituar kompania kosovare -sllovene Mobitel-Mobikos.
Zëdhënësi i UNMIK-ut Remi Dourlot, vetëm ka konfirmuar se UNMIK-u ka marrë kërkesën e qeverisë, por nuk ka dhënë detaje të tjera.
“Me sa e di unë, qeveria ka bërë një kërkesë për informacione rreth tenderit të telefonisë së dytë mobile, por unë nuk e di nëse UNMIK-u i është përgjigjur kësaj kërkese”, tha Remi Dourlot, duke mos shpjeguar hapat e mëtejme të UNMIK-ut.
Ndërkohë, zëdhënësi i qeverisë së Kosovës Daut Dauti, thotë se vetëm UNMIK-u është institucioni që mund ta zgjidhë problemin e operatorit të dytë të telefonisë mobile.
“Të gjitha procedurat normale janë kryer, janë kryer procedurat e shpalljes së fituesit, komisioni i cili ka verifikuar, gjykata madje ka qenë e përfshirë dhe tashti vendimi është i UNMIK-ut, vendimi është i PSSP-së. Qeveria ka kërkuar që të sqarohet, që të merret një vendim i tillë, por PSSP ka pozicion mbi të gjithë dhe është dëshirë, vullnet dhe zgjedhje e tij se kur dëshiron që ta trajtojë këtë çështje”.
Daut Dauti thotë se është detyrë e shefit të UNMIK-ut që të shpallë tender tjetër pasi ai e ka anulluar tenderin. Por, zyrtarët e UNMIK-ut deri më tani kanë mohuar ta bëjnë një gjë të tillë duke u arsyetuar se telekomunikacioni është përgjegjësi e bartur.
Në anën tjetër eksperti për telekomunikacion Agron Dida, vlerëson se si pasojë e këtyre zvarritjeve, humbja është e gjithanshme.
“Pasojat janë që tani, ende nuk kemi konkurrencë në treg, jemi shumë mbrapa cilësisë së shërbimeve, që janë të zakonshme sot në Evropë. Dëm i madh për komunikimin, dëm i madh për ekonominë, natyrisht që edhe buxheti mund të ketë pasoja negative pasi s’ka konkurrencë në treg”.
Ish drejtori i Postë Telekomit të Kosovës, Agron Dida, thotë se monopoli i deritanishëm në fushën e telefonisë mobile, jo vetëm qytetarëve , por edhe vetë Valës 900 i ka bërë dëm, pasi sipas tij, ky operator ka ngecur në vend dhe nuk i ka zhvilluar shërbimet e komunikimit.
“Mbi të gjitha është mungesa e intensitetit të komunikimit, për të cilat ka nevojë Kosova, me një çmim që mund ta përballojë, se ju shikoni se mundet me shumë pak intensitet komunikimi të sigurohen, për atë çmim çka mund ta paguajë konsumatori ose për të njëjtin çmim që mund ta paguajë konsumatori, shumë shërbime më cilësore dhe më të mira. Fatkeqësisht ne jemi në këtë situatën e parë te keqe, ku popullata për pak komunikime, për cilësi shumë të ulët të komunikimeve jep shumë para edhe nuk merr mbrapsh asgjë”.
Dida thotë se autoritetet duhet që më shpejt të zgjidhin problemin e telefonisë së dytë mobile. Ndërkohë, Mobitel-Mobikos, kompania, që u pat shpall fituese nga ART-ja, kohë më parë, ka fituar edhe kontestin gjyqësor nga një gjykatë komunale e Prishtinës. Por të gjitha këto vendime janë hedhur poshtë nga UNMIK-u, ndërkohë që zyrtarët e kësaj kompanie kanë bërë të ditur se do të ngrenë padi edhe në strukturat të më larta gjyqësore, përfshirë edhe ato ndërkombëtare.

XS
SM
MD
LG